Po të kuptohet drejt, teknologjia 5G do t’i sjellë përfitim shoqërisë

Nov 22, 2019 | 11:00
SHPËRNDAJE

LIAN GANG* ambasada kineze

Dekadat e fundit, teknologjia e informacionit ka pasur vrullin e zhvillimit, duke u bërë forca e rëndësishme nxitëse për zhvillimin e njerëzimit. Sot po na vjen epoka 5G, e cila jo vetëm do të bëjë më të shpejtë dhe më të qartë komunikimin e përditshëm dhe transmetimin grafik, por nga ajo do të rrjedhin edhe shumë skenarë aplikimi dhe modele tregtare të reja, siç janë interneti industrial, inteligjenca artificiale, drejtimi autonom, telemjekësia, realiteti virtual etj., të cilët do të ndikojnë dhe ndryshojnë thellësisht jetën e njerëzve dhe veprimtaritë prodhuese. Përballë këtij revolucioni të paparë dixhital, duhet të mendojmë me seriozitet sesi mund të kapim mundësi dhe të kapërcejmë sfida.

Po të duam të kapim mundësi dhe të kapërcejmë sfida, duhet të kuptojmë dhe trajtojmë drejt zhvillimin e 5G-së. Së pari, 5G s’është vetëm pajisje dhe rrjet telekomunikimi. Zhvillimi i 5G-së do të thotë jo vetëm ndërtimi i rrjetit më të shpejtë të internetit, por edhe kultivimi i një sistemi ekologjik dixhital ku përfshihen interneti industrial, inteligjenca artificiale, drejtimi autonom etj., për të rritur efikasitetin e prodhimit dhe për të lehtësuar jetën e njerëzve. Së dyti, nga këndvështrimi i përdorimit tregtar në shkallë të gjerë, 5G ka ende një rrugë të gjatë përpara. Aktualisht, kostoja e prodhimit dhe e përdorimit të pajisjeve 5G është relativisht e lartë, kështu që vetëm disa qytete me popullsi të dendur të Kinës, të Europës dhe të disa vendeve të Lindjes së Mesme kanë ofruar shërbim 5G, shumica prej të cilave janë në faza pilotimi. Edhe për Kinën, për përdorim tregtar në shkallë të gjerë, do të duhen 2-3 vite. Së fundmi, 5G nuk është objektiva e zhvillimit, por një instrument periodik për zhvillim. Teknologjia po përparon me shpejtësi gjithnjë e më të lartë në kohën tonë. Një vend, po të dëshirojë të zhvillohet me hapat e kërcimit në një epokë të ndryshimit të shpejtë, duhet të përqendrohet në plan afatgjatë të bazuar mbi realitetin e zhvillimit të vetes, të shfrytëzojë në mënyrë të gjithanshme burime të ndryshme për të kapur në kohë mundësi. Kjo është qasja më e urtë në epokën dixhitale.

Po të duam të kapim mundësi dhe të kapërcejmë sfida, duhet të shfrytëzojmë plotësisht fuqinë e tregut. Një klimë biznesi të barabartë, të drejtë dhe transparente, e cila mundëson konkurrimin e plotë tregtar mes kompanive të telekomunikimit, shmang monopolin e tregut dhe inkurajon përmirësimin e vazhdueshëm të teknologjisë dhe të shërbimit, do të jetë qasje më e mirë për nxitjen e zhvillimit të telekomunikimit. Po të ndërhyjë verbërisht shteti në veprimtaritë tregtare ose bashkëpunimin komercial mes kompanive, vetëm do të shtrëngojë tregun, ulë efikasitetin, rrisë kosto dhe, në fund të fundit, do të dëmtojë interesat e kompanive, të drejtat e konsumatorëve dhe zhvillimin afatgjatë të shtetit.

Ne mbështesim vendosmërisht përpjekjet e pandërprera të qeverisë shqiptare për përmirësimin e klimës së biznesit, i cili garanton konkurrimin e barabartë, të drejtë dhe transparent mes kompanive të vendeve të ndryshme. Qeveria mund të ulet në tavolinë me operatorët dhe furnizuesit e pajisjeve të telekomunikimit për të shkëmbyer mendime, që zyrtarët të njohin më shumë ndikimin e teknologjisë dhe teknikët të njohin më mirë kërkesat e qeverisë. Ata mund të punojnë bashkërisht një zgjidhje që kombinon ruajtjen e privatësisë me maksimizimin e fuqisë së teknologjisë, gjë që do të na ndihmojë të gëzojmë më mirë avantazhet e teknologjisë.

Po të duam të kapim mundësi dhe të kapërcejmë sfida, duhet edhe të zhvillojmë shkëmbim dhe bashkëpunim të gjerë ndërkombëtar. Qëllimi thelbësor i përdorimit të internetit është forcimi i konektivitetit, jo burgimi i veprimtarive. Vetëm me bashkëpunim të gjerë, teknologjitë e avancuara të telekomunikimit mund të luajnë plotësisht rolin e tyre. Dhe sot, ndonjë vend, duke u nisur nga interesat e veta, duke politizuar çështjen ekonomike dhe ideologjizuar çështjen teknike, pa pasur asnjë provë, akuzon në mënyrë arbitrare pajisjet e kompanive kineze për “rreziqe të mundshme të sigurisë”, gjë e cila është irracionale dhe e padrejtë. Ndërhyrje dhe spekulim politik ndaj bashkëpunimit normal komercial midis kompanive vetëm do të kufizojë hapësirën e vetes për zhvillim dhe të ulë mundësi të përbashkëta të zhvillimit. Në Europë, kompanitë e Britanisë, të Italisë dhe të Spanjës kanë filluar përdorimin e pajisjeve 5G të kompanisë “Huawei”. Gjithashtu, Gjermania u shpreh se nuk do ta ndalojë “Huawei”-n. Fakte të tilla mjaftojnë për të sqaruar çështjen. Kompanitë shqiptare kanë të drejtë të plotë që, sipas parimit tregtar, të vendosin se kur, me pajisjet e kujt, të ndërtojnë rrjetin 5G ose të përmirësojnë rrjetin e vet të telekomunikimit.

*Këshilltar për Çështjet Ekonomike dhe Tregtare pranë Ambasadës Kineze në Shqipëri

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura