Policia, “luftë” në det me dhjetë peshkatarë italianë

Sep 16, 2014 | 11:39
SHPËRNDAJE

Peshkarexha italiane e bllokuar
“Luftë” në det mes policisë kufitare të Vlorës dhe ekuipazhit italian të dy anijeve të peshkimit.
Këta të fundit tentuan të mos i bindeshin policisë për t’i shoqëruar ata drejt Vlorës për peshkim të paligjshëm në ujërat territoriale shqiptare. Aksioni nisi që në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Anija “Butrinti” dhe një gomone e rojës bregdetare shqiptare janë nisur në det të hapur pasi pikasën dy peshkarexha italiane, të cilat po peshkonin 10 milje larg ishullit të Sazanit. Rojet bregdetare shkuan pranë mjeteve lundruese të shtetasve italianë duke u kërkuar atyre dokumentacionin e anijes, lejen e peshkimit në ujërat detare shqiptare si dhe dokumentet personale, por kanë hasur në rezistencën e shtetasve italiane. Ata jo vetëm nuk kanë dhënë dokumentacionin, por nisën lundrimin drejt Italisë duke shpërfillur autoritetet shqiptare. Këta të fundit janë detyruar të ndjekin dy mjetet italiane dhe pas shumë përpjekjesh arritën të ndalojnë peshkarexhat në kanalin e mesëm, midis ujërave shqiptare dhe italiane. Pasi arritën t’i ndalojnë, me shumë vështirësi shoqëruan dy mjetet dhe ekuipazhin drejt Portit të Vlorës. Anijet e huaja me 10 peshkatarë në bord janë shoqëruar në Portin e Vlorës në bashkëpunim me kapitenerinë, policinë kufitare si dhe Guardia di Financa dhe po kryhet verifikimi i dokumentacioneve. Sipas burimeve, anijet italiane po peshkonin në ujërat detare shqiptare pa leje nga autoritetet tona. Në këto raste parashikohen sanksione me gjobë (minimalja 25 milionë lekë), deri në sekuestrimin e mjeteve lundruese si dhe të dhënies para ligjit të 10 peshkatarëve për peshkim të paligjshëm si dhe të futjes brenda vijës kufitare shqiptare pa lejen e autoriteteve shqiptare. Peshkatarët janë justifikuar se nuk e dinin se kishin hyrë në territorin e ujërave shqiptare, pasi i kishte shtyrë rryma detare dhe nuk e kishin vënë re nga nata. Kur ka zbardhur ata kanë tentuar të largohen, por janë ndaluar nga policia kufitare.

VLORE/ QEMAL BIRAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura