Po Prokuroria ku është?

Jul 11, 2018 | 10:00
SHPËRNDAJE

PËLLUMB NAKOnako

Vetingu filloi dhe po vazh don. Gjyqtarë e prokurorë që largohen, të tjerë që konfirmohen. Vlerësohet pasuria dhe profesionalizmi. Për të garantuar transparencë, magjistratëve që i nënshtrohen vetingut, i bëhet publike edhe një grafikë e pasurisë, ku ngritja thuajse vertikale e saj vitet e fundit e kanë bërë tashmë gjykimin për shumë syresh. Paketa e ndryshimeve ligjore, më së shumti, u aprovua.

Ndërkohë kemi edhe një Prokuror të Përgjithshëm të përkohshëm. Sapo kaloi dhe vetingun. Sigurisht. Prokuror që ka kryer jo pak lëvizje. Pra, një reformim në ecje. Natyrshëm, pyetja që behet është se sa shumë apo pak po ndihet impakti i kësaj reforme nga publiku i gjerë. A ka ndikim direkt ajo mbi qytetarin? Është shpejt thonë disa, po vonohet, thonë të tjerë. Në arenën ndërkombëtare, shtyrja e hapjes së negociatave nga Bashkimi Europian duket se pikërisht për këtë pyetje kërkon përgjigje.

Megjithatë, pavarësisht se gjithçka është në proces, njëri aspekt i gjithë kësaj reforme, kryefjalë për hapat drejt Europës, duhej të ishte tashmë tërësisht funksional dhe i ndryshëm nga ai që ka ekzistuar deri më sot. Bëhet fjalë për një aspekt shumë të ndjeshëm për opinionin e gjerë: komunikimet publike të organit të Prokurorisë. Transparenca e veprimeve. Prononcimet e saj për qytetarët lidhur me problematikat që tërheqin fort vëmendjen e tij.

A ka ndryshuar komunikimi me publikun e gjerë? Po ndodhin shumë ngjarje që kanë tronditur vendin. U bënë disa syresh që kanë ndjekur njëra-tjetrën. Publiku vazhdon të ushqehet dhe jo të qetësohet nga studiot televizive nëpërmjet burimeve të brendshme e konfidenciale të organit të Prokurorisë. Kjo është meskine për këtë organ. Jo e ndershme. Mungesa e prononcimit publik të organit të Prokurorisë krijon vakum dhe bën që të jenë të tjerë ata që e mbushin atë.

E para është politika. Secili krah në drejtimin e tij. Krahut politik në pushtet i vjen në ndihmë edhe ekzekutivi si më mirë i informuari. Nuk mungojnë këtu as hamendësitë e natyrshme të medias, sipas orientimit politik apo profilit të gazetarëve. Në kafene, sigurisht biseda pafund. Policia, nga ana e saj, del thuajse rregullisht, por po aq pak besohet. Madje, edhe perceptohet që hera-herës kryen veprime të paligjshme.

Përveç këtij aspekti subjektiv, edhe objektivisht prononcimi publik i Policisë lidhur me ngjarje të rënda, që tronditin publikun, mund të ngjallë probleme të natyrës hetimore, pasi ajo kryen veprimet e para, në kushte emergjence dhe ngjarja më pas mund të marrë tjetër rrjedhë. Prononcimi publik i organit të Prokurorisë nuk është në traditën e vendit tonë. Mentaliteti i saj në vazhdimësi ka qenë dhe duket se po mbetet ende ai i fshehjes përballë ballafaqimit me publikun.

Kur një ngjarje e rëndë kriminale ndodh, Prokuroria hesht. Zhurma më pas fashitet dhe ngjarja shëtit në fletët e dosjeve para se publiku të zgjohet përsëri në momentin e gjykimit. Edhe në këtë rast, Prokuroria “del paq” se në qendër të vëmendjes është gjykata. Dhe ajo nuk e njeh fare komunikimin me publikun. Por reforma, përmbysjen e traditës negative synon. Lidershipi aktual vërtet e kaloi vetingun, por në këtë drejtim nuk po shënon ndonjë prurje të re.

Për çdo ngjarje të rëndë kriminale që ndodh, në vendet perëndimore, ku shumë nga prokurorët tanë kanë bërë vizita studimore, besoj e kanë mësuar se është prokurori ai që del në publik, jep versionin ligjor, zyrtar të ngjarjeve dhe qetëson publikun. Të gjithë të tjerët heshtin. Është detyrim moral dhe ligjor i këtij organi. Në respekt të plotë të të ndjerit, por nuk është çështje e vogël vetëvrasja apo pretendimi për vrasje i shoferit të ministrit të Brendshëm.

Ngjarja u bë objekt i një debati shumë të fortë në publik. Me vend apo pa vend, me përfitime apo pa përfitime, gjithçka është e mundur. Por folën ata, që nuk kanë monopolin e provës. Foli dhe Kryeministri. Prokuroria heshti. Edhe në qoftë e kontestuar zgjedhja e Prokurores së Përgjithshme, sqarimi i publikut nga organi i saj është marrje përgjegjësish ligjore. Por Prokuroria nuk foli. Nënshtrim ndaj ekzekutivit? Përvjedhje ndaj përgjegjësive? Mediokritet? Të gjitha janë të mundshme dhe po aq të rënda.

Çfarë duhet të ndodhë më shumë, që ajo të prononcohet e të qetësojë publikun? Dalja ose mosdalja publike për ngjarje të rënda, që shqetësojnë mbarë vendin, është treguesi më i qartë nëse është apo jo Prokuroria organ i pavarur. Prononcimi publik i organit të Akuzës është detyrim jo thjesht për faktin se ka këtë apo atë prokuror në krye, por për faktin e ligjit. Ligji e përcakton Prokurorinë si drejtuese të hetimit dhe për një çështje që trondit vendin dhe që është nën hetim duhet të flasë drejtuesi i saj, jo ndihmësi. Pra, duhet të flasë Prokuroria dhe jo Policia. Veprimet e para hetimore të Policisë kryhen në një kohë të shkurtër dhe të shpejtë. Këto veprime bazohen gjithmonë mbi dukjen. Dhe dukja mund të mos rezultojë reale më vonë.

Ky është edhe motivi se përse Prokuroria vlerëson dhe çmon të gjitha aktet hetimore të Policisë. Pamja që ajo ka për ngjarjen e ndodhur është shumë më e saktë. Pra, nisur vetëm nga dy elementët e mësipërm të filozofisë së hetimit, ligjërisht, Prokuroria është institucioni i cili ka pozicionin me ideal, më të besueshëm dhe të padëmshëm në ecurinë hetimore, për të njoftuar publikun lidhur me një çështje që trondit vendin. Ajo që po ndodh nuk është as e ndershme dhe as profesionale.

Reforma dhe vetingu, për qëllim fundor, kanë vënien e drejtësisë në baza të drejta në mënyrë që popullsia të jetojë në paqe sociale dhe publiku të jetë i mirinformuar. Është e drejta e tij. Deri më sot që flasim, nuk është parë asnjë shenjë që organi aktual i Prokurorisë të marrë përgjegjësitë e tij institucionale dhe të dalë e të informojë opinionin e shqetësuar për ngjarje të rënda. Por kur del Kryeministri dhe Prokuroria hesht, për fat të keq, komentet duken të tepërta. Dhe ky është hap prapa.

*Ish-drejtor në Policinë e Shtetit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura