Pogba refuzon kritikat ndaj shokut: Mos ma prekni Grizunë…

SHPËRNDAJE

Pol Pogba nuk ka ndërmend të ndalet. Çerekfinalja ndaj Uruguait është vetëm një tjetër hap drejt trofeut. Gjithmonë ka kërkuar maksimumin dhe shpesh ia ka dalë mbanë. Pas transferimit te Junajtid, ndeshjet nën nivel dhe kritikat pasonin njëra-tjetrën. U desh një Botëror për të treguar se Poli është aty. Me 14 të fituara, ai dje u bë lojtari që fiton më shumë duele në një ndeshje çerekfinale të Kupës së Botës. Me këtë arritje personale ndaj Uruguait, mesfushori barazon rekordin që Bikso Lizarazu vendoste 20 vite më parë në takimin Francë – Kroaci.

pogba

Nuk janë rekordet personale shqetësimi i tij, por Antuan Grizmani. Fjalët e para pas sfidës së djeshme ishin pikërisht në përkrahje të shokut të skuadrës, për të cilin tha: “Ai vazhdon të shënojë dhe të na ndihmojë. Nuk e kuptoj përse gjithmonë ndaj nesh ka kritika, pavarësisht sa fitojmë apo sa mirë luajmë. Antuani ka aftësinë që flet në fushë dhe nuk bën polemika dhe besoj se sot (dje) e morët konfirmimin. Ai goditi fort, ndaj dhe çau dorezat e portierit. Mos guxoni të ma prekni, ai është Grizuja im”.

Betejë- Po të kishte shënuar, me shumë gjasa do të ishte njeriu i ndeshjes, por Pogba nuk kuron arritje personale. Teksa komentoi fitoren, ai vlerësoi shpirtin e skuadrës, duke argumentuar se: “E dinim që nuk do të ishte një ndeshje shumë teknike. Luftuam fizikisht dhe mendërisht, duke treguar gjithçka është në gjendje të bëjë kjo skuadër. Jemi një grup i madh dhe luajtëm në mënyrë fantastike. Jam shumë krenar për mënyrën se si e menaxhuam ndeshjen, sepse ishte një fitore që e arritëm së bashku, si një familje”.

Objektiva- Nuk ka frikë të flasë as për misionin madhor Pol Pogba. Franca është në gjysmëfinale dhe nuk ia vlen më të fshihet. “Kemi bërë një arritje të madhe, por nuk mbaron me kaq. Në Rusi kemi ardhur me ide të qarta dhe do të bëjmë të pamundurën për t’u larguar së bashku me trofeun me vete. E dimë që nuk do të jetë e lehtë, por kemi cilësitë e duhura për t’ia dalë mbanë”, përfundoi Pogba.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

 

Te lidhura

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.