“Po s’dëshmove kundër Shullazit, do të të fus në burg”, avokati akuzë kreut të Krimeve të Rënda

Feb 8, 2018 | 14:15
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Ish-avokatët e Emiljano Shullazit gjatë caktimit të masës së sigurisë, fill pas arrestimit të tij, Nexhdat Kambo dhe Alban Qafa kanë dëshmuar ditën e djeshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda për procesin në fjalë.

shullazi-seance

Kambo dhe Qafa kanë treguar se Ylvi Beqja, u ka thënë se kreu i Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, e ka kërcënuar që të dëshmojë kundër Emiljano Shullazit, në të kundërt do ta akuzonte për financim të organizatave kriminale.

Sipas dy ish-avokatëve të Shullazit, Beqja vinte shpesh në zyrat e tyre dhe interesohej për të, në kohën kur ai ishte arrestuar. Ai prezantohej, sipas tyre, si mik i Shullazit duke mos thënë asnjëherë se ishte kërcënuar nga Shullazi për ish-hotel “Vollgën”.

“Panorama” sjell dëshminë e dy avokatëve dhe debatet në sallën e gjyqit ditën e djeshme.

DËSHMITË

Vladimir Meçe: Si e njihni shtetasin Ylvi Beqja?

Nexhdet Kambo: E kam njohur pas arrestimit të shtetasit Shullazi. Ai ka ardhur në zyrën time, kishte kërkuar të më takonte. Aty kishte kontaktuar më një notere të zyrës. Kjo e fundit më tha që ka ardhur Ylvi Beqja dhe kërkon të të takojë. Unë në atë kohë thjesht e njihja si person, por asgjë më shumë. Ai më merr në telefon nga paraditja, ndërkohë që unë isha në gjyq dhe takimin e kemi bërë pasdite te zyra ime. Po ky s’ka qenë takimi i vetëm që kam bërë me të, pasi jam takuar edhe disa herë të tjera gjatë muajit prill 2016.

Vladimir Meçe: Dhe për çfarë keni biseduar në takimet tuaja?

Nexhdet Kambo: Bisedat tona ishin rreth hotelit, për të cilin Ylviu më tha se kishte konflikte. Ai mu prezantua mua si oficer i shërbimeve sekrete dhe biznesmen. Sa për hotel “Vollgën”, më ka shpjeguar atëherë që kishte pasur shumë konflikte. Më tha se kishte pasur shumë peripeci, konflikte gjyqësore si dhe më tha se e kishin kërcënuar. “Kam gjetur fishekë në xhamin e makinës” më tha.

Vladimir Meçe: Si ishte njohur me Emiljano Shullazin, të ka treguar?

Nexhdet Kambo: Ai më tha se e kishte njohur sepse në zonën ku jetonte Shullazi kishte pasur një polici private. Aty te “Kongresi i Lushnjës”. “I kam njohur si çuna të mirë dhe të shkathët”, më tha dhe i kishte kërkuar që t”i siguronin jetën. “I kam kërkuar ndihmë Shullazit”, më tha, se nuk kishte besim në autoritetet gjyqësore. Në fillim kishte takuar Gilmandon dhe më pas Shullazin. Pasi kishin rënë dakord që do të bashkëpunonin, sipas tij, kanë bërë edhe një kontratë noteriale për të institucionalizuar marrëdhënien. Kontrata është bërë te noterja Drita Peti. Gjithashtu, më tregoi se kishin bërë edhe një kontratë tjetër për hotelin “Vollga”. Kur më ka treguar për këtë kontratë i kam thënë se pse i kishte dhënë kaq shumë, ai më tha se mund ta kishte humbur të gjithën dhe e kam vetëm prej tij.

Vladimir Meçe: Lidhur me marrëdhënien me Shullazin, iu ka shfaqur probleme?

Nexhdet Kambo: Në takimin e parë që kam bërë me të apo edhe të tjera që kam bërë, ai i thërriste ata shkurt Mili dhe Mandi, për Emiljanon dhe Gilmandon. Më thoshte se i kishte miq dhe ishin persona që i kishin shpëtuar kokën. Në dijeninë time, kontratat nuk janë bërë nën kërcënim.

Emiljano Shullazi: Kur të ka takuar me ty, në dijeninë tënde, ka pasur kërcënime nga të tjerë?

Nexhdet Kambo: Po, ka pasur. Ai më ka thënë se i kanë bërë presion në lidhje me pronën. Më pas ka nxjerrë muhabete lekësh. Më tha që t’i kërkoja çunave(për Gilmando Danin dhe Emiljano Shullazin) t’i jepnin lekët. Unë kam shkuar personalisht dhe kam takuar Shullazin, i cili më shpjegoi pak në lidhje me çeqet dhe më tha që ai nuk ka marrë asgjë, pasi ai ia kishte dhënë çunave.

Emiljano Shullazi: Lëri këto se i dimë tani, po thuaj emrat që më ke thënë mua në paraburgim, të cilët kanë kërcënuar Ylviun. Thuaji këtu tani!

Nexhdet Kambo: Ylviu më tha se e kishte kërcënuar Besim Hajdarmatajn. “Më ka takuar në një lokal në zonën e “21 Dhjetorit”. Më tha se nëse nuk dëshmoja kundër Emiljano Shullazit, do të arrestohesha për veprën penale të “Financimit të grupit të strukturuar kriminale”, kështu më tha. Më pas, unë i kam ofruar ndihmë për të zgjidhur këtë situatë, por sipas tij, situata ishte e rëndë. Ylviu tha se ishte kërcënuar edhe nga Zamir Hasa. Ai kërkoi lekë që të largonte familjen nga vendi sepse sipas tij, kërcënohej nga shteti.

Prokurorja: Çfarë ndihme konkrete i ka dhënë Shullazi Ylviut, jua ka treguar këtë?

Nexhdet Kambo: Siguri fizike, ndërsa sa i përket pronës, veprimi është fakti që ai shkonte në institucione dhe interesohej për ecurinë e punës, për regjistrimin e hotelit.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura