Pohim i fortë i forcimit të shqiptarëve

May 28, 2015 | 13:02
SHPËRNDAJE

Mentor Nazarko

MENTOR NAZARKO

                     Përtej mungesës së pro vokimeve, të konsideruara si të tilla nga ana e mysafirit, vizita historike e Kryeministrit serb Vuçiç në Tiranë u shënua në dritën e një forcimi të rolit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në rajon. Madje dhe mungesa e provokimeve ishte dëshmi .force. I forti nuk provokon, por toleron. Ky forcim i rolit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në rajon u vu re në disa elementë që i paraprinë kësaj vizite, apo ishin pjesë e saj.

Së pari, u pranua nga vetë mysafiri më i rëndësishëm i samitit të Forumit Ekonomik të Vjenës, Kryeministri Vuçiç, në një intervistë të mëparshme të tij për shtypin serb. Ai në pak fjalë tha se kombi shqiptar është një komb në zgjerim dhe me të është e nevojshme të mbahen marrëdhënie të mira.

Vuçiç nuk e shpjegoi se ç’donte të thoshte me këtë fjali, por ama është krejt e qartë se ajo lidhet pikërisht me atë se Shqipëria e sotme është anëtare e NATO-s, kur Serbia nuk është. Kosova është shtet i pavarur dhe pavarësisht eufemizmave, negocion me Serbinë si e barabartë në Bruksel. Si për ta ilustruar këtë retorikë, lideri shqiptar Rama në Beograd me vrazhdësi i kërkon Serbisë atë që s’ia kërkon as Amerika, siç ka thënë vetë Vuçiç, njohjen e Kosovës.

Ky pranim jo vetëm verbal i këtij «zgjerimi», një shprehje e butë për të mos thënë «forcim», u duk dhe nga fakti që Vuçiç deshi që pjesëmarrjen në një samit rajonal të organizuar në Shqipëri ta shndërronte edhe në vizitë zyrtare dypalëshe. Edhe fakti që kjo vizitë e një kreu të institucioneve serbe zhvillohet pas 103 vjetësh, ja rrit vlerën këtij pranimi të forcimit të shqiptarëve.

Pra, Serbia detyrohet të zhvillojë vizitë të këtij niveli, pikërisht tani, në këtë moment të forcimit të Shqipërisë, diçka që nuk e ka bërë më parë kur Shqipëria ishte më e dobët. Janë planifikuar vizita të ndryshme të krerëve të shtetit serb, apo atij shqiptar në dy vendet respektove, të cilat janë shtyrë vazhdimisht në peshën e ngjarjeve që mund të ndikonin në ndjeshmëritë e opinioneve publike të dy vendeve.

Sot kjo vizitë siç duket s’mund të shtyhej më shumë. Së dyti, edhe zgjedhja e Shqipërisë si vendi ku do të zhvillohet samiti i Forumit Ekonomik të Vjenës si vazhdim i procesit të Berlinit e tregon forcën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në një rrafsh rajonal. Ky samit në një farë mënyre u përgatit në Kosovë, ku u takuan ministrat e Jashtëm dhe ata të Transporteve, ndërsa u ngjiz në Gjermani.

Me gjasë procesi do të ketë vijim në formë rotative, duke pasur dhe takime në vende të BE-së, si Austria, por të qenit vend i parë ku po zhvillohet ka rëndësinë e vet, jo thjesht simbolike. Kjo stafetë shqiptare e një procesi të nisur nga BE, më konkretisht nga Gjermania, është alternativa e një procesi tjetër që nisi nga Beogradi, por me frymëzim dhe projektim kinez, pra nga Lindja. Në këtë forcim rajonal të Shqipërisë dhe shqiptarëve ka pasur me siguri një përmasë jo thjesht retorike siç kanë dashur ta quajnë kritikët e qeverisjes së sotme brenda dhe jashtë saj.

Shqipëria është duke treguar se po e mbron interesin e vet kombëtar me forcë të madhe. Përkundrejt Serbisë, ajo po e bën duke kërkuar diçka që në shumë kuptime është e ekzagjeruar, por që duke u përsëritur po duket normale: barazinë e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës me ato të serbëve në Kosovë. Po kërkon cinikisht njohjen e Kosovës nga Serbia si « hap që do çlironte serbët».

Po e bën duke hedhur hapa konkrete të krijimit të njëlloj Unioni ekonomik me Kosovën, dikur pjesë e Serbisë, pavarësisht rezistencës së grupeve të caktuara të interesave në dy vendet tona. Përkundrejt Greqisë po e bën duke mbajtur qëndrim të palëkundur për Marrëveshjen e detit, apo duke mbajtur në axhendën e diskutimeve edhe çështje historike si çështja çame. Ndaj Maqedonisë, Shqipëria po e trash zërin, duke kërcënuar me veto në rast të mosrespektimit të Marrëveshjes së Ohrit, duke mos pranuar cilësimin terrorist të shqiptarëve në mënyrë kolektive, etj., etj.

Këtë forcim të retorikës së shqiptarëve, fqinjët s’e kanë pritur mirë, por fatmirësisht fuqitë e mëdha s’po tregojnë mosdurim. Konfirmimi i vizitës së Kancelares Merkel në Tiranë, është dëshmi e kësaj. Paratë e premtuara nga perëndimi, përkatësisht Gjermania janë kapak i mjaftë për t’ua mbyllur gojën. Në këtë forcim të shqiptarëve në rajon, me siguri ka ndikuar dhe ndryshimi i raportit të forcave të aktorëve të rëndësishëm.

Greqia, e cila ka vendosur të mos çojë kryeministrin e vet në Tiranë, nuk do të afirmojë atë që afirmoi publikisht Kryeministri Vuçiç, «zgjerimin e kombit shqiptar». Për më shumë, Greqia, e cila po kërkon të gjejë paratë e borxhit ndaj BE-së, s’do ngjante serioze nëse do të pretendonte në Tiranë rolin e liderit, apo lokomotivës së rajonit, një rol që e ka humbur pikërisht për shkak të katastrofës ekonomike që e ka pllakosur.

Në rajon është dobësuar pak Italia për nga ndikimi, është fuqizuar Turqia me praninë e vet ekonomike, ushtarake, fetare, e pse jo dhe kulturore, nëpërmjet telenovelave. Dhe, mbi të gjitha, nëpërmjet procesit të Berlinit po shfaqet fuqishëm, por jo sipas aksit të vjetër historik Gjermania, me motrën e vet Austrinë. Dhe në këtë shfaqje të re forcash, shqiptarët s’kanë pse të mos ndihen të fortë. Sot dhe në të ardhmen. Ata konfirmojnë aksin properëndimor.

Por si do projektohet ky forcim në planin ekonomik sa kohë që Shqipëria mbetet së bashku me Kosovën mes vendeve më të varfra të rajonit dhe të Europës? Kjo është sfida kryesore e shqiptarëve. A do të formojnë ata realisht bashkimin e tyre ekonomik, brenda suazës së procesit të Berlinit, me paratë europiane, për të cilat kanë nevojë serbët dhe të gjithë fqinjët?

Kjo mbetet për t’u parë në vitet që do të vijnë. Por një shijim i vogël mund të shihet që sot në samitin e Tiranës, ku shqiptarët theksojnë rolin e tyre tranzit në rrugët e rëndësishme botërore, por dhe të portës kryesore të Perëndimit në Ballkan.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura