“Po s’e solle për 10 minuta, vallai e vras”, pas videos së kërcënimit, merren masa ndaj policit

Oct 1, 2019 | 11:10
SHPËRNDAJE

kercenimi policit

Inspektorati Policor i Kosovës ka konfirmuar se ka filluar hetimin ndaj zyrtarit policor që kanosi prindin në Pejë, se do t’ia vrasë djalin nëse nuk ua sjellë brenda 10 minutave.

Polici i cili kërcënoi prindin në Pejë se do t`ia vriste djalin nëse nuk e dorëzon atë në polici, pritet të përballet me sanksione rreth dyshimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe kanosjes.

Inspektorati Policor i Kosovës, ka konfirmuar për Gazetën Sinjali se ka filluar hetimet ndaj këtij zyrtari të policisë.

“Lidhur me rastin që është raportuar të ketë ndodhur në rajonin e Pejës e që është publikuar edhe në media, ju njoftojmë se IPK pasi që është njoftuar për këtë video-incizim kanë kontaktuar me autoritetet policore në Pejë duke kërkuar edhe informacione shtesë për këtë rast. IPK ka pranuar edhe kopjen e ankesës së qytetarit dhe kanë filluar menjëherë me hetime preliminare lidhur me rastin dhe veprimet e zyrtarit policor”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Të dielën, Gazeta Sinjali ka publikuar videon e filmuar nga një sinjalizues, ku shihet sesi polici kanosi prindin derisa i biri i tij u iku policëve. Në vend se policët të angazhohen për ta gjetur dhe arrestuar të dyshuarin, njëri prej tyre tenton ta detyrojë prindin që ta sjellë djalin para organeve të rendit nën kërcënimin se nëse nuk e bën një gjë të tillë brenda 10 minutash do t`ia vrasin të birin.

“Shko bire fill, je ka vonohesh… Që s’e bjen për 10 minuta, vallain e vras”, dëgjohet polici duke i thënë prindit në videon e siguruar nga Gazeta Sinjali.

Inspektorati Policor i Kosovës, ka bërë të ditur se vetëm për gjashtë mujorin e parë të këtij viti nën dyshimet se janë përfshirë në vepra të ndryshme penale, po hetohen 289 zyrtarë të policisë./Sinjali

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura