Po Policia, përse nuk bën punën e saj?

May 19, 2018 | 12:34
SHPËRNDAJE

PËLLUMB NAKO*

nako

Në verën e vitit 2009, kur Policia e Shtetit e asaj kohe përfundoi realizimin e një projekti prej 3 milionë eurosh me Delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë, projekt ky që konsistonte në blerjen e gjashtë mjeteve të shpejta lundrimi për patrullim në det, në ambientet e repartit Delta Forcë në Vlorë u zhvillua një ceremoni. Edhe vetë reparti ishte ndërtuar i ri, me financimin e qeverisë shqiptare. Në ceremoni do të merrte pjesë Kryeministri Berisha si dhe ambasadori i Bashkimit Europian i asaj kohë në Tiranë. Shqetësimi thuajse mbytës në përsëritje i përfaqësuesit të Delegacionit në atë ditë ishte një detaj: kur të fliste kryeministri, foltorja ku mbështetej mikrofoni nuk duhet të kishte asnjë simbol partiak. Dhe ashtu u bë. Madje lehtësisht.

Duket një detaj, por Delegacioni i Bashkimit Europian ishte shumë i kujdesshëm për mesazhet që donte të përcillte, ndaj për të, edhe kjo simbolikë që ndoshta për shumëkush nuk do të binte fare në sy, ishte e rëndësishme. Pra, ai donte të tregonte se po ndihmonte Shqipërinë dhe jo partinë në pushtet.(Më pak kujdes duket se ka aktualisht. Por nuk është kjo tema).

Nuk është e re të thuhet se rëndësia e komunikimit me publikun është pushtuar fort dhe me shpenzime faraonike nga kasta aktuale qeverisëse dhe nga titullarë bashkish të rëndësishme të vendit. Teknologji, profesionalistë, para. Shumë para nga taksat tona. I vetmi institucion që në mënyrë sistematike vazhdon të mos e kuptojë rëndësinë e këtij instrumenti, është Policia jonë e Shtetit. Edhe kur mundohet të përdorë teknologji, bën gabime ligjore.

Në këto ditë debati të nxehtë lidhur me problemin e vëllait të ministrit aktual të Brendshëm, natyrshëm media ka përcjellë çdo detaj dhe me çdo mjet. Me shkrim, online, me foto, me vizatime edhe me video. Në këtë fushëbetejë të rrafshit politik, shumë larg temave që lidhen me aspekte teknike të sigurisë në vend, Policia e Shtetit, nga padija apo keqpërdorimi, nuk do të qëndrojë neutrale, pa u përzierë në debat, për arsyen madhore së ajo është institucion i të gjithëve, por do të shfaqet në një mënyrë vërtet të çuditshme vetëdemaskuese. Fakti që tërheq vëmendjen dhe tregon shumë, është se konferenca për shtyp e ministrit të Brendshëm e datës 16 maj u botua në video dhe u postua në shumë rrjete sociale me mbishkrimin “ Publikuar nga Policia e Shtetit”. Po policia ç’pati dhe u fut në këtë debat që nuk i përket aspak? Gabimi i radhës në komunikimet e saj me publikun?

Autorët e prodhimit dhe publikimit të kësaj videoje më së pakti janë treguar amatorë në përmasa tragjiko-komike, që duke dashur të jenë korrektë dhe të paraqesin kopyrightin e një prodhimi të tyre, kryejnë hapur një veprim të pastër antiligjor që cenon rëndë depolitizimin e saj. Pra, ose autorët e videos kopjojnë modelin e videove të shefit të qeverisë ku shkruhet “Publikuar nga Edi Rama” ose depolitizimi si detyrim ligjor shkelet fare hapur. Shefi është në rregull. Policia jo.

Paradoksi për Policinë,(madje institucion ligjor), qëndron në faktin se mbishkrimi për të mbrojtur prodhimin e saj intelektual është antiligjor. Që policia t’i ofrojë ministrit të saj gjithë infrastrukturën teknike për një konferencë për shtyp të tijën, e më pas ta bëjë atë publike ( si në rastin e forumeve qytetare të sigurisë e shumë të tjera të këtij lloj) është mëse normale dhe futet në detyrat dhe detyrimet e saj ndaj publikut. Me kushtin që kur ministri, si titullari i parë i institucionit të sigurisë publike, t’i drejtohet publikut për probleme të lidhura me detyrën e tij funksionale.

Për rastin që po flasim konteksti nuk është i njëjtë. Në këtë konferencë për shtyp ministri i Brendshëm u shfaq para mediave për një problem të tijin, të të afërmve të tij, të lidhur me disa akuza të bëra nga ana e opozitës. Pra, ai bëri një reagim personal, publik që nuk ka asnjë lidhje me institucionin e Policisë, me sigurinë publike të qytetarëve. Ai ishte brenda rolit të tij politik, personal dhe jo institucional. Video apo tekst, film apo saga, duhet të ishte kabineti i Ministrisë së Brendshme dhe jo Policia e Shtetit, ajo që duhej të nxirrte videon në publik. Por, fatkeqësisht ishte Policia. Për hir të së vërtetës, ministri u sulmua edhe për probleme që lidhen direkt me punën e Policisë dhe jo të tijën. Është apo nuk është në kërkim ndërkombëtar vëllai i ministrit nuk është punë e tij, por e Policisë. Të gjithë e dinë se në bazë të nenit 7, germa dh, thuhet se: “Ministri nuk ndërhyn në pavarësinë operacionale të shërbimit të Policisë dhe nuk përfshihet në drejtimin operacional të saj”. Kurse neni 4 i ligjit për Policinë e Shtetit e thotë qartë se Policia është person juridik dhe i depolitizuar. Por, si zakonisht, në këtë qeverisje gjërat shkruhen në ligj, bukur, kurse respektimi është tërësisht tjetër gjë. Në vend të merret me detyrat që i ngarkon ligji dhe të arrestojë pa dallim personat e kërkuar në nivel ndërkombëtar, të fillojë me Prokurorinë verifikimin e aseteve për personin e dënuar në Itali, Policia jonë e Shtetit i ofron publikut dhe gjithë taksapaguesve të saj videon e prononcimit personal të ministrit me siglën “ Publikuar nga Policia e Shtetit”. Megjithatë, situata të tilla kaq paradoksale zor se ndodhin në botë, ndaj dhe referencat vështirë të gjenden. Por ligji është aty. Ai duhet zbatuar. Ky detaj i videos, në dukje i vogël, tregon se sa false, se sa cinike kanë qenë dhe mbeten deklarimet e disa drejtuesve shumë të lartë të Policisë së Shtetit gjatë përplasjes me opozitën në ditët e gjykimit të manifestuesve nga Kukësi kur sqaronin opozitarët: “ Policia nuk është e imja, është e shtetit”.

Kur mendon për debatet e shumta, të cilat kërkojnë pavarësinë e vërtetë të Policisë nga politika dhe mendja shpesh si zakonisht akuzon vullnetin e munguar të politikës për këtë problem, duket se Policia vetëofrohet dhe nuk tregohet aspak e gatshme të punojë e pavarur nga politika. Kopyrighti që Policia duhet të prodhojë është ligjshmëria në ushtrimin e detyrave të saj, jo videoja për ministrin.

*Ish-drejtor në Policinë e Shtetit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura