Po për ekonominë a duhen të huajt?

Jul 24, 2016 | 12:00
SHPËRNDAJE

klodian mucoNGA KLODIAN MUÇO

Me aprovimin definitiv të Reformës në Drejtësi, arritëm në fund të një rruge të gjatë, të komplikuar dhe të vështirë. E filluar pothuajse një vit më parë, në kulmin e një krize jo të lehtë politike, ekonomike dhe institucionale, në të cilën kish rënë vendi.

Kjo edhe për shkak të mosdëshirës për ta aprovuar këtë reformë jetike si për integrimin e vendit në Bashkimin Europian, po ashtu edhe për rritjen e ndërgjegjshmërisë në zgjedhjen e figurave profesionale dhe me integritet, si në sistemin e drejtësisë, po ashtu edhe në Parlament.

Paradoksalja e kësaj reforme ishte se me shumë gjasa, shumica e politikëbërësve tanë nuk e dëshironin, ose më saktë edhe nëse e dëshironin, preferonin të çonin vendin në kaos total vetëm e vetëm që ata të mos cenoheshin, apo akoma më mirë të dilnin të fituar politikisht nga aprovimi i saj.

Kjo u vërejt më së miri një ditë para votimit të reformës, ku si politikanët, po ashtu edhe gazetarët, shkruanin pa fund për meritat e njërit krah politik apo krahut tjetër në arritjen e konsensusit.

Nëse aktorët ndërkombëtarë nuk do të ishin impenjuar për aprovimin me çdo kusht të kësaj reforme, duke arritur herë-herë edhe në tejkalimin e kompetencave të tyre deri në limitet e cenimin të sovranitetit të vendit, jam i bindur se shumë politikëbërës ishin gati për ta udhëhequr vendin edhe në një “stuhi”, vetëm e vetëm që ta kthenin krizën ekonomike dhe politike në një shërbim të tyre politik.

Është impresionues fakti që në realitetin shqiptar, edhe pse të gjithë e dimë çfarë është e mira dhe cilat janë cilësitë e BE-së në momentin kur kërkojmë të realizojmë një reformë jetike që na afron me BE-në, ajo që në nisje fillon të lëkundet nga dyshimi se në Shqipëri asgjë nuk funksionon si në vendet perëndimore.

Ndryshe nga shumë reforma të tjera të aprovuara në Parlament përgjatë tranzicionit, kjo e Drejtësisë është më e veçanta, pasi është aprovuar me një unanimitet absolut dhe u realizua me një konsensus të gjerë nga të gjithë aktorët ndërkombëtarë, të gjitha këto janë tregues optimistë se kjo reformë do të jetë funksionale në të ardhmen. Tashmë lind natyrshëm pyetja, po me ekonominë çfarë do të bëhet, mos vallë duhet edhe aty ndihma e ndërkombëtarëve?!

Në vitet e fundit në Shqipëri, por edhe në kontekste të tjera botërore, jemi duke asistuar në një shpopullim të zonave rurale. Personat po abandonojnë natyrën, të tërhequr kryesisht nga imazhi i qytetit dhe i vendeve të huaja, simbol i pasurisë dhe i mundësive, duke humbur kështu në mënyrë progresive mundësitë e zhvillimit të agrikulturës vetëm e vetëm për të qenë pjesë e qytetit.

Sot tashmë për të jetuar mirë nuk nevojitet më spostimi në qytetet e mëdha, ku shumë sektorë të ekonomisë janë të paralizuar nga kriza (si ndërtimi) e në shumë sektorë të tjerë rrogat janë shumë të ulëta (call-center, fason).

Nëse kohë më parë ka pasur momente kur migrimi në masë drejt qyteteve apo vendeve të tjera ishte i nevojshëm për mbijetesën e individëve, sot duhet të jemi koshientë se migrimi nuk është i vetmi opsion. Një vend si Shqipëria ka nevojë të orientojë energjitë drejt bujqësisë dhe turizmit, pasi janë sektorë që operojnë nën potencialin e tyre dhe janë relativisht të thjeshtë për t’u zhvilluar.

Po ashtu, për sa u përket produkteve bujqësore, jemi një vend deficitar në këto produkte, rritja e prodhimit të tyre do të shkonte për konsumin vendës, duke përmirë- suar balancën tregtare dhe mirëqenien e përgjithshme. Në vendet e zhvilluara, bujqësia dhe turizmi promovohen me çdo mjet pak rëndësi ka vendi ku ndodhet.

P.sh. në stacionin hekurudhor të Zyrihut i bëhet publicitet Vrin-it, një vendi me 275 banorë në 1500 metra lartësi, por që ka një natyrë të mrekullueshme dhe prodhime blegtorale cilësore. Vende të tjera përdorin “e-commerce” për të promovuar produktet e tyre dhe për të kaluar nga pozicioni lokal në atë global, duke i dhënë vetës një shans të madh për të gjeneruar zhvillim, edhe pse janë vende të vogla. Kjo gjë realizohet edhe duke shitur paketa turistike të turizmit të eksperiencës: për të punuar një ditë si artizan, apo për të jetuar një ditë si banor i asaj zone, për të provuar ndjenjat, emocionet dhe shijet e asaj zone.

Pra, për të zhvilluar bujqësinë dhe turizmin, në shumë zona nevojitet që të informohet popullsia rurale për potencialet e atij territori, për mungesat që ka tregu për produkte bujqësore, për mbështetjen financiare që jep qeveria apo institucionet ndërkombëtare. Në fund mund t’u ofrohet edhe asistencë në hartimin e “business plan”-it, pasi shumë prej tyre nuk i kanë njohuritë e duhura.

Gjithashtu, përveç frenimit të migrimit dhe shfrytëzimit të potencialeve që ka bujqësia dhe turizmi, një tregues tjetër preokupues për Shqipërinë është produktiviteti i ulët në punë. Vendet e zhvilluara janë më dinamikë në rritjen ekonomike, pasi investojnë më tepër në kapital human dhe në progres teknik.

Ndërsa në Shqipëri vërehet një orientim i punësimit në sektorë jo të kualifikuar dhe me produktivitet të ulët. Po ashtu vërehet në përgjithësi një kapacitet i ulët për të rivlerësuar njohuritë dhe impenjimin e të punësuarve, duke i konsideruar këta të fundit vetëm si një faktor kosto dhe jo si një faktor primar për gjenerimin e të ardhurave.

Vendet skandinave apo Gjermania kanë aprovuar me unanimitet (pozitë-opozitë) riorganizimin e punësimit të bazuar në tri shtylla kryesore: riorganizim sindikatash, të cilat nxisin inovacionin dhe kontribuojnë në rritjen e produktivitetit (duke stimuluar punonjësit që impenjohen më tepër); reforma në punësim për të ulur koston e punës dhe duke e bërë tregun e punës më fleksibël, gjë që e ka edhe Shqipëria dhe investim në formimin e vazhduar për të forcuar edhe më tepër lidhjet punëtor-sipërmarrës, si dhe për të rritur produktivitetin në punë.

Në literaturën ekonomike, të gjithë janë dakord se ekziston një konsensus shumë i gjerë ndërmjet studiuesve, që kapitali human është komponent primar në zhvillimin ekonomik të një vendi.

Nëse inteligjencës humane i bashkëngjitet dhe formimi arsimor, kjo e bën atë një faktor strategjik për ndërmarrjen. Pra, kualifikimi i burimeve njerëzore dhe investimi në to do të ketë rol primar në produktivitetin dhe kapacitetin e një ndërmarrjeje për të konkurruar në tregjet ndërkombëtare.

Për sa i përket zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, shpesh kemi parë se zhvillimi konvulsiv i ekonomisë dhe obsesioni për rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto, me çdo kusht për të treguar që patëm rritje ekonomike apo zhvillim, ka provokuar probleme jo të vogla për ekonominë e vendit, të cilat riskojnë të transformohen në katastrofa, siç mund të ishte ajo e investimeve publike dhe mbështetja e rritjes ekonomike me anë të borxhit publik, duke e rritur çdo ditë e më tepër atë, pa marrë në konsideratë përballueshmërinë e tij, zhvillimi ekonomik në thelb nuk është vetëm rritje shifrash, apo “manipulimi” i tyre, zhvillimi është edhe rritje e mirëqenies dhe e sigurisë për të nesërmen.

Ndërkohë, nëse do t’u referohemi modeleve të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, ato kanë në fokus punësimin dhe orientimin e investimeve të huaja, pasi rritja ekonomike e një vendi vjen si rezultat i përmirësimit dhe orientimit të investimeve me qëllim rritjen punësimit, produktivitetit, uljen e importeve dhe rritjen e eksporteve. Për të konkluduar, mendoj se për të ndërtuar një ekonomi moderne dhe dinamike nevojitet të ndërtohet një shoqëri po aq moderne dhe dinamike.

Ne duhet të jetojmë në një sistem ekonomik që bazohet në format e kreativitetit individual dhe në të pasurit mundësi që individët t’i japin më të mirën e tyre shoqërisë që e rrethon. Për ta realizuar këtë nevojitet liri, barazi dhe konkurrueshmëri.

Tregues këta që janë antagonistë me koncesionet apo me çdo formë të ngjashme me to. Për të pasur rritje ekonomike dhe zhvillim të qëndrueshëm, nevojitet po ashtu një unanimitet absolut ndërmjet të gjitha forcave politike, si ai për Reformën në Drejtësi, sa herë që të diskutohet për planet strategjike të zhvillimit që të mos rishikohen po aq herë që ndryshojnë qeveritë.

Shpresoj që nga këtej e tutje, ky konsensus do të arrihet në mënyrë spontane nga aktorët politikë vendës, pa ndihmën e të huajve tashmë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura