Polemika për Shën Sofinë në Stamboll, Janullatos e quan “mëkat nacionalist”, Fatos Klosi: Reagoi si klerik grek

Jul 13, 2020 | 14:41
SHPËRNDAJE

pjimage (4)

ARISTIR LUMEZI/ Ish-kreu i SHISH-it, Fatos Klosi, e cilëson reagim personal si klerik grek dhe jo si drejtues të Kishës Ortodokse, qëndrimin e Anastas Janullatos për Shën Sofinë e Stambollit.

I pyetur se si e komenton deklaratën e kryepeshkopit në lidhje me shndërrimin e Shën Sofisë në xhami, Klosi shprehet se ka disa arsye që e kanë detyruar. “Besoj se, meqenëse grekët e kanë Patriarkanën e Kishës Ortodokse në Stamboll, u takon ortodoksëve që të reagojnë fort për ta mbrojtur atë. Unë do të thosha se është një reagim personal si klerik grek, sesa si përfaqësues i Kishës Autoqefale Shqiptare ndaj shndërrimit të Shën Sofisë në xhami. Kam përshtypjen se kryepeshkopi e ka ndier të nevojshme si grek që të ndërhyjë në këtë debat mes Greqisë dhe Turqisë”, u shpreh Klosi.

Ai e përjashton mundësinë e implikimit të Kishës Autoqefale Shqiptare në këtë debat, që është më shumë i fokusuar mes kishës greke dhe Turqisë.

“Nuk besoj se ky reagim mund të implikojë dhe Kishën Shqiptare Ortodokse dhe pse unë si qytetar shqiptar, me thënë të drejtën, nuk jam dakord me atë që po ndodh në Turqi me Shën Sofinë. Meqenëse Shën Sofia është një nga muzeumet më të mëdha të botës dhe nga më të vizituarit dhe kjo i hiqet fondit të trashëgimisë botërore si një objekt shumë i rëndësishëm, ndiej keqardhje për këtë zhvillim në sens të kundërt me logjikën normale të zhvillimit”, u shpreh Klosi.

Për ish-kreun e SHISH-it, i cili është një debatues i kujdesshëm i çështjeve që lidhen me respektimin e simboleve, Erdogan me kërkesën për kthimin e Shën Sofisë në xhami vijon filozofinë e tij për rikthimin e Perandorisë Otomane.

“Stambolli ka mijëra xhami dhe nuk ka nevojë për Shën Sofinë si xhami nga ana funksionale. E para, këtë objekt nuk e kanë ndërtuar turqit. E dyta, Qemal Ataturku, që ishte një burrë shumë i mençur shteti, jo më kot e ka shpallur muze dhe vjen Erdogani, i cili e ka pjesë të axhendës së vet politike të luftojë me ortodoksinë dhe simbolet e saj dhe të nxisë shpirtin fanatik të besimit, duke predikuar edhe rikthimin e Perandorisë së dikurshme Otomane”, u shpreh Klosi.

Janullatos: Vendim dhe veprime tragjikejanullatos2-770x439

Kryepeshkopi Janullatos e cilëson veprim tragjik shndërrimin e muzeut Shën Sofia të Stambollit në xhami. Vendimi është marrë nga një gjykatë turke, ndërsa objekti është pjesë e trashëgimisë botërore kulturore. Sipas tij, ky veprim minon shpresën më të madhe të epokës sonë, që është bashkekzistenca e feve dhe qytetërimeve.

“Ky veprim bën pjesë në ato vendime dhe veprime tragjike, të cilat minojnë shpresën më të madhe të epokës sonë, që është bashkekzistenca e feve dhe qytetërimeve. Ky vendim na rikthen në aspekte të errëta historike. Një vend si Turqia, që dëshiron të jetë pararojë, zgjedh të bëjë rolin e prapashtesës së një kulture të vonuar”, shkruan kryepeshkopi Janullatos. Sipas tij, është mëkat që çështjet e besimit fetar t’u shërbejnë qëllimeve nacionaliste, duke treguar se qëllimi i fesë është paqëtimi i shpirtrave njerëzorë.

“Është mëkat dhe gabim që vaji i fesë të përdoret për të ndezur dhe për t’u shërbyer qëllimeve nacionaliste. Qëllimi fisnik i fesë është të qetësojë plagët dhe të paqësojë shpirtrat e njerëzve”, përfundon kryepeshkopi Janullatos reagimin e tij. E shndërruar “përjetësisht” në një xhami nga Sulltan Mehmeti II në 1453, kur turqit pushtuan për herë të parë Stambollin, ajo u bë muze në 1934, me urdhër të Mustafa Kemal Atatürk, themeluesit të Republikës Turke. Të premten, Këshilli Turk i Shtetit e rrëzoi këtë vendim, duke arsyetuar se ai binte ndesh me vendimet e marra nga qeveria që ishte në fuqi 567 vjet më parë dhe për këtë arsye, nuk përputhej me parimet e shtetit të së drejtës. Pritet që shumë shpejt, deri më 24 korrik, Shën Sofia të funksionojë si xhami, ku pritet të kryhen dhe faljet e para, por pa i ndryshuar emrin e Shën Sofisë.

Si u kthye në muze nga Ataturku kisha bizantine e Shën Sofisë

Qemal Ataturku
Qemal Ataturku

E ndërtuar nga bizantinët si një kishë, Shën Sofia u kthye në një xhami pas pushtimit otoman të Kostandinopojës. Më vonë, pas shpalljes së Republikës Turke, u kthye në një muze nga Ataturku si simbol laicitetit. Statusi i saj ka qenë gjithmonë i debatueshëm gjatë periudhës republikane dhe ka pasur iniciativa të ndryshme nga politikanët për t’ia ndryshuar pozitën. Shën Sofia, një nga simbolet e Stambollit, u ndërtua prej druri në vitin 360 nga perandori romak Konstantin, por ajo u dogj e shkrumbua pjesërisht gjatë një revolte në vitin 404. Perandori Teodos e restauroi më vonë ndërtesën në 415-ën. Kur binaja u shkrumbua përsëri gjatë trazirave të Nika-së më 532, perandori Justiniani I e pati rindërtuar atë me gurë. Shën Sofia u rihap përsëri për adhurim në 537-ën, pas pesë viteve ndërtim, duke e bërë ndërtesën e tanishme mishërimin e tretë të Shën Sofisë. “Shën Sofi” do të thotë “Urtësi e Shenjtë”, që është një prej karakteristikave të Jezu Krishtit.

Ka zëra se Justiniani I u tregoi njerëzve për një shenjt që i doli në ëndërr dhe i tregoi tablonë e Shën Sofisë mbi një pjatë të argjendtë. Kur arkitekti tregoi po ashtu se shihte të njëjtën ëndërr, ndërtimi i binasë nisi menjëherë pas kësaj shenje spirituale. Por emri Shën Sofi nuk iu dha vetëm ndërtesës madhështore në Stamboll. Ka një sërë vendesh adhurimi me atë emër në shumë qytete të sunduara nga Perandoria Bizantine, por asnjëra prej tyre nuk është aq e lavdishme apo e famshme sa ajo në Stamboll.

Të gjitha ceremonitë dhe tubimet fetare gjatë kohës së Perandorisë Bizantine u mbajtën te Shën Sofia. Kubeja e saj është shembur disa herë përgjatë historisë dhe më vonë u rindërtua me material më të lehtë. Në botëkuptimin e qytetërimit turk ekziston tradita e ndërtimit të një xhamie madhështore, që mbart simbolikën e atij vendi. Në Stamboll nuk u ndërtua një xhami madhështore. Në këtë drejtim iu tregua respekt Shën Sofisë, e cila ka mbetur prej shumë vjetësh si faltorja më e madhe dhe më ndikuese e Stambollit.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura