Po organet e sigurisë kombëtare, janë të rrezikuara nga korrupsioni?

Jan 8, 2020 | 11:10
SHPËRNDAJE

PËLLUMB NAKO pellumb nako

Një shtetas turk u dëbua nga territori i Shqipërisë për në vendin e tij të origjinës. Ai sapo kishte mbaruar dënimin e dhënë për falsifikim dokumentesh. Ngjarja u komentua në këndvështrime të shumta, nisur nga fakti se personi njihej si gylenist dhe tashmë dihet trajtimi i tyre nga ana e shtetit turk. Po ashtu, në media u bë e ditur se agjencitë e lajmeve të këtij shteti kishin dhënë njoftimin se dëbimi i shtetasit në fjalë drejt vendit të tij ishte vepër e shërbimeve të fshehta turke. Megjithë komentet dhe zhurmën e rastit, organet tona kompetente nuk janë prononcuar për të sqaruar publikun.

Fakti që mbetet tregon se shtetasi turk është kapur me dokumente të falsifikuara nga organet tona të sigurisë kufitare në momentin kur ai po mundohej të dilte nga territori i Shqipërisë. Ndërkohë që kishte vite që banonte në vendin tonë. Nisur nga këto dy të vërteta, si gylenist i kërkuar nga organet e vendit të tij, ai është jashtë kushteve logjike të një kërkesë për azil në vendin tonë. Kjo, sepse dokumentin e falsifikuar ai nuk e përdori për të hyrë në Shqipëri, siç bëjnë normalisht persona të persekutuar apo të përndjekur në vende të ndryshme. Për t’u larguar nga vendi i tyre dhe për të shkuar drejt një vendi tjetër me objektiv kërkesën për mbrojtje nga azili, ata përdorin edhe dokumente të falsifikuara. Në bazë të kësaj mënyre veprimi, me të mbërritur në destinacion, personat në fjalë, ose e grisin, ose e dorëzojnë dokumentin e falsifikuar sapo kërkojnë azil. Pra, gylenisti turk, në rastin tonë konkret, është shumë larg një situate që të çon drejt një kërkese për mbrojtje. Pra, për azil. Thjesht, ai donte të largohej drejt një vendi tjetër

Pasi ka mbaruar dënimin për falsifikim dokumentesh, ai është shoqëruar nga organet tona të migracionit dhe është dëbuar për në shtetin e origjinës. Ky është edhe fakti më i komentuar. Si logjikë ligjore, akti i dëbimit kryhet duke marrë parasysh specifikat e individit që do t’i nënshtrohet procesit. Ka mjaft raste kur të huajit i lihet kohë e bollshme për t’u bërë gati me qëllim që të largohet nga vendi në mënyrë vullnetare. Por ka edhe raste kur ai merret automatikisht dhe përzihet nga vendi me forcë. Pa i dhënë kohën për t’u përgatitur e të largohet vullnetarisht. Ligji i njeh të dyja rastet. Rasti i dytë, pra, kur personi dëbohet menjëherë me forcë, ka si klauzolë motivacionin “si rrezik për rendin publik”. Në rastin tonë konkret, shtetasi turk e ka të ligjëruar këtë motivacion sepse në territorin shqiptar ai ka kryer një akt antiligjor.

Ngjarja me komentet e saj të shumta solli në skenë edhe shërbimet sekrete të shtetit turk. Sepse në këtë proces, organet e sigurisë kombëtare të vendit tonë kanë edhe ato rolin e tyre, ndërkohë që argumentimin ligjor administrativ e japin organet e sigurisë publike.

Bazuar në ligjin për të huajt, dihet që edhe Shërbimet kanë rolin e tyre ligjor për të pajisur një të huaj me leje qëndrimi, për të ndërprerë atë si dhe për të dëbuar apo edhe për të prapësuar dëbimin e një shtetasi të huaj nga territori i ynë. Madje, këto organe ligjërisht kanë të drejtën e vetos në procesin administrativ që rregullon qëndrimin e një të huaji në Republikën e Shqipërisë. Ky atribut është normal, pasi bëhet fjalë për sigurinë kombëtare të vendit dhe ajo vjen e para. Nga ana tjetër, ekzekutimin e vendimit për të refuzuar pajisjen me leje qëndrimi, për të ndërprerë atë dhe për të dëbuar një të huaj, e kryen organi i migracionit, pjesë e Policisë së Shtetit. Shërbimet e sigurisë kombëtare nuk japin asnjë lloj argumenti, por vetëm motivin, gjithmonë të lidhur me sigurinë kombëtare. Dhe kjo e gjitha mbulohet nga sekreti. Edhe nëse i huaji e ankimon vendimin e organeve të migracionit në Gjykatë, nuk ka asnjë mundësi të fitojë anulimin e vendimit përballë motivit të refuzimit të shprehur nga shërbimet e sigurisë kombëtare për t’i ndërprerë lejen e qëndrimit apo për ta refuzuar atë. Pra, ky është thelbi i raporteve ndërmjet organeve të migracionit dhe atyre të sigurisë kombëtare, edhe në rastin e shtetasit turk.

Natyrshëm, në kontekste të tilla lindin edhe pyetje. A ka rrezik abuzimi me të huajt? Sepse një veprim i kryer nga ana e organeve të migracionit në emër të sigurisë publike të vendit kontrollohet nga ana e Gjykatës. Kurse një veprim i kryer nga ana e shërbimeve në emër të sigurisë kombëtare duket se nuk kontrollohet nga Gjykata.

Sigurisht, në një kontekst kur gjithçka mbulohet nga sekreti, është e vështirë që gjërat të dalin në dritë, pavarësisht se si gjithë administrata publike e vendit, edhe ajo e sigurisë kombëtare nuk është e imunizuar nga korrupsioni.

Më konkretisht bëhet fjalë për një kategori shtetasish të huaj, të cilëve, me motivacion të organeve tona të sigurisë kombëtare, u ndërpritet leja e qëndrimit. Për rrjedhim, ata janë të detyruar të braktisin edhe aktivitetin ekonomik që kanë ngritur në vendin tonë. Në pjesën dërrmuese në ortakëri me shtetas shqiptarë. Nga biseda me avokatë të ndryshëm, të cilët mbrojnë në Gjykatë çështje të kësaj kategorie, gjatë procesit gjyqësor rezulton se ata nuk kanë asnjë mundësi të mbrohen. Pra, ndërprerja e lejes së qëndrimit u mbyll biznesin, i largon nga vendi dhe praktikisht ata nuk kanë mundësi ligjore të anulojnë vendimin e marrë mbi bazën e sinjalizimeve të organeve të sigurisë kombëtare.

Fillimisht, në momentet e para kur mbërrijnë në Shqipëri, ata pajisen me leje qëndrimi sipas procedurave ligjore dhe shërbimet e sigurisë kombëtare nuk kanë opinion negativ. Pra, më shumë se për refuzim, bëhet fjalë për ndërprerje të lejes së qëndrimit. Në bisedat që bëjnë me avokatët, këta të huaj pretendojnë se prapa këtij vendimi ndodhen ortakët e tyre, të cilët, pasi janë forcuar financiarisht nga aktiviteti i përbashkët, gjejnë mënyra për t’i larguar nga vendi e të vazhdojnë të vetëm biznesin. Pasi janë dëbuar, ata kanë vështirësi të mëdha që problemet e biznesit të tyre t’i ndjekin në rrugë ligjore pasi tashmë do të jenë larg, në vendin e tyre. Është e dobishme që raste të tilla të pretenduara nga të huajt t’i nënshtrohen një analize për të parandaluar fenomene negative, që nuk kanë të bëjnë me sigurinë tonë kombëtare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura