Policia malazeze bllokon Tuzin/ Nik Gjeloshaj: Hakmarrje e Qeverisë pas shfaqjes së flamurit të Kosovës dhe Shqipërisë! I kërkon kryeministrit të…

Feb 25, 2021 | 10:53
SHPËRNDAJE

Policia malazeze ka bllokuar hyrjet për në Tuz, me arsyetimin se ka marrë aksion për të mbyllur lokalet e gastronomisë, që janë hapur sot me vendim të kryetarit të komunës, Nik Gjeloshaj.

bbQeveria e Malit të Zi ka marrë masa për ndalimin e përhapjes së COVID-19, e ndër to edhe për mbylljen e lokaleve të gastronomisë.

“Vijesti.ma” shkruan se kamionë të shumtë që për destinacion kanë Shqipërinë, janë urdhëruar të parkohen skaj rrugës magjistrale pa u futur në Tuz.

Aksioni është marrë me urdhër të Prokurorisë Themelore të Shtetit, ndërkohë që sipas mediave, disa pronarë të lokaleve janë marrë në pyetje.

Kryetari i Tuzit, Nik Gjeloshaj, ka thënë se e gjithë kjo ka prapavijë politike dhe ka ftuar kryeministrin Zdravko Krivokapiq apo zv.kryeministrin Dritan Abazoviq të vizitojnë qytetin shqiptar në Mal të Zi.

“Është një hakmarrje e Qeverisë për shkak të shfaqjes së flamurit të Kosovës dhe Shqipërisë në objektin e Komunës së Tuzit”, ka thënë Gjeloshaj.

Shumë qytetarë janë mbledhur në qendër të Tuzit, e që bashkë me praninë e forcave policore kanë krijuar atmosferë të tensionuar.

Ndërkohë, partia shqiptare Forca e Re Demokratike i ka dhënë përkrahje kryetarit të komunës, Gjeloshaj.

“Fatkeqësisht Qeveria me vendimin e saj kas treguar pafuqi për të gjetur një zgjidhje që nuk do t’i viktimizonte shqiptarët ose nuk do të hakmerrej ndaj tyre. Ndërkohë, udhëheqësia e Tuzit ka treguar kompetencë me vendimin e saj në mbrojtje të qytetarëve. Ftojmë kryeministrin ose zv,kryeministrin e Malit të Zi t’i përgjigjet ftesës së kryetarit të Tuzit, Nik Gjeloshaj”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Zv.kryeministri Abazoviq, sipas “Vijesti.ma”, është shprehur i gatshëm të bisedojë me Gjeloshajn për këtë çështje, siç ka thënë “brenda sistemit shtetëror”, raporton “Koha.net”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura