Policia i nxjerr me dhunë, studentët deklarojnë: Sërish në grevë

Mar 2, 2015 | 8:13
SHPËRNDAJE

Në orën tetë të mbrëmjes, studentët që u larguan forcërisht nga ambientet e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike janë mbledhur për të diskutuar në lidhje me qëndrimin që do të mbanin.  Ata pohuan vazhdimin e grevës, ndërsa kërkuan vëmendjen e kreut të lartë të shtetit për gjithçka që po ndodhte. 

STUDENTET GREVISTE NE AMBIENTET E KOMISARIATIT NR.1

“Greva jonë nuk ka përfunduar atje, ku na shpërndatë nëpër rrugët e Tiranës. Ne jemi këtu për një qëllim, është bërë i ditur. Nuk po u drejtohemi instancave që u jemi drejtuar deri më sot, thirrja jonë shkon për Presidentin. I nderuar President, ne kërkojmë nga ju sigurinë fizike në radhë të parë dhe në radhë të dytë kërkojmë një pritje nga ana juaj. Ne jemi gati të paraqitemi te ju me po të njëjtat kërkesa. Një gjë është e sigurt. Rruga jonë do vazhdojë po ajo që ka nisur. Greva do vazhdojë, do jua komunikojmë më vonë se si do procedojmë. Do bojkotojmë mësimin dhe provimet”, tha një nga përfaqësuesit e studentëve. 

Protesta nisi në fillim të javës. Studentët kundërshtuan tarifat e larta të shkollimit, duke i cilësuar ato si diskriminuese. Të premten ata u futën në grevë, duke paralajmëruar Ministrinë e Arsimit se do të vijonin nëse nuk ndërmerreshin masa për përmbushjen e kërkesave të tyre.

“Erdhën rreth orës dy të natës. Thyen xhamat dhe na morën me forcë. Na shoqëruan në komisariat sikur të ishim kriminelë dhe jo studentë”. Nis kështu rrëfimin një nga grevistët e ngujuar prej ditës së premte në ambientet e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike në kryeqytet.

AKSIONI
Forca të shumta Policie mbërritën në orën 02:15 në Fakultet pa paralajmëruar, për të nxjerrë nga greva 32 studentët e ngujuar aty prej ditës së premte. Ata kanë shkallmuar derën kryesore dhe kanë thyer xhamat e godinës, ku prej një jave qëndronin të varura pankarta ku kërkohej ulja e tarifës së shkollimit. Gjatë ndërhyrjes, efektivët nuk kanë kursyer as dhunën ndaj të rinjve, të cilët kanë bërë rezistencë. Në videot amatore të filmuara nga vetë ata, dallohen edhe njolla gjaku në bluzat e tyre. Ndërkohë, mësohet se shpërndarja e studentëve është bërë në komisariate të ndryshme. Ata janë mbajtur gjysmë ore në ambientet e komisariatit dhe pas nënshkrimit të deklaratës janë lënë të lirë. Studentët tregojnë se gjatë kohës kur policia bënte shoqërimin e tyre nëpër furgona, sigurimi i shkollës nxori të gjitha sendet e tyre jashtë ambienteve të Fakultetit.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura