Poetja arbëreshe Marg Shilipa: “Identiteti i arbëreshit do humbasë, vetëm Shqipëria do kujtohet për ne”

May 12, 2015 | 15:00
SHPËRNDAJE

Marg Shilipa me kostum arbëresh dhe Giuseppe Schiro Di Maggio, në ditën e tyre të dasmës, 1969
Ne, ndoshta nuk do ta kemi kurrë ndjesinë e frikës së humbjes së gjithçkaje, rrënjëve, vendit, origjinës. Mundet që pikërisht për këtë të mos jemi as të dhënë ndaj këtyre ndjesive, prandaj, edhe e kemi të vështirë të kuptojmë dikë që ka frikë se do të harrohet krejt. Pak si individ dhe shumë si histori. Poetja arbëreshe, Marg Shilipa boton pikërisht për këtë arsye. Poezinë, ajo e ka pasur gjithnjë nevojë si uji, por në të ri, nuk i ka kushtuar aq vëmendje botimit. Tani që mbase e ka ndjerë më të afërt ndjesinë e harresës, i do gjurmët zyrtare në shqip, pikërisht për të qenë pjesë e historisë letrare të Shqipërisë. “Kur ndonjë ditë këtu, mjerisht, do të humbasin identiteti dhe gjuha, që është identiteti i parë i arbëreshit, do të na qëndrojë vetëm Shqipëria që do kujtohet për ne”. Sepse, siç thotë bashkëshorti i saj, poeti i njohur Giuseppe Schiro Di Maggio, “gjithë lumenjtë ven’e sosin te deti i math”.

Nuk e di sa e ndiqni ju poezinë shqiptare, por ajo arbëreshe (referuar tuajës dhe pak të tjerave që kam lexuar) më duket e çiltër si një fëmijë që guxon të thotë thjesht dhe qartë gjërat që ndien… A e keni vënë re këtë diferencë apo ky nuk është një tipar i vendit, veçse një përshtypje?
Poezia arbëreshe femërore është poezi “fëmijë” qysh pesëqind vjet dhe guxon të thotë sa ndien, si bën një fëmijë, me thjeshtësi, qartësi e delikatesë. Ju nuk keni poezi “fëmijë” femërore në Shqipëri? E pra, që do të kuptohet me poezi “fëmijë”? Me siguri, ju gratë në Shqipëri jeni më përpara se ne arbëreshet për sa i përket poezisë femërore, sepse prodhoni poezi “adulte” të angazhuara, si p.sh. ato të poeteshës Rita Petro. Nga të tjerat poetesha moderne kam lexuar një libër të Luljeta Leshanakut (që shkroi “parathënien” e librit tim në fjalë)
Gjuha e thjeshtë bëhet shpesh e rrezikshme për poetin, por nga ana tjetër, edhe sforcimi. Ç’praktikë të shkruari keni ju? A prisni në një kopsht me trëndafila të gjeni fjalën e duhur, apo poezia është mendim i një çasti?

Kopertina e librit
Gjuha e thjeshtë! Është e vështirë të komunikosh me poezi në një kulturë të gjuhës si ajo jona arbëreshe, ndjenja me një shprehje gjuhësore më të kulluar se ajo e përdorimit të përditshëm. Ky përdorim i përditshëm mbushet me fjalë antike arbëreshe, me fjalë të kopjuara nga dialekti sicilian, në të cilin përfshihen edhe ato fjalë me origjinë arabe, franceze, spanjolle, amerikane (nga Lufta e Dytë Botërore) e që kanë shkuar te shprehja jonë, me fjalë italiane për të treguar gjërat moderne. Është e qartë se nuk ulem në një kopsht me trëndafila duke pritur të shkojë “fjala” si një flutur e ta kap, që të bëjë pjesë e koleksionit tim shprehës, keni të drejtë të më bëni pyetjen që më keni bërë! Jo vetëm, por edhe të shkruarit arbërisht me dëlirësi fjalësh është njësoj punë e ngatërruar. Kujt t’i drejtohesh? Kush kupton arbërishten antike? Kush kupton shqipen? Kush kupton në pjesë të barabarta përzierjen italisht-sicilianisht-arbërisht? Është e qartë se duhet të “shpikësh” një të folme tënden, siç kanë bërë shkrimtarët tanë duke filluar nga Lek Matrënga, i cili kur e ku nuk gjente fjalën përkatëse arbëreshe i fuste një fjalë greke, o Zef Skiroi (1865-1927), i cili zëvendësonte fjalët siciliane me ato shqipe, deri te shkrimtarët e sotëm, të cilët për të komunikuar me arbëreshët e me shqiptarët në të njëjtin moment, kanë “shpikur” gjuhën arbëreshe “elevata”, dmth. kanë përdorur fjalë shqipe, edhe me burim turk, që të mos fusin ato siciliane, që kanë hyrë në përdorimin tonë të mençëm dhe janë të bukura, ngase janë antike e ngase janë perfekte sipas rregullës së gramatikës dhe të sintaksës arbëro-shqipe. Për një çast imagjinoni të jeni “arbëreshe” e ndoshta do të kuptoni sa thom.
A ka ndikim bashkëshorti në krijimtarinë tuaj? Qoftë edhe pavetëdijshëm… Nuk di, për shembull, a është ai konsulenti e lexuesi juaj i parë?
Poezitë e mia janë të miat. Kam bërë poezi të shkruar që nga shkolla e mesme. Pastaj, e martuar, ca i kemi botuar te revista jonë “Mondo Albanese” e viteve ’80 e ’90 të shekullit të shkuar. Më duket e logjikshme se im shoq është konsulenti dhe lexuesi im i parë dhe kritiku im më i rreptë, aq sa grindjet “letrare” ndodhen çdoherë që i lyp të lexojë ndonjë varg e që atij nuk i shket mirë. Por poezitë duket se janë “femërore” e nuk i ngjasin atyre të tim shoqi që kanë shpirt të ndryshëm! Një gjë tjetër: im shoq nuk deshi në dy botimet e mëparshme në Palermo (“Re me rreze dielli” 140 faqe dygjuhëshe, dhe “Trëndafile rërje” 100 faqe dygjuhëshe, që gjeni në Amazon), të dilte, të shfaqej, sepse thoshte: nuk dua të ndikoj në asnjë mënyrë te lexuesi yt. Pastaj ndonjë mik nga Kalabria që na njihte, u kujtua se është im shoq e ashtu tani mund të duket se kemi ndonjë gjë (letrare) përsëbashku, por poezitë janë të miat në fjalë e në stil.    
Kur poeti nuk e ka qëllim në vete botimin, do të thotë që e ka poezinë shkarkim, nevojë… Si është për ju?
Shilipa dhe Di Maggio, gjatë promovimit të librit “Ëndërra si re”
Bukur pyetje kjo! Poezia është shkarkim, nevojë e një qind gjëra të tjera. Për mua ka qenë si një ditar ku kam shkruar ndjenjat e mia. Ditar në një farë mënyre sekret. Kur numri i poezive u shtua, thashë për lodër se mund të dilte më shumë se një përmbledhje për botim. Im shoqi më mori në fjalë, i redaktoi e kështu dolën dy librat e lartkujtuar. Pastaj më tha se një arbëresh, që nuk boton edhe një libër në Shqipëri nuk është shkrimtar me vlerë, dhe kështu ai, Vasilika dhe Gëzimi më bënë dhuratën e bukur të antologjisë “Ëndrra si re”.  
Ç’raporte keni ju me Shqipërinë? Sa e njihni, sa shpesh e vizitoni?
Më shumë se me Shqipërinë kemi pasur takime me disa profesorë e shkrimtarë shqiptarë, kur këta shkonin në Horën e Arbëreshëvet gjatë ndonjë kongresi. Mik i dashur është shkrimtari Nasho Jorgaqi, që na shoqëroi gjatë vizitës, të vetmen herë që unë erdha bashkë me tim shoq në Shqipëri, vitin 1985. Im shoq ka shkuar tri herë: 1984, 1985, 1995. Kaq. Shkrimtari Nasho Jorgaqi me një artikull të bukur, më mbajti sikurse në pagëzim në Shqipëri si poeteshë e komunitetit arbëresh të Sicilisë.
Ç’gjë ka prioritet në poezinë tuaj? Dashuria, atdheu, bukuria…? Pra, ç’është esenciale për ju?
Lypset te pyetja juaj një fjalë tepër e rëndësishme për ne arbëreshët: historia. Kërkoj ta shpjegoj më mirë. Ndjenja më e fortë e arbëreshit, ndryshe nga popullatat e tjera të rrethit sicilian, është ajo e “historisë”. Histori pesëqindvjeçare, kuptohet. Kushdo do të hyjë në histori. Me thjeshtësi apo me bixarri. Ti shkruan e mendon se shkrimi yt do të qëndrojë në historinë tonë; ti dashuron e mendon se kjo dashuri do të jetë kujtuar mot e monë; ti mendon atdheun ku ndodhemi o mëmëdheun shqiptar e di se këtu si atje do të kujtohen për ty. Një ditë, pasi që im shoq më kish shprehur mendimin se do të botonte poezitë e mia, i thashë për të bërë shaka “do të hyj edhe unë në historinë tonë letrare? E sheh se e kuptove!”, më tha në përgjigje. Botimi në Shqipëri, më parë se gjithqish, për ne ka këtë vlerë: të hysh në historinë (letrare) të Shqipërisë. Kur ndonjë ditë këtu, mjerisht, do të humbasin e identiteti e gjuha, që është identiteti i parë i arbëreshit, do të na qëndrojë vetëm Shqipëria që do kujtohet për ne: sepse gjithë lumenjtë ven’e sosin te deti i math (citoj tim shoq).

Shënim i autores: Kuptohet se përgjigjet m’i ndreqi, nga gabimet eventuale shkrimi, im shoq si edhe i shqipëroi në ca vende më mirë se unë.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura