Poeti Klodian Kojashi: Jemi fajtorë ndaj gruas, duam një mijë vjet të shlyejmë borxhin

Sep 8, 2014 | 15:11
SHPËRNDAJE

Ai nuk ka ende një libër me poezi. Dhe sikur ato që shkruan aty për aty, kudo të ndodhet, nuk do të pëlqeheshin kaq, ndoshta as do merrte mundimin të kërkonte një shtëpi botuese për t’i përmbledhur. Edhe sepse, për ta bërë këtë duhet t’iu gjejë poezive tituj. Deri tani nuk i ka “kokë” asnjëra. I ngjajnë si etiketat e kavanozave; pse duhet t’i përmbledhë një fjalë kur i rrjedhin të gjitha ashtu, siç nuk do doje të mbaronin?! Klodian Kojashin, ende pa botuar librin, e shihni të shkruajë përditë në rrjetet sociale, sikur të ishte në anije, nxjerr kokën diku, të përshëndet me një lundrojnë, dhe ikën. Mund të mos jesh e vetëdijshme por do presësh të kthehet prapë… të shkruajë poezi pa tituj. Nuk është poeti më i njohur, por do të bëhet, shpejt, sa një shëtitje e shoqëruar.

Duhet së pari të prezantoheni, meqenëse përmes poezisë, ende numërohen ata që ju njohin, së paku deri tani…
Unë nuk merrem me “industrinë” e letërsisë. Punoj në fushën e komunikimit dhe formimit ndërkulturor, hartojmë e realizojmë projekte që lidhen me afrimin e kulturave të ndryshme, krijimin e proceseve të zhvillimit në komunitet, duke u nisur pikërisht nga burimet kulturore që njerëzit janë bartës, pra puna ime lidhet me njerëzit, me përvojën e jetuar prej tyre. Punoj si ekspert i jashtëm për çështjet e interkulturës në organizatën “Educational Forum”, në Shkodër.
Ndoshta është prej efektit të mediave sociale, por duket se poezitë i shkruan aty për aty…në tren, në makinë… pra, se nuk ke një kohë paramenduese. Si ndodh në të vërtetë?
Mendoj se s’ka një rregull të përcaktuar, poezinë mund ta shkruash në letër e pastaj në kompjuter apo telefon, qoftë edhe direkt në Facebook. Shpesh lind nga një koment që bën diku, nga një përgjigje që kthen, një batutë… Poezia lind edhe nga një fjalë e vetme. Aq shumë e ndjen atë fjalë, sa për të krijon një poezi. S’e di a është mirë apo keq kështu, s’e di a bëjnë kështu poetet, por edhe nuk më intereson ta di në fakt, janë gjëra që s’i bën, të ndodhin.
Mund të ngjajnë klishe, por përpjekja e përhershme është për të kuptuar se ç’i ndodh poetit. Ku largohet, ku harrohet, kur shkruan…
Nuk mendoj se poetit i ndodh diçka aq poetike sa ajo që shkruan. Nuk shoh asgjë heroike te poeti, ashtu si një aktor kur bën dublat e një skenë që do xhirojë, lodhet e këputet, shkon e vjen, e përsërit, mendon ta lërë fare, pastaj i rikthehet, e provon të nesërmen. Te poezia kjo mund të ndodhë edhe brenda një kohë shumë të shkurtër, ama ndodh, është një frymëzim të cilin e punon, e kthen në fiksion, në poezi, pastaj kush e lexon, e ndjen si diçka të çastit, të shkruar me një frymë, ndaj e mira është që nga poeti, mendoj unë, të njohësh më shumë poezinë e vizionin që ka për jetën, për botën, për shoqërinë, të ardhmen. Unë këtë mundohem të kuptoj nga poetët që dua. Nuk më intereson t’u bëj autopsinë e procesit të shkrimit.
Femra duket të jetë boshti i gjithçkaje në poezitë tuaja…
Femra është mbi poezinë, ajo mund të jetë brenda poezisë si bosht i saj, por edhe jashtë saj. Jo gjithmonë femra është një person tjetër përballë teje, një e dashur e hershme a një që do të vijë. Shpesh i referohesh femrës si metaforë të jetës, e historisë që ke jetuar. Pranë një femre është një mënyrë për të njohur më shumë diçka prej vetes. Mirëpo, ne jemi një shoqëri fajtore, historikisht fajtore ndaj femrës, ne na duhen mijëra vite të tjera për të shlyer borxhin që kemi krijuar ndaj femrës shqiptare. E më duket se jemi akoma shumë vonë.
Poezia, paragjykim apo jo, prej kohësh ka humbur. Këtë mund ta keni vënë re edhe nga komentuesit, ndërsa me ju, shihet dëshirë për të lexuar edhe më…
Po, është një kohë e paqartë për poezinë, por unë mendoj ngaqë është një kohë tranzicioni poetik. Mbase duhen promovuar më shumë poezitë, duhet tërhequr vëmendja në forma të tjera, më interesante. Duhet të kenë ma shumë kurajo edhe shkollat, t’u mësojnë nxënësve se ka një univers jashtë shkollës e se në atë univers mund të ketë gjëra me shumë vlerë e duhet t’i kërkojnë, t’i njohin.
A mund të përshkruani femrën-muzë të ditëve të sotme?
Ndodh shpesh që gruaja të jetë muzë e poezive, por ky nuk është një privilegj që ne i bëjmë asaj, ajo s’ka nevojë për këtë, nuk është poezia që i jep diçka të veçantë një femre, është femra që i jep diçka të veçantë poezive. Si është kjo grua? Nuk e di, është grua, mund të jetë çdo grua, nuk është se një grua duhet të ketë cilësi të veçanta për të qenë muzë poezie, gruaja është një person, e ne jemi thirrë në mesin e shoqërisë për të jetuar me të, këtë histori shpesh të çuditshme por të mrekullueshme të jetës.
Lexuesi, të zgjedhë sinonime sa të dojë, por, a ka femra “kurva” në poezitë tuaja?
Gratë e poezive të mia nuk janë aq hyjnore, madje s’janë në poezinë time për të dhënë mesazhe paqeje, dashurie. S’janë në poezinë time për një mision fisnik a historik, për të ruajtur moralin apo zakonet. Ato janë në poezinë time, pa pretendime historike, pa shtojca, janë, ashtu si t’jenë. Unë në fakt mendoj se konsiderohet kurvë sot një grua që me praninë e saj ngacmon impotencën morale shoqërore të disa njerëzve.
A i ka rënë miti qenies femërore? Si e shihni…nga ato që shkruani duket ende një qenie e rrallë klasikësh, ndryshe nga ç’përjetojmë përditë…
Jemi një shoqëri që akoma s’dimë të pranojmë rolin e gruas në komunitet, i veshim asaj shpesh cilësi e aftësi të mëdha, dhe mirë është, se edhe i ka, por më shumë, ia veshim si për t’i gjetur një justifikim respektit ndaj saj. Mjeruese! Shpresoj që me kohën gjërat të ndryshojnë, mitizimet i njeh dhe i pranon edhe letërsia, por shpesh mitet e balsamosin të vërtetën, janë ujë që nuk rrjedh më. Gruaja sot, më shumë se për mitizime e veshje heroike, ka nevojë për hapësinë, liri, mbështetje, formim që ia përflak vetëdijen se s’është një aksesor i familjes e as i burrit, por një krijesë, një person e duhet të gjendet në një ambient që ia krijon mundësitë ta jetojë vetveten në mënyrën e formën që dëshiron. Do kisha dashtë që gruaja te poezitë e mia të ishte e tillë, e vetes, e pse jo, me shumë dashuri përreth.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura