Policia dhe Guardia di Finanza kontrolle nga toka dhe ajri, shkatërrohen 31 sera me 3510 bimë narkotike

May 28, 2023 | 12:28
SHPËRNDAJE

Policia Shqiptare në bashkëpunim me Guardia di Finanza kanë zhvilluar kontrolle nga toka dhe ajri në zonën e Lezhës.

sera me kanabis

Në finalizimin e 6 të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Imazhi” janë shkatërruar 31 sera të vogla, brenda të cilave ishin të kultivuar 3510 bimë narkotikë cannabis sativa.

Në pranga u vu një person dhe u shpall në kërkim një tjetër, si autorë të dyshuar për kultivimin e këtyre bimëve narkotike.

Njoftimi i policisë

Si rezultat i punës intensive në çdo skaj të qarkut, kundër kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin organizuan fazën e gjashtë të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Imazhi”, si rezultat i një hetimi me metoda proaktive, të nisur që në muajin prill, nga Policia e Kurbinit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë.

Gjatë kontrolleve në fshatin Skuraj, Kurbin, në një zonë të pyllëzuar dhe të vështirë malore, u gjetën dhe u shkatërruan 31 sera të vogla, brenda të cilave ishin të kultivuar 3510 bimë narkotikë cannabis sativa.

Si rezultat i hetimit intensiv proaktiv, është bërë i mundur dokumentimi me prova ligjore i  kësaj veprimtarie kriminale, arrestimi i shtetasit D. M., 44 vjeç, si dhe shpallja në kërkim e shtetasit F. M., 34 vjeç, si dy nga autorët e dyshuar të këtyre tentativave për të kultivuar bimë narkotike. Vijon puna për kapjen e 34-vjeçarit.

Gjithashtu, nga hetimi janë identifikuar dhe autorë të tjerë të kësaj veprimtarie kriminale, të cilëve, për shkak të konfidencialitetit të hetimit, nuk mund t’iu bëjmë me dije të dhëna.

Megaoperacioni policor antikanabis “Imazhi”, vijon.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura