Pol Pogba zbarkon në Torino, mesazhe Juventusit përpara duelit me Belgjikën

Oct 7, 2021 | 10:17
SHPËRNDAJE

Pol Pogba rikthehet në “Allianz Stadium”. Edhe pse kjo është dëshira e madhe e tifozëve bardhezi, francezi do ta bëjë këtë mbrëmjen e sotme, në gjysmëfinalen tjetër të Ligës së Kombeve, e cila do ta shohë Francën të sfidojë Belgjikën, ndonëse shumë nga juventinët që do të zgjedhin të ndjekin këtë sfidë, pa dyshim që do të kenë sy vetëm për mesfushorin e “Gjelave”.

pjanic pogba

Madje, vetë Pogba e shprehu me shumë nostalgji rikthimin e tij në Torino, aq sa me të zbritur nga avioni, ylli transalpin postoi një video ku dëgjohet: “E bukura Torino, të dua!”. Dhe kaq mjafton që tifozët e Juventusit të nisin të ëndërrojnë dhe ndoshta tani më shumë se kurrë kanë të drejtë ta bëjnë këtë.

E para lidhet me faktin se Pogba vazhdon që të shtyjë rinovimin me Mançester Junajtidin dhe verën që vjen do të mund të largohet nga aty me parametër zero, diçka që lehtëson ribashkimin pas 6 vitesh. Në të njëjtën kohë, menaxheri Mino Raiola, në një intervistë të dy javëve më parë nuk nguroi që ta shohë Juven si një mundësi reale në të ardhmen: “Pogba nuk e ka harruar kurrë Juven, pasi ka nostalgji për skuadrën, tifozërinë dhe për qytetin. Një rikthim i tij nuk është i pamundur, përkundrazi. Vetëm duhet parë nëse edhe Juventusi e do rikthimin e Pogbasë sa ç’mund ta dojë edhe Pol diçka të tillë”.

Dhe ndoshta, herën tjetër që Pol Pogba do të zbarkojë në Torino dhe do të shkelë “Allianz Stadiumin” nuk do të jetë vetëm për pak orë, si në rastin e ndeshjes së mbrëmjes së sotme, por për të riveshur bluzën e “Zonjës së Vjetër”, të cilën e mbajti në trup mes viteve 2012-2016.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura