Policia aksion në shkolla për armët e ftohta

Sep 22, 2016 | 14:19
SHPËRNDAJE

TIRANE – Pas plagosjes së rëndë të gjimnazistit Kristi S., i cili për 24 orë luftoi me vdekjen në Spitalin e Traumës, Policia e Tiranës nisi një aksion pranë shkollave të mesme, për evidentimin e nxënësve që mbanin armë të ftohta me vete.

cajupi-1

Shërbimet e të gjitha komisariateve, mbështetur edhe nga Njësia “Shqiponja”, kryen kontrolle pranë gjimnazeve, thuajse në të gjithë kryeqytetin, duke bashkëpunuar edhe me rojet dhe stafin pedagogjik, për të identifikuar personat problematikë.

Burimet thanë se paraditen e djeshme u ndalua një nxënës i vitit të dytë i gjimnazit “Partizani”, të cilit iu gjet në xhep një biçak që përmbush kushtet e armës së ftohtë.

Të njëjtat burime thanë se biçaku ishte pjesë e bashkëngjitur e një pajisjeje për hapjen e tapave të shisheve të verës, të cilën ai u justifikua se e kishte harruar në xhep që një natë më parë në shtëpi.

Megjithatë, kjo nuk e ndihmoi që t’i shpëtonte shoqërimit dhe procedurave ligjore që pasuan ndalimin e tij në Komisariatin nr.4. Një arsye tjetër pse nxënësi u mbajt për disa orë në Polici ishte vendndodhja e tij, pasi ai u ndalua pranë rrethimit të gjimnazit “Andon Zako Çajupi”, ku ndodhi plagosja e 16-vjeçarit mesditën e së martës.

Gjatë deklarimeve që ai ka dhënë në Polici, ka shpjeguar se ndodhej aty për të takuar një shok, që ishte nxënës i atij gjimnazi dhe se nuk e dinte që kishte ende në xhep hapësen e verës. Burimet thanë se ndaj 16-vjeçarit ka nisur procedim penal në gjendje të lirë, ndërsa i është sekuestruar objekti që mbante në xhep.

Mësohet se nga verifikimet në gjimnazet e tjera të Tiranës, nuk janë konstatuar probleme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura