Pogradeci, portokalli kundër dhunës

Dec 15, 2014 | 15:53
SHPËRNDAJE

Dikush, me përvojën e hidhur të dhunës mbi shpinë ka zbritur në shesh për t’iu bashkuar fushatës, të tjerë e mbështesin pa kushte. Por ka edhe nga ata që rrinë në kafene dhe duke qeshur thonë se “një herë në muaj gruaja e meriton një të rrahur”. Një ditë në Pogradec, qytetin e liqenit, Lasgushit e Kutelit, përfshirë në fushatën 16-ditore të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore.

Prej më se dy javësh, në Shqipëri ashtu si në mbarë globin po zhvillohet Fushata e 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore. Pogradeci është një nga qytetet e përfshira gjerësisht në këtë lëvizje, me aktivitete dhe nisma publike, siç ishte mbledhja e firmave nga qytetaret dhe qytetarët, si një angazhim simbolik kundër dhunës me bazë gjinore, organizuar nga shoqata “Unë, Gruaja”, në bashkëpunim me Bashkinë Pogradec dhe me mbështetjen e organizatave të Kombeve të Bashkuara.
Historia e Artës
Mes atmosferës së fushatës, mesazheve inkurajuese dhe angazhimit të burrave e djemve vendës për t´i thënë JO DHUNËS!, gjen edhe Artën, rreth të 40-ave. E imët, flokët e prera shkurt, supet e mbledhur e me sytë e përhumbur diku përdhe, nis të tregojë historinë e saj, si shpëtoi nga dhuna e bashkëshortit dhe vështirësitë që pasuan. “Historinë time e njeh gjithë Pogradeci”, thotë me zë të dobët. Përballja e vetme me shumë sfida sociale dhe diskriminimi e mentaliteti paragjykues që e përcjell çdo ditë, e kanë lodhur, por jo dorëzuar. Arta tregon sa e vështirë ishte për të ndarja nga bashkëshorti i dhunshëm, kërcënimet ndaj saj dhe familjarëve, që pasuan ndarjen. Më pas, diskriminimi dhe përbuzja nga shoqëria, si dhe fakti që prej 4 vitesh ajo nuk ka mundur të gjejë punë, edhe pse infermiere profesioniste me një eksperiencë të gjatë. Të vetmit te të cilët gjen mbështetje janë prindërit e saj, nëna dhe i ati. Ata e shoqërojnë kudo që shkon, nga frika se mos ish-bashkëshorti mund ta kërcënojë apo kanosë. Arta tregon se as Urdhri i Mbrojtjes nuk arriti ta shpëtonte nga kërcënimet e ish-partnerit të saj. Kur ky urdhër pushoi, rreth 2 vjet më parë, përfundoi edhe ndihma sociale, e tashmë të ardhurat financiare për të dhe 2 fëmijët janë të pamjaftueshme. Djali, 21 vjeç, aktualisht invalid si pasojë e një aksidenti, endet i papunë në Pogradec, pa mundur të vazhdojë studimet e larta. Vajza më e vogël aktualisht ndjek vitin e tretë të gjimnazit me rezultate shumë të mira.
Arta tregon se, ndonëse shpëtoi nga një bashkëshort i dhunshëm, jeta mbetet e vështirë. Tashmë kërcënohet nga varfëria e diskriminimi shoqëror për të dhe familjen e saj. Nuk kërkon as favore e as mëshirë, por të drejtën e saj. Kërkon dinjitet dhe mundësi të barabarta për të dhe familjen. 4 vjet më parë, ajo gjeti forcën dhe kurajën t’i thoshte NDAL dhunës në familje, e tashmë është radha e komunitetit, shoqërisë dhe në veçanti burrave e djemve pogradecarë për të reflektuar. Përveçse t’i thonë NDAL dhunës ndaj grave dhe vajzave, duhet t’i thonë NDAL edhe diskriminimit.
Së bashku me nënën dhe të atin, ata ndodhen sot në qendër të qytetit për ta bërë sadopak botën e tyre portokalli dhe kontribuojnë për eliminimin e dhunës me bazë gjinore në komunitetin që jetojnë.
Dhuna në shkolla
Fjalët e Artës ndërpriten nga zërat e gëzueshëm të një grupi nxënësish nga shkolla 9-vjeçare e qytetit, të cilët i janë bashkuar fushatës së 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore. Hermes dhe Mario, dy nxënës plot energji e entuziazëm, ndajnë me ne perceptimet e tyre rreth dhunës ndaj grave dhe vajzave. Pohojnë se ajo është prezente kudo, madje edhe në klasën e tyre. Mario tregon se vajzat e klasës shpesh ngacmohen e tallen nga djemtë e shkollës, madje ndodh që edhe qëllohen. Kur i pyet se cili është reagimi i tyre kur shohin shoqet të bëhen subjekt ngacmimi apo dhune, ata ngrenë supet si të zënë në faj; “Ne bëjmë çfarë mundemi për t’i mbrojtur, por shpesh jemi të pafuqishëm për të reaguar. Kësaj i bien më shumë në qafë…!”, thotë ai me çiltërsi, duke u drejtuar nga shoqja e tij, e cila skuqet e buzëqesh me turp.
Mësojmë se në rrethin e tyre shoqëror ende shikohet si trimëri të ngacmosh apo tregosh dominancën ndaj vajzave. Por ata asnjëherë nuk kanë dhunuar apo nuk kanë treguar mungesë respekti për vajzat në klasë apo në rrethin e tyre familjar. Sot edhe ata kanë ardhur të japin shembullin e tyre e të bëhen iniciatorë ndryshimi në klasën, shkollën, lagjen e qytetin e tyre.
Me syrin e një piktori
Në bisedë krejt rastësisht na bashkohet piktori i njohur nga qyteti i Pogradecit, Anastas Kostandini ose Taso, siç njihet nga të gjithë. Duke shprehur keqardhjen për këtë plagë shoqërore mjaft të përhapur, Taso tregon se edukimi i brezave që në bërthamën e familjes është kyç për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave njëherë e përgjithmonë. “Mentaliteti ynë shpesh është i prapambetur, për sa i përket edhe mënyrës së të jetuarit, ku çdo gjë duket sikur është në rregull nga jashtë, por në fakt ka dhunën në themel”, thotë ai.
E meriton gruaja një dackë!
Vetëm pak metra me tutje, kafenetë janë të mbushura me burra, që flasin e bëjnë sehir çdo lëvizje në sheshin kryesor të qytetit, i transformuar në portokalli. Duket se nuk kanë ndërmend as ta bëjnë botën e tyre portokalli e as të nënshkruajnë kundër dhunës ndaj grave e vajzave. I bashkohemi një tavoline prej tre burrash rreth të 50-ave, që kuvendojnë shtruar mbi situatën politike, sportin e papunësinë. Janë mikpritës e kur i pyet përse nuk i bashkohen fushatës, njëri prej tyre, me profesion inxhinier, ta kthen me ironi: “Një herë në muaj gruaja e meriton të qëllohet se bën gabime…”, dhe qesh me të madhe. Por pavarësisht mentalitetit të këtyre burrave vendalinj, nga biseda me ta kupton se nuk janë të dhunshëm, edhe pse nuk janë angazhuar në fushatë. Edhe për ta dhuna në familje është një çështje shqetësuese, në veçanti për brezin i ri, të cilët përjetojnë edhe më tepër problemet sociale dhe ekonomike. Sipas tyre, janë këto konflikte sociale që pasqyrohen direkt në marrëdhënien në çift e shpesh janë arsyeja kryesore e dhunës gjinore apo në familje.
Pavarësisht punës së bërë për vite me radhë, nevoja për ndërgjegjësimin e komunitetit rreth konceptit të dhunës në familje apo dhunës me bazë gjinore mbetet evidente. Kultura patriarkale dhe mentaliteti i trashëguar nga e kaluara ende dominojnë në këtë qytet, në dukje paqësor. Ndërkohë shumë forma të dhunës lihen jashtë diskutimeve, ku “ndonjë shuplakë” apo “përplasjet e lehta” vështirë se konsiderohen “dhunë fizike”.
Institucionet
Në këtë ditë angazhimi dhe ndërgjegjësimi, edhe kryetari i Bashkisë së Pogradecit, z. Artan Shkëmbi, bëhet pa hezitim pjesë e aktivistëve kundër dhunës me bazë gjinore. Ai na flet mbi funksionimin Zyrës për Barazi Gjinore dhe kundër Dhunës në Familje, si edhe për Mekanizmin e Referimit dhe Trajtimit të Rasteve të Dhunës në Familje në Pogradec, si përpjekje e përbashkët e një sërë institucionesh vendore dhe organizatash jo qeveritare, për të ofruar mbështetje dhe shërbime sa më efektive. Për të, trajtimi i viktimave gra dhe vajza, të mbijetuara nga dhuna, mbetet një sfidë që kërkon forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimin e të gjitha strukturave dhe aktorëve përgjegjës, angazhimin e komunitetit, si dhe shumë më tepër burime në dispozicion. Aktualisht Bashkia që ai drejton po diskuton me anëtarët e Mekanizmit të Referimit, mundësinë e ngritjes së një qendre emergjence për dhënien e ndihmës së parë për gratë dhe vajzat e dhunuara.
Ndërkohë, shoqata lokale “Unë, Gruaja”, një ndër aktorët kryesorë për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe vajzave në Pogradec, prej vitesh punon në mënyrë të dedikuar për parandalimin, mbrojtjen dhe trajtimin e grave dhe vajzave të dhunuara. E ngritur fillimisht si linjë këshillimi, organizata është rritur duke shtrirë aktivitetin e saj edhe jashtë qytetit, në komunat më problematike të zonës. “Prej vitesh, ne po përpiqemi të krijojmë një infrastrukturë të nevojshme për trajtimin e vajzave dhe grave të dhunuara. Në këtë kontekst, kemi pasur edhe mbështetjen e Organizatave——————————– të Kombeve të Bashkuara, në punën për ngritjen, konsolidimin dhe shtrirjen e Mekanizmit të Referimit dhe Trajtimit të rasteve të dhunës, edhe në zonat rurale”, shpjegon një nga themelueset e shoqatës, znj. Eleni Jajçari.
Të dhënat
Sot, ata mblodhën mbi 250 firma, nga të cilat 107 djem e burra që zotohen kundër dhunës ndaj grave. Në Shqipëri, të dhënat e fundit nga INSTAT tregojnë rritje të përqindjes së grave të dhunuara nga 56,0% në vitin 2007, në 59.4% në vitin 2013. Kjo rritje jo domosdoshmërisht është tregues negativ, pasi lidhet ngushtësisht me rritjen e nivelit të besimit të publikut, e veçanërisht të personave të dhunuar për ta denoncuar dhunën. Nga vrojtimi rezultoi se 53,7% e grave po përjetonin “aktualisht” dhunë në familje, ndërsa 58,2% e grave kishin përjetuar dhunë psikologjike “gjatë jetës”. Fushata “16 Ditët” është një mundësi për të reflektuar, për t’u angazhuar dhe për të ndërmarrë veprime konkrete për ndërtimin e një bote pa dhunë e pa diskriminim gjinor. Ndaj, së bashku me lagjen, zyrën, rrugën apo shtëpinë, duhet “të bëjmë portokalli edhe zemrën”.

BESNIK BAKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura