Po sikur…

Dec 20, 2015 | 12:11
SHPËRNDAJE

Edmond-TupjaEDMOND TUPJA

Nga ajo periudhë dym ijëvjeçare gjatë së cilës shkenca e yjeve, pra, astronomia, lindi me gjasë në Mesopotami dhe u zhvillua në Egjipt e, më tej, në Greqinë e Lashtë, kemi trashëguar, të .paktën sipas Enciklopedisë franceze Bordas, Paris, 1999, emrat e dymbëdhjetë yjësive zoomorfe që u quajtën e vazhdojnë të quhen “zodiak”, fjalë e cila, në greqishten e vjetër, do të thotë “rrota e jetës” ose “rrota e kafshëve”.

Këta dymbëdhjetë emra i dëgjojmë çdo ditë në radio apo televizion, i lexojmë çdo ditë në gazeta e revista, në formë parashikimesh nën emërtimin “horoskop”. Mirëpo, me zhvillimet e vrullshme të astronomisë, sot numërohen aq shumë yje, planete e yjësi, saqë astronomët prej kohësh nuk u vënë më atyre emra kafshësh apo thjesht emra të përveçëm si Vega, Regulus, Orion e Lira, por i klasifikojnë me shkronja e shifra siç është rasti, për shembull, për një planet të zbuluar vitet e fundit, i cili identifikohet me PSR1257+12.

Mirëpo, para disa ditësh, të paktën sipas stacionit Radio France International (RFI), Bashkimi Astronomik Ndërkombëtar vendosi t’i drejtohet publikut të gjerë që ta ndihmojë duke i sugjeruar emrash konkretë për të shënjuar me ata planetet e reja që do të zbulohen tash e tutje. Kështu, për shembull, 315 vite-dritë larg Tokës, një planet u quajt Rosinant, sipas emrit të kalit të të famshmit Don Kishot, kurse dielli rreth të cilit ai rrotullohet, u quajt Servantes.

Pasi dëgjova, më 16 të këtij muaji, në orën tetë të mëngjesit, këtë lajm në radion e lartpërmendur, befas se si më erdhi një ide të cilën nuk po vonoj t’ia bëj të ditur lexuesit serioz e të paanshëm të kësaj rubrike të përjavshme. Po sikur… Po sikur, për shembull, të sugjerohej që disa yjësive t’u viheshin mbiemra politikanësh… politikanësh shqiptarë?…

Po, po, emra politikanësh shqiptarë! Në fillim më erdhi si çudi nga kjo ide, dhe mend nxitova ta harroja, por, pastaj, tek e mendova më shtruar e më thellë, më erdhi për të qeshur.

Së pari, më erdhi për të qeshur, sepse sikur të vendosej që dy yjësive të sapozbuluara njëkohësisht t’u viheshin emrat PS e PD, mund të plaste sherri midis këtyre dy partive se kush e kush të zgjidhte e para, çka do ta detyronte Bashkimin Astronomik Ndërkombëtar të organizonte një hedhje në short.

Por, meqenëse zakonisht yjeve më të shndritshme të yjësive u vihet një emër, siç është rasti për yjet Vega dhe Regulus, cili personalitet ose ish-personalitet i dy partive tona kryesore do të pretendonte që mbiemri i tij të caktohej me këtë rast, që të vjen vetëm një herë në jetë?

Rrjedhimisht, sërish mund të kishim një hedhje në short, falë të cilit personalitetit apo ish-personalitetit fatlum mbiemri do t’i merrte përmasa kozmike, duke iu përjetësuar në analet e Bashkimit Astronomik Ndërkombëtar! Ha, ha, ha!

Së dyti, më erdhi për të qeshur sepse m’u kujtua që në Shqipërinë tonë tmerrësisht demokratike ekziston e po lulëzon gjithashtu një parti tjetër, e kam fjalën për LSI-në, e cila, me të drejtë, mund të pretendojë që emri i saj t’i vihet një yjësie qoftë edhe të vogël ose, në rastin më kufizues, që emri i saj t’i bashkëngjitet emrit të yjësisë PS ose të asaj PD, sepse, në Shqipëri, siç po e tregon aktualiteti politik autokton, pa këtë parti nuk mund të qeveriset më, ngaqë vetëm në aleancë me atë, këto dhjetë vitet e fundit, secila prej dy partive tona të mëdha ka qeverisur dhe ende po qeveris.

Rrjedhimisht, kreu i saj, zoti Meta, mund të pretendojë, edhe ai, që mbiemri i tij t’i vihet yllit më të shndritshëm të yjësisë LSI ose, në rastin më kufizues, yllit të dytë më të shndritshëm të yjësisë PS ose të yjësisë PD.

Lidhur me këtë problem politiko-kozmik, po guxoj t’i sugjeroj Bashkimit Astronomik Ndërkombëtar një zgjidhje tjetër, që shpresoj t’i pëlqejë zotit Meta: ky Bashkim do të bënte shumë mirë sikur të vendoste, pa hedhje në short, që mbiemrin e kreut të LSI-së ta mbante kometa që do të vijë e para sa më afër Tokës, pra, edhe Shqipërisë, aq më tepër që ky mbiemër figuron tashmë te fjala koMETA; përveç kësaj, meqenëse ne shqiptarët kometën e quajmë edhe “yll me bisht” (shih Fjalorin e gjuhës shqipe, Tiranë, 2006), jam i sigurt që zoti Meta nuk do ta refuzonte një nder të tillë astronomik, aq më tepër që, ashtu si dardha, kometa e ka bishtin prapa, por ndryshe nga dardha, shpesh, na mëson Enciklopedia Bordas, ajo e ka bishtin të dyfishtë, pra është thikë me dy presa, sepse, siç po e tregon historia e LSI-së, dje ajo ishte e lidhur me PD-në, sot është e lidhur me PS-në! Ha, ha, ha!

Së treti dhe së fundi, më erdhi për të qeshur, por edhe për të qarë njëkohësisht, kur mendova: Po sikur yjësitë me emrat e tri partive të lartpërmendura, nën drejtimin e yjeve të tyre më të shndritshme, të përplaseshin e të shpërbëheshin, pastaj të ribashkoheshin për të qeverisur në mos kozmosin, galaktikën tonë, në mos galaktikën tonë, sistemin tonë diellor, pastaj prapë të përplaseshin, përsëri të përplaseshin, përherë të përplaseshin, si do t’i vente halli planetit tonë? Po sikur t’i afrohej këtij të fundit një Vrimë e Zezë e ta përpinte atë, ç’do të bëhej me lavdinë kozmike të partive tona e të liderëve të tyre? Ha, ha, ha! Oi, oi, oi!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura