Poetika e erosit në vëllimin “Vrima” të Rita Petros

May 20, 2015 | 12:16
SHPËRNDAJE

LILI SULA

    Pas katër vëllimeve me poezi, Vargje të përfolura, Shija e instinktit, Këtu poshtë këndohet live, Në intimitet …nga Rita, autorja R.Petro sjell për lexuesin librin e fundit poetik “Vrima”. Në këtë vëllim përfshihet Poema e fundit për dashurinë dhe Legjenda e motrës dhe e vëllait, që në strukturë ciklike ndërkall ndër vete sa poema, po aq dhe poezi e fragmente krijimesh erotike që nga përvoja e ngjizjes së fetusit: “Pluskoj e pluskoj në errësirë/ Pa kohë…pa dritë… Pa kufi/ Pa tingull… pa zë…pa mendim”; te poetizimi melodiko-vizual i përvojës erotike foshnjore (sipas Frojdit), te barrierat morale, religjioze, martesore e te censura ligjore; te takimi me mashkullin nga vjen Amësia, Alarmi, Dështimi, Ikja e për të mbërritur te Zona e ndaluar, nga ku prej thellësish thithet miti për ta nxjerrë përmbysas e për ta shpështjellur e risemantizuar në raportin incestual motër-vëlla, për t`i shkuar kështu në fund ciklit biologjik, që përkon sa me vdekjen dhe fundin e ligjërimit poetik, po aq dhe me rijetësimin e Erosit te Sirena mitike, si për ta nxjerrë e për ta përmbysur rishtas mitin femëror e për t’ia filluar “lojës” nga e para. I veçantë vjen ky vëllim edhe nga kombinimi i artit pamor dhe melodisë së tekstit poetik: si poezia “Simfoni në errësirë”, si dhe nga shoqërizimi i cikleve poetiko-erotike me imazh të pastër (pikturë, grafikë). Vëllimi poetik “Vrima”, si cikli biologjik, si dhe struktura poetike, hapet me pikturën Lindja, vijon me Ekstazën, për të përfunduar me Vdekjen. Vrima me pullë të kuqe, me rreth e dykëmbësh [trekëndësh] të kuq (shih kopertinën e paskopertinën e librit) dhe pullë të zezë në mes të titullit (shih frontespicin) nuk shënjon Ndal, por Hyr; ajo është porta e hapur që tërheq lexuesin në skutat e saj më intime, se poezia e R. Petros është thyerje, provokim, eksperiment, ekstravagancë e postmodernitet, se poetika e saj është erotikocentriste me gjithë fushën e gjerë semantike (të gjakut e të ujit, kënaqësisë, dehjes, ngopjes, etjes, ekstazës e energjisë, instinktit, seksit, incestit etj.), se poetika e “Vrimës” ka në qendër jo thjesht femëroren, po sipërinë e femrës, se legjenda është e motrës dhe e vëllait e jo si është rrëfyer prej lashtësish, e Kostandinit dhe e Doruntinës, se vëllai është dilema hamletiane që shndërrohet në dilemë ekzistenciale erotike si i vetmi burim jete, përmes kënaqësisë: Të dashurosh apo jo?/ Kjo është çështja (Vëllai im i burgosur). Kthimi tek instinkti, në dukje një kthim prapa, provokon shkelje e thyerje duke bërë që seksualiteti në shërbim të riprodhimit të kalojë në seksualitet në funksion të kënaqësisë së fituar nga pjesët e trupit (H. Marcuse, Erosi dhe qytetërimi). Në këtë këndvështrim, Marcuse duke rimarrë konceptet e Frojdit mendon se Erosi, si instinkt i jetës, karakterizon një instinkt biologjik më të gjerë se seksualiteti. Antitabu është ky vëllim në ligjërim artistik e në strukturë, në përvojë e shijim estetik, në imazh e në figurat artistike. Poema e dytë “Legjenda e motrës dhe e vëllait” do të qëndronte logjikisht fare mirë para poemës së parë, “Poema e fundit për dashurinë”. Titujt e krijimeve ofrojnë qasjen e parë drejt poezive, në sensin e marrëdhënies komunikative që poeti ia paracakton lexuesit të tij. Titulli përmban njësi kyçe artistike, që përfaqësojnë ftesën e parë (ndoshta të vetmen nga pikëpamja e intencio auktoris) për shijim estetik. Por titujt e krijimeve në Përmbajtjen e librit të R. Petros nuk përputhen me titujt e krijimeve të veçanta e herë të tjera, si në poemën “Tani je në dorën time”, titujt trupëzohen në tekst si ligjërim poetik, figurativ e shkronjor e si imazh skenik erotik. Prandaj, poema e parë receptohet krejt mirë si cikël poetik, nga foshnjëria në adoleshencë e pjekuri, por dhe si krijime erotike të veçanta, se është poema/cikli më i “moralshëm”, më familjar, edukativ e kanonik, krahasuar me poezitë e tjera, po edhe më simbolik e alegorik e polisemantik, krahasuar me krijimet e tjera. Titulli në përmbajtjen e vëllimit “Publicitet-Në treg martesa klasike”, në brendësi të librit vjen si shtërzim televiziv, thjesht me titullin e njohur, intersekuencial, ndërmjetës, shkarkues e qetësues Publicitet, si për të ndarë kohën artistike nga ajo e aktit erotik të krijimit paraprijës (kurrë, kupto gjithmonë) për të marrë veten e për t’u gatitur për ceremoninë kishtare, ku sublimja e së madhërishmes, e konfesionit (Atit të shenjtë) zëvendësohet me sublimen e erosit si poetikë e estetikë e seksualitetit, por edhe si burim amësie.
Nga këtu e në vijim këlthet tabuja e së padiskutueshmes, e nëndijes, padijes, e perversitetit, instinktit, blasfemisë, pseudomoralit, epshit e incestit që naivisht, lakuriq e pa dorashka, përcjell te lexuesi thellësinë e shijimit artistik erotik. “Legjenda e motrës dhe e vëllait” është poema e dytë që, ashtu si e para, eksploron moralin libidik si kënaqësi absolute. Risemantizimi i mitit klasik (Balada e Kostandinit dhe e Doruntinës, ku për besën e dhënë tejkalohet vdekja), vjen jo përmes transformimit, po përmes thyerjes dhe përmbysjes në nyjen e vet më të fortë, ku marrëdhëniet vëlla-motër përmbysen në raporte incestuale motër-vëlla.
Vlen të theksojmë se epërsia femërore, që ka qenë gjithmonë premtim i shtypur, sipëria sensuale e mëmësore e femrës si shpërthim vullkani apo fuqi tërmeti, që përcillen me ndjeshmëri të re poetike e shoqërore, shënojnë leximin më emancipues të vëllimit poetik “Vrima”. Emancipues është ky vëllim edhe në fitimin e lirive të reja artistike, të pathëna më parë në letërsinë tonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura