Policia “Anti-KÇK” e fushatave dhe e fasadave

Feb 5, 2020 | 10:30
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA delia

Polici virtuale që merret me gazetarë virtualë. Duket se misioni i ka humbur, për aq kohë sa i ka humbur edhe kontakti i drejtpërdrejtë me ata që në njëfarë mënyrë u pasqyrojnë edhe punën, me të mirat dhe të këqijat. Por duket se pikërisht këtu qëndron problemi. Te të këqijat. Prej disa vitesh, mediave u serviren vetëm “sukseset” e Policisë, nismat, aksionet, që më tepër marrin shkas nga një problem i fundit që iu del rrugës, sesa janë të ndërtuara mbi plane e të dhëna konkrete. Gazetarëve u serviren “fushata” javore e mujore që ndërmerr Policia herë pas here, që përfundojnë duke u harruar pas disa muajsh. Polici që na servir fasadën për të fshehur skutat e errëta, që i janë shumuar sa prej paaftësisë, sa prej inkriminimit. Që na shet për sukses kapjen e një hajduti biçikletash, që rastësisht identifikohet nga një kamera sigurie dhe që arrin të fshehë me sukses dhjetëra vjedhje banesash, kasafortash e makinash (në jo pak raste krimesh të rënda na ndodh të dëgjojmë që mjeti i përdorur nga autorët i ishte vjedhur X-it, apo Y-it), në një kohë që kur ndodh, askush nga ne nuk e merr vesh. Në tavolina me oficerë Policie më ka rastisur së fundmi t’i dëgjoj tek flasin (u jam bërë si kolege prej 14 vitesh dhe më besojnë): “Si nuk u gjet asnjë për vjedhjen e 50 mijë eurove te shtëpia e X-it? Më mori në telefon sot ai që bëri kallëzim mbrëmë për vjedhjen e makinës. Tek ajo kasaforta e X kompanie, nuk u gjet asnjë gjurmë”. Unë që i pyes: Kur kanë ndodhur të gjitha këto? Si përgjigje marr vetëm heshtjen, pasi edhe ata e kuptojnë se nuk duhej të kishin folur, e kanë të “ndaluar”. Në fakt, s’duhet të çuditem kaq shumë. Dihet tashmë që një ngjarje pa autor, nuk është për gazetarët, është “informacion i klasifikuar”. Dhe kur ndodh që ndonjë gazetar publikon ndonjë prej këtyre ngjarjeve sekrete, herë vijnë përgënjeshtrime e herë jepen urdhra të prerë: Asnjë komunikim me gazetarët. Në këtë drejtim nuk kanë munguar as dënimet kolektive. Rasti më flagrant ndodhi në fund të vitit të kaluar. Në media u publikua fotografia e nxjerrë nga sistemi Tims e një ish-polici që u vra në atentat dhe 120 policë morën masë disiplinore. Kushdo që kishte hyrë në sistem atë ditë, u ndëshkua me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm. E përse? Sepse u publikua një fotografi, që, në fakt, nuk i prishte punë askujt, por ama konfirmonte bashkëpunimin me gazetarët. Kur në të vërtetë, vetëm një prej tyre mund të kishte ndihmuar ndonjë gazetar dhe prej tij u dogjën të gjithë. Edhe ata që në një urdhër të mëparshëm ishin të detyruar të mësonin sa më shumë të dhëna për personin e vrarë, por të tjerë mbase kishin edhe kuriozitet personal, të shikonin kush ishte ky person, që dikur e kishin pasur koleg. E mes këtyre policëve që u ndëshkuan me masë disiplinore, pati edhe nga ata që as nuk kishin hyrë vetë në sistem. Ndonjë kishte qenë pushim, por kishte bërë “gabim” duke lënë hapur sistemin. E dikush tjetër hyri me emrin e tij me kërkesën e kolegut që e kishte kompjuterin të fikur. Por për qendrën nuk kishte asnjë justifikim, të gjithë duheshin dënuar.

Muaji që shkoi pati disa ngjarje të rënda, vrasje, grabitje me pasojë plagosjen e të zotëve të shtëpisë, brenda në shtëpinë e tyre, pengmarrje që rezultoi fatale dhe ende nuk është gjetur trupi i viktimës, edhe pse Policia është e bindur që është vrarë. Çuditërisht, sa herë ka ngjarje të tilla, Policia gjen diçka për të tërhequr vëmendjen. Së fundmi na dolën në skenë personat më të kërkuar nga drejtësia, që qenkan në fokus të një njësie të re që u krijua me dëshirën e ministrit të Brendshëm. “Njësia K”, që ka për qëllim kapjen e të kërkuarve, tashmë do u marrka vetëm me këta 50 personat më të kërkuar. Policia nisi të na sjellë, nëpërmjet rrjeteve sociale sigurisht, se emaili zyrtar ku dikur na vinin njoftimet e përditshme tashmë nuk ekziston, emrat dhe fotografitë e personave më të kërkuar. Kam 14 vjet, që kur kam nisur të shkruaj lajme të kronikës, që i shoh fotografitë e pjesës më të madhe të këtyre personave. Disa janë shpallur në kërkim që nga para vitit 1997. I thonë gati 23 vjet. Për kaq vite, një fotografi bardhezi e një krimineli të rrezikshëm, siç e cilëson Policia, nuk i hyn në punë më askujt. Të paktën nëse vërtet qëllimi real i Policisë është që qytetarët t’i ndihmojnë nëse arrijnë të identifikojnë ndonjërin prej tyre. Askush nuk i njeh më pas kaq shumë vitesh që kanë kaluar. Të mos themi më tej se mos kapja e tyre prej kaq vitesh, është, në fakt, dështim i Policisë. Por, në fakt, nuk është aspak ky qëllimi i publikimit të emrave e fotove të këtyre personave. Qëllimi është thjesht largimi i vëmendjes nga ngjarjet e rënda.

Fushatë tjetër para kësaj ishte dhe vazhdon të jetë, madje si një prioritet i Ministrisë së Brendshme, siguria rrugore. Thua se më përpara askush nuk e kishte pasur këtë qëllim. Por ndodhi që viti i ri nisi me viktima nga aksidentet dhe ja, u hartua me shpejtësi një plan masash, që del në skenë gjithmonë me këtë qëllim, por qëllimi i vërtetë del rrugës. Gjoba e arrestime pa fund dhe aksidente vazhdojnë sërish të ndodhin. Askush nuk ka kundërshtim që drejtuesit e makinave, por edhe kalimtarët, duhet të disiplinohen. Madje, edhe të gjobitën shumë herë më tepër se çfarë parashikon Kodi Rrugor kur përdorin celularin, kur janë të dehur apo kur nuk respektojnë semaforin e udhëtojnë me shpejtësi. Por askush nuk e mohon dot se edhe këtu ka përzgjedhje. Gjithmonë digjet më i dobëti. Për sa kohë vazhdon të ekzistojë kontakti fizik i policit me një drejtues mjeti, gjithmonë do të ketë lëshime e korrupsion, në rastet më të mira, në rastet më të këqija do të ketë dhunë. Pa folur për raste tragjike, që edhe kanë ndodhur, kur punonjës Policie në postbllok kanë humbur jetën pasi janë goditur nga një makinë që, shpejtësia, errësira, apo shumë faktorë të tjerë e kanë penguar të shohë policët para tij. Nuk po mohojmë që mund të kenë qenë edhe të qëllimshme. Gjoba me postë ka të paktën 2 vjet që përflitet intensivisht dhe sërish nuk ndodh. Në vend që të zgjidhet problemi i adresave, vijohet me fushata gjobash e ndëshkimesh.

Në fund na del nisma “Anti-KÇK”. Nismë që dublon funksionin e Prokurorisë, Gjykatës, por dëshmon edhe se vetë ligji “Antimafia” nuk po zbatohet dot siç duhet prej kaq vitesh. Në të njëjtën ditë kur u emëruan prokurorët e SPAK, Kryeministri Edi Rama prezantoi pa ketën e re ligjore që, sipas tij, synon të godasë më fort krimin e organizuar. Një ligj që duket thuajse identik me ligjin “Antimafia” dhe thuajse ka të njëjtën fushë veprimi me “Forcën e Ligjit”. Por ajo që të bie në sy është fuqizimi i Policisë, që sipas nismës duket se merr kompetencat e Prokurorisë. Nga ana tjetër forcohet edhe roli i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i cili, në rastet e përgjimeve apo kontrolleve, përcakton procedurat standarde të punës. Në një kohë kur pritet ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, e cila parashikohet të jetë një strukturë krejt e pavarur nga Policia e Shtetit dhe që do funksionojë paralelisht me SPAK, O.P.Gj. e Policisë fuqizohen nga kjo paketë ligjore. Ligji që Kryeministri Rama e prezantoi me emrin “Anti-KÇK”, parashikon që Policia mund të sekuestrojë të gjitha pasuritë e personave që dyshohet se i kanë vënë në rrugë të jashtëligjshme. Pasuritë e grupeve kriminale kanë shumë vite që po sekuestrohen, por në shumicën e rasteve ndodh që u kthehen sërish. Aksionet e para të së ashtuquajturës “OFL” nisën me sekuestrimin e pasurisë së Altin Hajrit, për të cilin kemi shkruar aq shumë këto ditët e fundit. Po këtij Altin Hajrit sikur ia sekuestruan para 5 vitesh nja 10 milionë euro pasuri. Madje, edhe ia kthyen prapë. Nuk e dimë në ç’formë, mbase ndonjë nga ata gjyqtarët që Kryeministri i quan “KÇK”, por mbase edhe ngaqë nuk iu provuan dot akuzat. Po kjo Polici ishte në 2015-ën, që në Shijak nuk arriti të ekzekutonte asnjë urdhërarrest, të mbërritur nga Italia. Madje, pati edhe një hetim për dekonspirim që nuk u mor vesh kurrë se si u mbyll. Si shumë ngjarje të tjera edhe kjo u harrua, sepse kështu ndodh përherë. Ngjarja e rëndë e radhës të bën të harrosh atë të mëparshmen. Madje, edhe po nuk ndodh, “e shpikin” vetë një gjë për të larguar vëmendjen. U kujtuam për Altin Hajrin vetëm disa ditë më parë, pas pengmarrjes që u zbardh dhe s’u zbardh, për aq kohë sa “pengu”, i cili supozohet të jetë vrarë, nuk gjendet. Dakord, Altin Hajri tani është shpallur në kërkim, pas ngjarjes së 17 janarit dhe është i dyshuar për një krim të rëndë, ndonëse ende nuk është ngritur akuza për grup të strukturuar kriminal, pasi çështja nuk po hetohet nga SPAK, i ngritur tashmë. Po të tjerëve pas tij, mbi ç’baza do t’ua sekuestrojnë pasurinë oficerët që “do t’ua nxijnë jetën kriminelëve”, siç e thonë vetë titullarët. Po më pas, ku buron siguria që, edhe pasi t’ua sekuestrojë “Anti-KÇK”-ja, nuk do t’u kthehen. Në fund të fundit, vendimin e jep Gjykata. Ah, po, Gjykata është vetë KÇK. Vetëm Policia nuk është e tillë. Nuk është, sepse aty punët mbyllen me më pak, më shpejt dhe pa e marrë vesh askush. Gazetarëve u është bërë “block” me kohë nga Policia. Edhe po u doli në ndonjë media, i fusin një përgënjeshtrim dhe ja u zgjidh. Në fund të fundit u përgënjeshtrua edhe “Rai 3” në Itali. Këtu në Shqipëri, gjërat zgjidhen më lehtë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura