Zbulohet atentati me pagesë në Tiranë. Prangoset çifti, në kërkim dy të tjerë (FOTO)

Aug 5, 2015 | 15:00
SHPËRNDAJE

UPDATE/Parandalohet në Tiranë një vrasje e mundshme me eksploziv ndaj një emigranti që sapo ishte kthyer nga Italia. Policia e Tiranës, gjatë operacionit të koduar “Emigranti”, arriti të bëjë arrestimin e dy personave që do të kryenin vrasjen.

Mësohet se u shpallën në kërkim dy të tjerë, që dyshohet të jenë porositësit e atentatit. Burime të rezervuara nga grupi hetimor thanë mbrëmë se vrasja ka të bëjë me borxhin mes objektivit dhe personit që kërkonte ta eliminonte.

Julian Shorja
Julian Shorja
Megjithatë, Policia nuk sqaron saktësisht konfliktin mes këtyre personave, madje nuk bën publike as emrin e personit që do të vritej, për shkak se mund të ketë ndonjë hakmarrje mes palëve.

Oficerët e Krimeve të Rënda arrestuan dje një çift të fejuarish, Juljan Shorjan, 29 vjeç, dhe Riviola Tomën, 26 vjeçe, pasi dyshohet se 29-vjeçari ishte porositur për të kryer atentatin me eksploziv. Ndërsa e fejuara e tij u arrestua pasi në banesën e saj u gjet bimë narkotike e mbjellë në vazo.

shorja2Të njëjtat burime thanë se arrestimi i shtetasit Juljan Shorja u krye pasi nga veprimet hetimore rezulton se ky person po përgatiste një minë me telekomandë për ta vendosur në makinën e emigrantit. Për këtë ngjarje ai dyshohet se ishte porositur nga shtetasi me iniciale Sh.P., në bashkëpunim me shtetasin M.A., të dy të shpallur në kërkim nga Policia.

OPERACIONI
Disa ditë më parë, oficerët e Sektorit të Krimeve të Rënda të Policisë së Tiranës kishin arritur të siguronin informacione në rrugë operative se në zonën e Kombinatit po përgatitej të kryhej një atentat me eksploziv. Menjëherë pas këtyre të dhënave, ka nisur një hetim i gjerë me përdorimin e metodave speciale, derisa është arritur të zbulohet objektivi i atentatit të mundshëm, personit që po përgatiste minën me telekomandë dhe personave që e kishin porositur.

Julian Shortja dhe Ravjola Toma
Julian Shortja dhe Ravjola Toma
Policia e Tiranës tha dje zyrtarisht se: “Pasditen e djeshme, nga Strukturat e Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, në kuadër të operacionit të koduar ‘Emigranti’, u parandalua një ngjarje e mundshme kriminale, ku u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve Juljan Shorja, 29 vjeç, lindur në Durrës e banues në Kombinat, i dënuar më parë për vjedhje, dhe Riviola Toma, 26 vjeçe, lindur dhe banuese në Tiranë.

Policia ka thënë se u bë shpallja në kërkim e shtetasve SH.P. dhe M.A.”. Policia sqaroi gjithashtu se Juljan Shorja u prangos pasi nga veprimet hetimore rezulton se ky shtetas po përgatiste një lëndë plasëse për llogari të shtetasit SH.P., ku ky i fundit, në bashkëpunim me shtetasin M.A., do ta përdornin për eliminimin e një personi.

“Nga kontrolli i banesës së shtetasit Juljan Shorja u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy kapsolla detonatore, municione luftarake, si dhe lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa, e mbjellë në vazo brenda banesës së tij. Arrestimi i shtetases Riviola Toma (e fejuara e Juljan Shorjas) u bë pasi gjatë kontrollit në banesën e saj u gjetën dhe u sekuestruan bimë narkotike e dyshuar kanabis sativa, e mbjellë në vazo brenda banesës së saj”, deklaroi dje Policia e kryeqytetit.
ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura