“Po vidhni pronën, organizatë mafioze”/ Braçe përplaset me Ralf Gjonin për pronat në Kuvend: Mbylle gojën, pis!

Oct 18, 2019 | 20:03
SHPËRNDAJE

ARDIT HOXHA/ Edhe pse në një dukje një seancë monotone, pa shumë çështje të rëndësishme për të trajtuar, pa prezencën e Kryeministrit Rama dhe me vëmendjen e politikës shqiptare nga Brukseli për të mësuar se cili do të jetë vendimi për procesin e negociatave, sërish seanca plenare e kësaj të enjte në Kuvendin e Shqipërisë është shoqëruar me debate të forta dhe tension. Protagonistët e përplasjes këtë herë janë bërë zv.kryeministri Erion Braçe, ministri Eduard Shalsi dhe deputeti i opozitës, Ralf Gjoni.

Shkak për nisjen e këtij debati mes tyre është bërë diskutimi me tone të ashpra dhe akuzat e forta të Gjonit në lidhje me ligjin për korporatat, duke e cilësuar atë si kriminal dhe që mund të bëhet vetëm nga një organizatë mafioze, e cila kërkon të vjedhë sërish pronën e qytetarëve shqiptarë, ashtu siç bëri sistemi komunist.

gjoni-brace

Në këtë moment, nga vendi Braçe iu kthye ashpër Gjonit, duke i kërkuar prova për akuzat e tij të forta. Gjoni, pasi përfundoi fjalën e tij, kërkoi nga drejtuesja e seancës, Vasilika Hysi, që të marrë masa për Braçen, pasi tentoi ta ndërpriste gjatë fjalës së tij, duke i cenuar të drejtën e shprehjes. Sërish Braçe iu drejtua me tone shumë të forta Gjonit nga vendi, duke i kërkuar që të mos flasë më.

Por kjo gjuhë e zv.kryeministrit solli irritimin e Ralf Gjonit, i cili u ngrit drejt foltores për të marrë me forcë fjalën. Pas kësaj situate, Vasilika Hysi e ndërpreu seancën dhe u desh rikthimi i Gramoz Ruçit që punimet t’i riktheheshin normalitetit, edhe pse deputeti opozitar kërkoi marrjen e një mase disiplinore për Braçen, si ndëshkim për gjuhën e përdorur.

DEBATI I PLOTË NË KUVEND:

Ralf Gjoni: Z.Shalsi, iu përmenda dy komponentë tepër të rëndësishëm…

Erion Braçe: Çfarë të kam vjedhur unë ty?

Ralf Gjoni: Nuk keni të drejtë të dhunoni të drejtën e fjalës këtu, këtë gjë mund ta kishit bërë me ata që ishin këtu, por jo me ne. Nuk na frikësoni dot. Jam në të drejtën time që ta cilësoj si organizatë mafioze.

Erion Braçe: Ke prova?

Ralf Gjoni: Po, me prova. Po ju jap nenin e Kushtetutës. E para, nuk ka pasur asnjë konsultim me grupet e interesit. Po ju jap një argument shumë të fortë. E dyta, nuk keni të drejtë që t’i quani këto prona si shtetërore, pasi pas tyre fshihen qindra hektarë tokë të pakthyera dhe të pakompensuara. Ju po tjetërsoni pronën private të qytetarëve shqiptarë. Ne po flasim për të drejtën më themeltare, që garantohet nga Kushtetuta. Në Amerikë të vrasin për tokën. Jo, nuk do të keni mundësi ta bëni këtë, do ta bëni vetëm mbi trupat tanë të vdekur dhe të kushërinjve tanë në ato toka, që gjyshërve të mi ua keni grabitur. Nuk mund të grabisni pronat e shqiptarëve përmes një skeme korruptive.

(Ralf Gjoni flet nga vendi pa mikrofon)

Vasilika Hysi: Z.Gjoni, duhet të tregoni respekt. Në këtë sallë, asnjë deputeti apo ministri nuk i lejohet të thyejë etikën.

Ralf Gjoni: Unë nuk fyeva askënd me emër. Përmenda argumente dhe shifra. Dhe këta bij komunistësh guxojnë dhe tallen me ne.

Erion Braçe: Po lëre atë muhabet ti.

Ralf Gjoni: Ik ore andej.

Erion Braçe:Boll bëre dërr-dërr!

Ralf Gjoni: S’ke të drejtë.. duhet të respektosh opozitën.

Erion Braçe: Po të respektoj pra, por nuk mund të më thuash ti mua organizatë kriminale.

Ralf Gjoni: Po e them, se je.

Erion Braçe: Boll ore, mbylle!

Ralf Gjoni: Mbylle ti gojën, jo unë.

Erion Braçe: Mbylle, kaq. Pis!

(Ralf Gjoni ngrihet nga vendi drejt foltores)

(Ndërpritet seanca, rikthehet Gramoz Ruçi në drejtimin e Kuvendit)

Gramos Ruçi: Vazhdoni fjalën tuaj për procedurë.

Ralf Gjoni: Unë jam në të drejtën time që t’i jap epitetin një iniciative, që zgjedhësit e mi e quajnë kriminale. Nuk fyeva asnjë person me emër. Iu përmbajta rregullores. Ndaj meje, si deputet, janë përdorur shenja dhe mimika kërcënuese nga z. Kryeministër. Të merren masa. Të respektohet rregullorja dhe e drejta e fjalës.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura