“Po vdes se ti po shkon”, zbulohet letra e të riut për të dashurën 17 vjeçe

Jul 7, 2017 | 12:32
SHPËRNDAJE

I riu, i cili i dha fund jetës dy ditë më parë duke pirë fostoksinë pas ndarjes nga e dashura, ka lënë një letër ku tregon se vajza e ka lënë për një djalë tjetër, shkruan “Panorama”. 

Eneo Ferko
Eneo Ferko

Letra është publikuar nga vetë Eneo Ferko në profilin e tij në “Instagram”. 20-vjeçari flet për dhimbjen që i ka shkaktuar ikja e të dashurës që ishte tri vite më e vogël se ai. I dëshpëruar nga ndarja me vajzën Edlira C., djali vë në dukje se ajo po shkonte drejt një tjetri që nuk e meritonte, duke lënë kështu të kuptohet se ajo e ka lënë Eneon për një tjetër dashuri.

Midis të tjerave, Eneo shkruan se është duke vuajtur se e ka humbur përgjithmonë, duke paralajmëruar edhe vetëvrasje.

“Vuaj se të humba përgjithmonë/qaj sepse vranë dashurinë tonë….hesht sepse shpirti po të dorëzon tek një tjetër që nuk të meriton…”.

Miq dhe mikesha të Eneos tregojnë se ai ishte i dashuruar pas vajzës E.C., nga Peqini, vetëm 17 vjeçe, e cila, sipas tyre, u tall me shokun e tyre.

“Ai ishte djalë shumë i mirë. Ai e donte shumë, prandaj vrau veten, por ajo u tall me të. Eneo ishte një djalë i mrekullueshëm. Ajo ndyrësira, ishalla përfundon me keq se ai. Ajo e vrau. Ta fusin në burg se ajo e vrau”, ka thënë për “Panorama” A.Sh., shoqja e Eneos.

Po ashtu miq të tij tregojnë se për ta prekur në zemër, sadopak, që ajo të reagonte, Eneo ka regjistruar veten duke pirë fostoksinë dhe ia ka nisur videon e regjistruar në rrjetin social “Facebook”.

Por edhe pas kësaj ajo nuk ka reaguar, duke e lënë dëshpërimisht t’i dorëzohet fundit tragjik. Shokët e tij, por edhe familjarët kanë qenë në dijeni të lidhjes së tyre, po ashtu ishin në dijeni që ishin ndarë kohët e fundit.

Mikja e Eneos tregon se, megjithëse Eneo ishte shumë herë më i mirë se ajo nga paraqitja e jashtme, ai po vuante shumë pasojat e ndarjes.

“Ajo ishte e shkurtër dhe e shëmtuar, por ai e donte shumë. Aq shumë e donte, saqë kur u nda me të ai filloi edhe të pinte. E bënte për ta harruar. Ishte edhe i ri shumë dhe ndarja ka qenë gjë e re për të. Ata kishin jetuar bashkë si një familje dhe ai ishte më i rritur se bashkëmoshatarët e tij. Hallet e kishin pjekur shpejt”, ka thënë një nga miket e tij, ndërsa i referohet edhe faktit që ai bashkë me nënën punonin pa pushim që të siguronin një jetë të pranueshme.

Eneo Ferko, vetëm 20 vjeç, i dha fund jetës në gjendje të rënduar psikologjike, pasi u nda nga e dashura. Ai ishte në prag fejese me të dhe kishte thurur ëndrra për të ndërtuar bashkë të ardhmen, por sipas dëshmive të miqve, ajo nuk e ka dashur më, duke u larguar prej tij. Vajza ishte vetëm 17 vjeçe.

letra

Mësohet se bashkë me të dashurën e tij, djali kishte tentuar të vazhdonin një jetë të re edhe në Itali. Të dy kanë jetuar për disa muaj në shtetin fqinj, por nuk arritën të ambientoheshin për shkak se i riu nuk e njihte mirë gjuhën italiane dhe kjo gjë e kishte penguar për të siguruar një vend pune.

Prindërit e Eneos ishin divorcuar para rreth 10 vitesh dhe prej atëherë djali jetonte me nënën e tij e me një vëlla më të vogël se veten. Kjo e fundit kujdesej që të birit të mos i mungonte asgjë, duke kryer punë të ndryshme deri te qëndismat. Së bashku me nënën jetonin në shtëpi me qira.

Vendimin fatal për t’i dhënë fund jetës i riu e ka marrë në orët e vona të mbrëmjes. Ishte nëna e tij, e cila rreth orës 3 të mëngjesit ka shkuar për ta kontrolluar dhe ka parë të birin në gjendje të rëndë e të mbushur me shkumë nga goja. Edhe pse i biri ishte mbyllur shumë kohët e fundit, nëna e tij nuk e kishte menduar kurrë që Eneo do të shkonte drejt një akti vetëflijimi.

Pavarësisht se Eneo u dërgua me urgjencë në spitalin e Fierit, mjekët nuk mundën të bënin dot asgjë për ta mbajtur në jetë, pasi lënda helmuese kishte vepruar shpejt, duke e intoksikuar të gjithë trupin e të riut.

Mësohet se Eneo për disa vite ka qenë pjesë e Ansamblit “Myzeqeja”, e financuar nga Bashkia e Fierit. Plani i tij i fundit për të marrë pjesë në një videoklip për të siguruar disa të ardhura shtesë mbeti në letër, pasi i riu nuk e realizoi dot.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura