Përgjigje Kujtim Çashkut

Jul 19, 2018 | 21:40
SHPËRNDAJE

 

demalia

NGA ILIR DEMALIA

Kujtim Çashku, në një përgjigje të një statusi që vendosa në “Facebook” dhe u publikua dhe nga disa media online, shkruan 17 herë fjalën shpifje, të lakuar në forma të ndryshme.

Çfarë kam thënë unë që Kujtim Çashku më akuzon për shpifje?

Fjalë për fjalë, kam shkruar të zezë mbi të bardhë: “Nga Kinostudio ‘Shqipëria e Re’, e punonjësve të para 1990-s si skenaristë, regjisorë, operatorë, piktorë, e.t.c, që kanë bërë lutje për t’u bërë anëtarë të Partisë së Punës së Shqipërisë, dhe jo një herë, Kujtim Çashku, 4 herë,…”.

Vetë Çashku e pranon se e ka bërë një kërkesë të tillë pas vdekjes së Enver Hoxhës. Ndoshta e kam gabim shifrën 4 që e përmendnin të gjithë në Kinostudio, ku kemi punuar bashkë asokohe, por kjo është dytësore. Publiku mund të pyesë se pse ia kujtoj një gjë të tillë Çashkut, sepse lutje për parti kanë bërë shumë njerëz, madje janë bërë anëtarë partie e unë nuk merrem me ta. Çashkun e kam përmendur si përfaqësues të një kategorie dhe i ndikuar jo nga e kaluara, por më shumë duke parë qëndrimin e kësaj kategorie sot, që të bën të mendosh se këta vazhdojnë të bëjnë lutje për të qenë pranë partive për përfitime.

Çashku shkruan për mua: “Mos shpif më, se shpifja nuk të çliron ty nga komplekset e trashëguara, helmet apo makthet shpirtërore e mendore të akumuluara ndër vite”.

Gjuha që përdor në këtë rast është gjuhë urrejtjeje, që nuk mund të flitet kurrë nga një njeri që është përfaqësues i të drejtave të njeriut në Shqipëri. Një gjuhë e helmatisur nga urrejtja e prishjes së qetësisë së ballafaqimit me të vërtetën. Një gjuhë e pakontrolluar nga shfrenimi i prishjes, që mund të sjellë ballafaqimi me të vërtetën në lidhje me pazaret e abuzimeve, rropatjeve, manipulimeve dhe mashtrimeve si dje dhe sot.

Unë mund të kem një mijë çmenduri dhe idiotësira në jetë që më kanë dëmtuar mua, por askënd tjetër. Kurrë s’i kam shërbyer së keqes dhe as jam konformuar me të duke marrë poza heroi dhe të persekutuar ashtu siç bën Çashku, duke mashtruar në funksion të rropatjes së pronës publike si dje dhe sot.

Kujtim Çashku më tregon mua dhe ligjet e shtetit amerikan, ku unë jam qytetar i saj e tashmë jetoj prej 26 vjetësh në këtë vend duke mos thyer kurrë një ligj të këtij vendi, por duke punuar dhe rrojtur me mundin dhe djersën time. Më tregon mua se shpifja s’ka kurrfarë fare lidhje me lirinë e shprehjes dhe atje, si kudo, dënohet me Kod Penal. Bujrum, Kujtim Çashku, e pushka t’u bëftë top, në daç këtu e në daç në Tiranë, se e ke betejë të humbur.

“Mos shpif më, se nuk është shpifja ajo që mund të të bëjë ty gazetar, shkrimtar apo qytetar fisnik”. Çashku, kush jeni ju, dhe aq më tepër që pretendoni se jeni përfaqësues i të drejtave të njeriut, t’i ndaloni dikujt të drejtën për t’u bërë gazetar, shkrimtar, politikan apo qytetar fisnik? Kurrë nuk ke dëgjuar nga goja ime që t’i jap vetes tituj e grada si gjithë lukunia e manipuluesve delirantë, mitomanë në pazarin mediatik – kulturor, duke u shitur si intelektualë të kalibrit botëror dhe artistë apo shkrimtarë me famë botërore. “Sa qesharak, – do të shkruante Konica,- bota qeshet e tallet me ne e disa na përbuzin e ne mendojmë…”. Edhe një dekoratë që kisha nga Presidenti, “Medaljen e artë të shqiponjës”, e ktheva mbrapsht. Mos më ngatërro mua me veten apo me lukuninë e delirantëve që shfaqen çdo ditë në pazarin e katundit mediatik apo kulturor-politik ku përfshihesh dhe ti si intelektualë të kalibrit botëror dhe artistë e shkrimtarë me famë botërore që keni çuditur botën! Por ta dish t’i dhe kushdo: askush në këtë botë nuk mund të më ndalojë mua, lirinë time, për t’u bërë ç’të dua unë. Për t’u shprehur dhe shkruar të vërtetën ty dhe gjithë taborit tuaj, që mendoni se duhet aprovimi juaj, ashtu si dje që ju emëronte ju partia, për të qenë shkrimtar, gazetar, politikan apo…. Sa për qytetar fisnik, atë titull e kam se nuk jam baltosur në llucën e pushteteve të radhës.

Kujtim Çashku, nuk po hyj në tjerrjen e gjatë biografike që ke bërë edhe si i persekutuar, edhe si njeri që ndihesh krenar me luftën nazi-fashiste të prindërve, ku si gjithmonë rrinë me dy lugë në brez. Por, si ka mundësi të jesh edhe krenar për vrasësit e luftës civile, edhe për të vrarët nga vrasësit kriminelë të Çlirimtares, të cilët vranë e pastaj burgosën e rrënuan ajkën e kombit apo i detyruan të syrgjynosen? Këtë po ta thotë një njeri, që familja e tij ka qenë e lidhur me LANÇ. Më e pakta që them unë, është se u gjendën në kohë të gabuar, në vend të gabuar, dhe të gënjyer, por jo të jem krenar për një luftë vëllavrasëse dhe që pasoi me një masakër 45-vjeçare, duke përfunduar në plumb apo burg edhe ata që kishin kontribuar në këtë luftë. Ose, së paku, hesht.

Së dyti, me gjithë respektin që kam për familjen Stermasi, si tiranas, vuajtjet e tyre nuk mund t’i marrësh ti sot si kredit të persekutuari. Kur Shik Stermasi ishte në burg, ti studioje në Rumani, e kjo do të thotë jashtë shtetit. A mendon se mund të konsiderohej i persekutuar një njeri që e dërgonin për studime jashtë shtetit në kulmin e terrorit fill pas Festivalit të 11-të dhe spastrimeve në kulturë në fillimvitet 1970, e aq më tepër një njeri kundër regjimit?! Kujtim Çashku, të gjithë ju që shkonit jashtë shtetit me studime, por edhe ato që shkonin me shërbime, kur ktheheshit e kishit për detyrë të bënit një raport me shkrim që i dorëzohej Partisë e Sigurimit. Interesant do ishte të hapeshin edhe këto dosje. Të dërgonin për studime për artin, në Rumani fill pas Plenumit 11, ku, më pas, në çdo qendër kulture shkruhej me germa të mëdha, ashtu si edhe në hyrjen e hall-it kryesor të Kinostudios, “Shkrimtarët dhe artistët janë ndihmës te partisë”. Enver Hoxha.

Realizove nga viti 1976 deri në 1990 realizmin socialist si propagandë dhe shpëlarje truri nëpërmjet kësaj propagande me filmat “Pranverë në zemrat tona”, “Ata ishin katër”, “Pas vdekjes”, “Shokët”, (himn për metalurgjikun e Elbasanit që helmoi gjithë Shqipërinë e mesme) “Dora e ngrohtë”, (dora e ngrohtë e Sigurimit të Shtetit me skenar të njeriut të sigurimit Neshat Tozaj, mikut tënd), “Të paftuarit”, sipas romanit të Kadaresë, “Vrasje në gjueti”, “Balada e Kurbinit” dhe “triumfin” tënd sipas romanit “Dimri i Madh” të Ismail Kadaresë, “Ballë për ballë”. T’i kam parë të gjithë filmat dhe ne dy prej tyre kam marrë pjesë në grupin e xhirimit. Në filmin “Balada e Kurbinit”, kur xhironim në Malësitë e Shkodrës, pjesën ku Timo Floko kthehet me këmbë të prera, të kam dhënë idenë për muzikën që është vënë në film, pjesë nga balada e Pink Floyd, “Wish you where here”. Dhe e vure. Dhe idenë për të krijuar portën e hyrjes me dy trungje pemësh.

Le të ndalemi ke “Ballë për ballë”, meqë e përmend si “trofe” dhe në përgjigjen që më jep mua. Dhe kështu do të rrimë tani ballë për ballë.

Shkruan: “Unë kam bërë filmin “Ballë për ballë” që të fiksoja në imazhe, ty dhe kujtdo tjetër, ndarjen nga bota bolshevike, duke përligjur në imazhe ndarjen historike për çdo lloj nostalgjiku të asaj apo kësaj kohe”. I nderuari regjisor Kujtim Çashku, nostalgjitë e kohës apo bolshevizmit gjeji ku të duash, se unë kam zgjedhur tokën amerikane si formim shpirtëror, emocional, kulturor jo sot, por shumë herët. Në dosjen time 2-A janë faqe e raportime ku thuhet se Ilir Demalia shpreh hapur simpatinë për jetën amerikane, muzikën, sportin etc. Meqë jemi këtu Kujtim Çashku dhe thua dhe në përgjigjen që më drejton mua, se ke qenë i ndjekur nga Sigurimi për t’u arrestuar që në 1980-n, pse nuk shkon dhe merr dosjen 2-A dhe mbyll këtë punë, pasi ata që ndiqeshin për agjitacion e propagandë apo veprimtari armiqësore, i hapej dosje 2-B përpunimi dhe pastaj 2-A për arrestim. Mjaft më me manipulime për të simuluar në funksion të së pavërtetës si e vërtetë e gënjeshtrës. Nga 1980 deri në 1990, e di sa herë ke shkuar jashtë shtetit Kujtim? Nuk çonte Sigurimi jashtë shtetit ata që ndiqte për t’i arrestuar, ata as i afroheshin dot kufirit se hanin bataren e plumbave dhe kafshimin e “qenit të kufirit”. “Ballë për ballë”, sipas romanit “Dimri i madh” nuk është një libër-film që jep ndarjen nga bota bolshevike dhe shkuarjen e saj drejt perëndimit. Libër-filmi është monument letrar dhe skenik për diktatorin dhe diktaturën. Diktatori nuk u shkëput nga revizionizmi i Hrushovit në 1960-n për të shkuar drejt perëndimit, por në të kundërt, ai u shkëput nga kampi socialist për të vazhduar rrugën staliniste si stalinisti i vetëm dhe i fundit në Europë në shtetin më diktatorial dhe më të varfër dhe më të izoluar.

Pra, nga viti ’61 deri në vitin 1973-’77 kur është shkruar libër-filmi, diktatori kishte nënshtruar Shqipërinë duke shkatërruar kultet e besimit, duke kryer “Revolucionin Kulturor Kinez” më ashpër se vetë kinezët, duke burgosur dhe terrorizuar një popull të tërë. Duke u bërë simbol i stalinizmit dhe duke krijuar vendin më bolshevik në zemër të Europës. Ju këtë doni ta quani sot largim nga bolshevizmi?! E besoni sinqerisht apo ju duhet për konsum manipulimi, gjë për të cilën jeni mjeshtër?!

Me rrënimin e karakatinës diktaturë komuniste, ju dhe tabori e “disidentëve” të shërbimit të propagandës, morët flamujt e lirisë dhe të drejtave të njeriut së bashku me Arben Puton, falsifikatorin tjetër të historisë që deri ditën që vdiq, elitën e kombit të vrarë e pushkatuar nga diktatori e quajti kolaboracionistë. Ky ishte bashkëpunëtori juaj për të drejtat e njeriut si emërim partiak i PPSH-së së gjakrave të shpërthyer nga PPSH të shpërndarë në pluralizëm.

Me pas fillove t’i ngjitesh Sali Berishës duke i mësuar dhe body talk, duke realizuar tashmë fillimin e realizmit demo(n)kratik me “Kolonel Bunkerin”. Pasi Berisha u rrënua në 1997-n dhe dukej që s’do të vinte më në pushtet, iu afrove Fatos Nanos, duke realizuar të dytin realizëm demo(n)socialist me “Syrin Magjik”.

Tani rri si indiferent, por re dakord për prishjen e Teatrit Kombëtar.

Ky është morali i një artisti, intelektuali, një njeriu që përfaqëson të drejtat e njeriut kur i dhunon ato? Ky është modeli që duhet të mësojnë të rinjtë dhe qytetarët? Kjo është përballja për ndërtimin e shtetit të së drejtës, vlerave morale, qytetare?

Kurrë nuk keni pranuar se keni pasur vepra që i shërbyet regjimit dhe të kërkoni falje për të gjithë atë helm propagandistik dhe art banal që keni bërë. Shikoji Kujtim ato filma, ti dhe gjithë kineastët, janë tmerr ideologjik, banalitet artistik.

Ja pse nuk ka shpresë në atë vend, se nuk keni përmbysur të keqen brenda vetes dhe jo vetëm kaq, por doni të na e shisni dhe si vlerë.

Tani vazhdo luftën tënde ligjore për prishje të reputacionit se të paraqitem unë ku të duash. Por po të garantoj se nga akuzues do të kthesh në i akuzuar. Unë jam me moralin hebraik, sy për sy e dhëmbë për dhëmbë.

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura