Polici përplaset me furgonin që ndiqte

Feb 16, 2014 | 17:52
SHPËRNDAJE

TIRANE – Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur dje në Tiranë gjatë ndjekjes që Policia Rrugore ka bërë ndaj një furgoni që transportonte pasagjerë në mënyrë të paligjshme. Një nga efektivët e Rrugores, që patrullonte me motor, është përplasur me një furgon me targa të bardha, AA 9781 J. Polici ishte vënë në ndjekje të furgonit, pasi kishte informacion se mjeti nuk dispononte dokumentet e nevojshme për qarkullim. Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 17:10 në rrugën “Josif Pashko” në Tiranë. Për ndalimin e furgonit është dashur të angazhohen edhe shërbime të tjera të policisë, pasi oficeri që kishte pikasur mjetin u përplas me furgonin gjatë ndjekjes. Ai mësohet se ka bërë thirrje që furgoni të ndalonte, por drejtuesi nuk ka zbatuar urdhrin e dhënë nga punonjësi i rendit. Polici që ishte në ndjekje të furgonit ka raportuar ngjarjen në sallën operative dhe policia ka marrë masat për ndalimin e mjetit. Furgoni u ndalua në një kryqëzim në rrugën “Josif Pashko”, ku është bërë bllokimi i mjetit dhe ndalimi i drejtuesit për shkelje të rregullave të qarkullimit dhe mosbindje ndaj punonjësit të rëndit publik. Aksioni kundër mjeteve që qarkullojnë me targa të bardha ka nisur prej disa ditësh, jo vetëm për të luftuar konkurrencën e pandershme, por dhe për të shmangur ngjarjet e rënda që ndodhin në rrugë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura