Policia e Shtetit kundër mullinjve me erë

Oct 27, 2019 | 11:12
SHPËRNDAJE

PËLLUMB NAKO

pellumb nako

Nuk është e thënë të jesh kritizer. As nihilist që me lupë të kërkosh e të bësh publike gabimet apo mosveprimet e Policisë sonë në luftë kundër fenomeneve kriminale me rrezik për vendin dhe sigurinë e qytetarëve. Mjafton të shohësh njoftimet e saj publike dhe gjithçka paraqitet reale. Sepse ajo që ndodh shpesh dhe po përsëritet e pandryshuar, edhe kohët e fundit, në komunikimet mediatike lidhur me disa aksione policore në pamje të parë me rëndësi të madhe, po rezultojnë më së paku të çuditshme. Dhe rastet ndjekin njëri-tjetrin. Policia flet dhe bombardon publikun për zbulime ngjarjesh të rënda, por pa autor. Pastaj bën ngado njoftime për superaksione të saj në Portin e Durrësit, por me rezultate të materializuara vetëm në shoqërime.

Efikasitet i dyshimtë. Sikur të mos mjaftojnë vetëm njoftimet e Policisë, edhe lidershipi politik i Ministrisë së Brendshme vazhdon të njëjtën melodi si në ditën e parë të ardhjes në pushtet të qeverisë aktuale. E keqja, me shumicë, vend e pa vend, vazhdon të hidhet mbi organet e tjera të drejtësisë. Por me batuta më pikante.  Edhe sot, pas më shumë se gjashtë viteve në pushtet, kur Reforma në drejtësi thuhet se do të na hapë dyert e fillimit të negociatave për në Bashkimin Europian, një zëvendësministre, nga të shumtët e Ministrisë së Brendshme, me një siguri absolute thotë se të gjithë “peshqit e mëdhenj” janë prapa hekurave.

Por ata futen nga dera e komisariatit dhe dalin nga dera e gjykatës. Dhe harron të na saktësojë se sa nga 40 bandat e skanuara nga Policia dhe të njoftuara vite më parë nga ish-shefi i saj i janë dërguar drejtësisë për të përfunduar prapa hekurave, apo për të dalë nga porta. Si dhe të na sqaronte se ku ka humbur Task Forca “Forca e Ligjit”. Por mbi të gjitha, në këto ditë bie në sy parandalimi i aktit terrorist në vendin tonë, të njoftuar nga vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ndërkohë, në raport me këtë njoftim policor, do të ishte me vend që për një moment të risillej në kujtesën e opinionit publik shoqërimi në Polici i dy gazetarëve, të cilët në kohën që në vendin tonë sapo kishte rënë tërmeti i fuqishëm, përhapën në mediat online një njoftim që me të drejtë u gjykua se ngjallte panik në popullatën e zonave të goditura nga tërmeti në fjalë. Dihet që përhapja e panikut është penalisht e dënueshme.

Por në të njëjtën logjikë si dy gazetarët, të cilët e tërhoqën urgjentisht njoftimin, duket se është edhe deklarimi i disa ditëve më parë vijon nga faqja 1 nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë lidhur me zbulimin e një rrjeti terrorist në vendin tonë. Nga ato që u thanë në komunikimin mediatik të tij, nuk duket e qartë nëse njerëzit u ndjenë më shumë të sigurt apo më shumë të terrorizuar.

Sepse drejtori na informoi që në vendin tonë sapo ishte zbuluar një rrjet terrorist i drejtuar nga regjimi iranian. Por askush nuk u arrestua. Vetëm një syresh u paskësh shpallur në kërkim. Se terroristët kishin tentuar të kryenin akte të rënda edhe një herë më parë në vitin 2018, por përsëri ishin zbuluar nga forcat tona të sigurisë. Dhe përsëri, edhe atëherë, asnjë i arrestuar e as i dënuar më pas nga organet e drejtësisë. Duhet të ndihemi të sigurt me këto lajme që po na jep Policia jonë? Të lumturohemi se edhe këtë vit celula u zbulua, njëlloj si në vitin 2018 apo të kapemi nga paniku se anëtarët e saj janë ende të lirë?

Të gatshëm në çdo çast të gjejnë mënyra të tjera veprimi për të na goditur? Kur një veprimtari terroriste zbulohet dhe për të nuk ka persona ligjërisht përgjegjës, duket se fjala zbulim e humbet kuptimin. I qetësoi apo i shqetësoi qytetarët ky njoftim i organeve tona kompetente? Sepse bëhet fjalë për terrorizëm, i cili përkthehet në dhunë të verbër të shoqëruar me humbje jetësh, viktima të pafajshme. Krijohet panik, shqetësim social. Të mendojmë se Policia përhap panik apo të marrim në konsideratë faktin se Policia jonë po i ngjan frikshëm Don Kishotit, duke zhvilluar luftë me mullinjtë me erë? Fiton beteja mbi diçka që nuk ekziston? Cilido qoftë motivi i deklarimit publik të Policisë, ai nuk ishte aspak profesional në raport me detyrën e saj.

Ndërkohë, po të shihej teksti i gjatë dhe i komplikuar i komunikimit, të cilin Drejtori pati jo pak vështirësi për ta lexuar, ka pasaktësi të pafalshme. Në rreshtat e parë, ai na informon se “… Një rrjet terrorist… është zbuluar në Shqipëri…”. Pastaj harron ç’ka thënë në fillim dhe vazhdon: “ … Një celulë aktive terroriste…”. Çfarë ishte ajo që u zbulua? Rrjet apo një celulë? Sepse nuk janë e njëjta gjë. Rrjeti ka shumë celula. Dhe këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me lapsuse apo gabime shpejtësie në të shkruar, por me nocione. Që duhet të jenë të sakta, pasi për to referohet sipas kodit penal. Në drejtim të rrezikshmërisë shoqërore, rrjeti terrorist përbën një shkallë me të lartë organizimi sesa një celulë e thjeshtë. Nëse do të përafronim terminologjinë që karakterizon terrorizmin me atë të krimit të organizuar, do të na rezultonte se rrjeti do të barazohej ose përafrohej shumë me një organizatë kriminale dhe celula me një grup kriminal. Pra, çfarë zbuloi Policia jonë? Një organizatë apo një grup?

Pasaktësi të tilla në dalje publike, sidomos për çështje tepër të ndjeshme siç është terrorizmi, tregon më së paku papërgjegjshmëri deri në donkishotizëm. Për më tepër, në njoftimin e bërë nga Policia nuk ishin të pranishëm asnjë nga punonjësit e Prokurorisë, siç është praktika në natyrën e njoftimeve me rëndësi të madhe për mbarë publikun. Në rastin konkret, Policia bëri disa deklarime të rëndësishme, të mprehta për publikun, ndërkohë në asnjë vend të botës, edhe me parametrat më minimalë të demokracisë, nuk është Policia ajo që komunikon, por Prokuroria. Jemi në kushtet kur bëhet fjalë për ngjarje që tronditin opinionin publik.

Duket se objektiv i njoftimit më shumë ishte konfuzioni sesa siguria. Për të rritur më shumë paqartësitë, teksti u shoqërua me një mori të dhënash për celulën e zbuluar. Emra dhe pseudonime të shumta, aktivitet që shtrihet në disa shtete, mënyra veprimi që flasin për bashkëpunim të krimit të organizuar me terrorizmin, skema hierarkie terroristësh, fotografi, lidhje veprimesh në kohë të ndryshme. Të gjitha pa pikën e rëndësisë për publikun. Në mos për ta trullosur. Sepse atij, që të ndihet i sigurt, i intereson pikërisht ajo që nuk bëri Policia. U kapën apo jo terroristët?

U neutralizua rreziku i tyre? Në fakt, detajet e dhëna më shumë rrisin ankthin sesa sqarojnë gjendjen. Hollësitë e publikuara mbi rrjetin apo celulën prezantonin detaje tipike të rasteve kur për të bërë të besueshme një legjendë, jepen me shumicë të dhëna të imta duke u veshur një trajtë misterioze, mundësisht të komplikuar dhe të ndërthurur me vende të largëta. Gjithçka me nënkuptimin se organet tona të sigurisë kombëtare dinë shumë, por publikut i thuhet pak se ashtu e do puna.

Se dora e tyre shtrihet deri në brendësi të kufijve të Iranit. Njëlloj si tabloja sinoptike e veprimtarisë së dikurshme antiparti për Mehmet Shehun. Në këtë komunikim, dhe në të tjerë të ngjashëm me të, sidomos në raste manifestimesh, Policia po vazhdon të këmbëngulë në prodhimin e gogolëve herë brenda vendit e herë jashtë tij. Për të trembur kë? Në shërbim të kujt? Të publikut jo, sigurisht! Kjo do të thotë të shpërdorosh detyrën. Të përhapësh panik më shumë se gazetarët e cituar më sipër.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura