Polemika me Moikom Zeqon për Skënderbeun, Nano: Serbët nuk na kanë faj, shqiptarët me osmanët

Jul 25, 2017 | 15:18
SHPËRNDAJE

Nëna e Skënderbeut është sllave (serbe) apo shqiptare? Debati për origjinën e heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, ka degjeneruar në sharje në distancë mes pjesëmarrësve në të. Ishte publicisti Mustafa Nano që do të hapte një debat, që hapet herë pas here.

nano-zeqo

Pas publikimit të librit të tij “Sandwich: A është mirë me qenë shqiptar?”, Nano do të zhvillonte një takim me një grup të rinjsh, pjesëmarrës në shkollën verore të UET, ku ndër të tjera, për të shpjeguar kompleksitetin e raporteve të shqiptarëve me fqinjët veriorë, serbë, dhe ata jugorë, grekë, do të shprehej se nëna e Skënderbeut është sllave. Kaq mjaftoi për të rindezur debatin, i cili është i “gatshëm” sa herë që bëhet fjalë për Skënderbeun.

Do të reagonin studiuesi Moikom Zeqo, i cili do të shprehej se deklarata të tilla “dalim tashmë te njëfarë zhurme, diletante, mediatike, si një shtjellim narcizist, i tezave të personave, që duan të tërheqin vëmendjen dhe të jenë në epiqendër, pra në optikën e ditës”. Avokat Spartak Ngjela do të shkonte edhe më tej, sipas tij njerëz që bëjnë deklarata kundër figurës së Gjergj Kastriotit janë të paguar nga islamizmi radikal. “Këta injorantë janë të paguar nga islamizmi radikal dhe nga Beogradi.

Gjithmonë ka pasur një lidhje të ngushtë të nëndheshme midis islamit radikal dhe Beogradit kundër Shqipërisë, që të mos e lejojnë triumfin e europizmit në Shqipëri”, do të shprehej Ngjela. Këtyre reagimeve u është bashkuar edhe arkitekti Artan Shkreli, i cili do të argumentonte se përse nuk qëndron teza që nëna e Skënderbeut është sllave. Ai e quan këtë një tezë “pansllaviste” të historianëve në periudhën kur popujt sllavë kërkonin të shkëputeshin nga Perandoria Osmane. Pas gjithë këtyre reagimeve dhe shumë të tjerave që mbushën rrjetet sociale, reagon Mustafa Nano, i cili nuk ngurroi t’i quante të gjithë idiotë.

E quajti “idiot” Spartak Ngjelën, Moikom Zeqon “të sëmurë psikik”, ndërsa Artan Shkrelin “racist”. Aq i indinjuar ishte Nano nga gjithë ky acarim dhe alarmim ndaj asaj që ai tha, saqë në emisionin “Oktapod” të Turian Hyskajt në Vizion Plus, do të shprehej se shoqëria shqiptare “prodhon idiotë në seri”.

Në të njëjtin program Nano do të fliste për librin e tij “Sandwich” dhe raportin mes shqiptarëve dhe fqinjëve. Sipas tij, nuk qëndron fakti që shqiptarët janë “të mirë” dhe kanë pasur fqinjë “të këqij”. Sipas Nanos, rezulton që para 150 vjetësh ishin shqiptarët ata, që nën emrin e Perandorisë Osmane, luftonin fqinjët. Për më tepër, po zbardhim një pjesë të bisedës së Mustafa Nanos në “Oktapod”.

MUSTAFA NANO

KUR DHE NE U BINIM “MË QAFË” FQINJËVE

Më shqetëson një përfundim në të cilin ka dalë historiografia shqiptare, por edhe historianë të huaj, që marrëdhëniet mes shqiptarëve e serbëve dhe shqiptarëve e grekëve kanë qenë përjetësisht të vështira, përjetësisht të acaruara dhe armiqësore. Sidomos kjo thuhet për marrëdhëniet me sllavët.

Shqiptarët dhe sllavët janë si macja me miun. Kam përshtypjen që kjo nuk është e vërtetë. Marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe fqinjëve të jugut e të veriut kanë qenë shumë të vështira në 150 vitet e fundit, qysh se në Ballkan lindën idetë nacionaliste. U shtrua si detyrë që popujt e Ballkanit të krijonin shtetet e tyre.

Dhe këtu filluan problemet e mëdha. Në të këtë hark kohor prej 150 vjetësh, shqiptarët kanë vuajtur një lloj nacionalizmi agresiv të grekëve dhe sllavëve e në një masë të caktuar e vuajnë edhe sot. Po më përpara ka qenë ndryshe. Kanë qenë ata që kanë vuajtur më shumë nga ne, sepse ne, në funksion të Perandorisë Osmane, u shërbenim osmanëve më shumë se të tjerët.

Repartet e mëdha ushtarake, sidomos ato që kanë qenë të dislokuara në Ballkan, kanë pasur në masë shqiptarë dhe sa herë që osmanëve u duhej të ballafaqoheshin me kryengritje të popujve të Ballkanit, ishin shqiptarët ata që luftonin. Gjatë kryengritjes serbe, në fund të së cilës Serbia fitoi autonominë, nuk luftuan serbët me osmanët, por serbët me shqiptarët.

E parë në retrospektivë, serbët nuk na kanë ndonjë faj, ata donin të çliroheshin nga Perandoria Osmane, ndërsa shqiptarët u shërbenin osmanëve në atë periudhë. Ky vizion i thjeshtëzuar që ne jemi të mirë, por kemi fqinjët e këqij, vlen për 150 vitet e fundit, më përpara ka qenë situata e përmbysur. Kjo ka qenë gjatë periudhës së Perandorisë Osmane. Sa u përket marrëdhënieve të vështira me fqinjët e veriut dhe të jugut, për periudhën paraosmane, nga leximet e mia nuk më rezulton të jetë e vërtetë.

DEBATI PËR NËNËN E SKËNDERBEUT

Në shek. XV identiteti etnik ka qenë më i dobët se identiteti fetar. Kjo ka lënduar shumë njerëz dhe këto reagime mua më shokojnë, më skandalizojnë. Janë nja dy persona që më kanë surprizuar me logjikën e tyre. Jam befasuar nga Artan Shkreli, i cili përmend termin “teza sllave”. Këtu zë fill befasia ime.

Një njeri mendjehapur si Artan Shkreli të operojë në vitin 2017 me të tilla terma si “teza sllave” apo “shqiptare”. Unë nuk jam skënderbeolog, nuk jam njohës i madh i Skënderbeut, unë merresha me një detaj të caktuar dhe Shkreli përpiqej ta skualifikonte këtë qëndrim me idenë që kjo është tezë sllave. Ky është një budallallëk, ç’domethënë, që kjo është tezë sllave? Sllav ka qenë edhe Jireçeku, ka qenë edhe Shuflaj, edhe shumë historianë të tjerë të shkëlqyer. Ky është racizëm, një lloj përtacie intelektuale e çuditshme, që më ka shokuar tek Artan Shkreli.

Po kështu edhe Moikom Zeqo, i cili ka bërë një shkrim, në të cilin e përmendte 10 herë fjalën “Mjaft”. Moikom Zeqo nuk është as gardian i Skënderbeut dhe as i nderit të shqiptarëve, është një njeri që ka bërë leximet e veta. Nga ana tjetër, Ngjela, që është një idiot, përmend edhe faktin që ç’janë këta njerëz që po na ndajnë nga Europa. Ky është idiot, sepse marrëdhënien e bukur që ky ka me NATO-n e lidh vetëm me Europën. Europa është shumë e madhe, është një univers kulturor, që dallohet nga shumë gjëra, ndër të cilat edhe fakti që nuk mund të skualifikojë mendimin e tjetrit për diçka që është e shtrenjtë, me këto mënyra.

Një njeri që thotë që ti je i shitur tek islamikët, nuk është kurrë europian. Te Moikomi pashë një tronditje që më shumë dukej si një i sëmurë psikik sesa një intelektual. Një intelektual nuk mund t’ia lejojë vetes një gjë të tillë. Nëse ka ndonjë parakusht për debatin intelektual dhe akademik, është që ti nuk duhet të shokohesh kur tjetri vë në diskutim bindjet apo tezat e tua. Ja, unë po bëj një lloj tërheqjeje. Unë nuk jam 100% i sigurt që mamaja e Skënderbeut është sllave, ama në rastin më të favorshëm për mua, kjo është një gjë e diskutueshme, që është diskutuar e do të diskutohet.

Unë pretendoj që Moikomi të më përgjigjet si shkencëtar, jo si mamaja ime, që më tha: “Po ti ç’pate me Skënderbeun?”. Duhet bërë pak diferenca mes botës akademike dhe njerëzve të thjeshtë. Ky është shoku im nga këta njerëz që edhe i respektoj, sepse Shqipëria është e mbushur me hajvanë.

Duke parë reagime të tilla, them janë kaq shumë idiotë dhe unë nuk i njoh. Filloj dhe mendoj që ne jemi një nga kombet më me fat në botë. Të jesh një makineri e tillë që prodhon kaq shumë idiotë dhe të jesh një shtet i pavarur në 2017-n, madje edhe të jesh zgjeruar se është edhe Kosova, shoqëria jonë është një makineri që prodhon në seri idiotë. Ja çfarë mund t’i thuash një njeriu si Spartak Ngjela. Unë në librin tim kam thënë që Skënderbeu është një hero kombëtar dhe këtë e mendoj, dhe pa Skënderbeun ne nuk do na linin të dilnim si shtet i pavarur në 1912-n, sepse ai përbënte kredencialet tona për Europën. Unë thashë që nëna e Skënderbeut është sllave mbi bazën e disa dokumenteve që kam lexuar.

Ka dokumente që thonë të kundërtën, le të na i thonë. Këtu nuk ka asgjë për t’u alarmuar, për t’u tërbuar. Ky është një diskutim i natyrës akademike. Edhe sikur ta thosha qëllimisht këtë, e çfarë pastaj? Çfarë do të thotë që nëna e Skënderbeut është sllave? Sllave do të thotë apriori “i ligë”, “i ndyrë”? Balshajt, që me gjasë janë me origjinë shqiptare, në rrënjë, kanë bërë vazhdimisht martesa të tilla. Shumë princër kanë bërë martesa të tilla dhe nuk ka përse të shokohesh.

Martesat ndëretnike ishin rutinore në atë periudhë. Jam i etur për një lloj ballafaqimi të natyrës intelektuale. Unë nuk kam fyer njeri. Kam një qëndrim timin, mbështetur mbi ca libra që kam lexuar. Nuk më shqetësojnë reagimet në rrjetet sociale të masës, as kam të drejtë të zemërohem me ta, e kam me këta që janë elita e kombit dhe më shqetëson se si kjo elitë skualifikon mendimin e një tjetri me argumentin që “kjo është tezë sllave”.

Kjo është tepër e prapambetur. Si mundet të hapet faqja e parë e gazetës: “Mjaft me Skënderbeun”. E imagjinoj Moikom Zeqon duke qarë në shtëpi: “Bobo çfarë po na bën ky Mustafa Nano!”. Mua më dhimbset ai njeri. Unë mendoj se Gjergj Kastriot Skënderbeu është hero nacional i shqiptarëve. Nuk ka rëndësi fare origjina e tij. Ai është hero i shqiptarëve që luftoi me shqiptarët dhe për shqiptarët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura