Polemika për shtyrjen e Inter-Sasuolo/ Tifozët juventinë në protestë, ish-presidenti i federatës: Po falsifikohet gara

Mar 19, 2021 | 9:25
SHPËRNDAJE

Lajmi se ndeshja mes Interit dhe Sasuolos është shtyrë nga Liga Italiane, si rrjedhojë e katër lojtarëve pozitivë tek Interi (Handanoviç, D’Ambrozio, Vesino e De Vraj) ka dërguar në protestën masive të tifozëve të Juventusit, të cilët kanë bombarduar rrjetet sociale, edhe pse nga ana e klubit torinez, nuk ka pasur asnjë reagim.

Inter-Juventus

“Po talleni?! Atëherë le ta riluajmë edhe Inter-Juventus! Kjo është vjedhje, falsifikim i kampionatit”, ishte kryefjala e mijëra komenteve, duke kujtuar se në 17 janar 2021, bardhezinjtë u paraqitën në “San Siro”, pavarësisht tre lojtarëve pozitiv me Koronavirus, Aleks Sandro, Huan Kuadrado dhe Matajs De Ligt.

FLET TAVEKIO – Ndërkohë, për të kuptuar diçka më shumë mbi këto pabarazi vendimesh nga ana e Ligës, por edhe Agjencive Sanitare Lokale (ASL), uebsajti “tuttomercato” ka intervistuar ish-presidentin e Federatës Italiane të Futbollit, Karlo Tavekion: “Shtyrja e Inter-Sasuolo? Ky i yni është shteti i republikave të vogla brenda shtetit… Këtu nuk kuptohet kush komandon! ASL-të vendos sipas qejfit të tyre, ndonëse e njëjta ASL merr dy vendime të ndryshme për të njëjtën kauzë.

Tavekio

Nëse nuk gjendet një barazi në vendime bëhet e vështirë mbarëvajtja e kampionatit. Falsohet gara. Ky vend, edhe pse ka një protokoll nuk njeh dhe nuk zbaton sistemin. Mjafton të mendosh se ish-ministri i sporteve, Vinçenco Spadafora, doli hapur dhe pranoi me zë e me figurë se nuk e njihte botën e sportit dhe ku e çfarë duhet të bënte për një uniformitet të masave, në këtë periudhë të vështirë.

Prandaj unë shpresoj dhe kam besim se ministrja e re, Valentina Vecali do të bëjë mirë dhe ndoshta do ndërhyjë që t’i japë zgjidhje edhe kësaj që po ndodh me kampionatin italian”, deklaroi Tavekio.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura