“Po nxjerrin dufin ndaj Enverit duke e quajtur pervers, pedofil dhe homoseksual”- Ylljet Aliçka i përgjigjet Nanos: Muç, ia ke futur kot

Sep 27, 2019 | 11:02
SHPËRNDAJE

“Personalisht nuk kam ndonjë mllef personal me figurën e Enver Hoxhës, siç akuzon, mjaft të them që unë nuk kam qenë i persekutuar apo i privilegjuar, dhe as më ka ndihmuar apo goditur ndonjëherë drejtpërdrejt Enver Hoxha”.

muci+-alicka

Kështu i përgjigjet Mustafa Nanos shkrimtari Ylljet Aliçka, pasi analisti përmendi romanin e tij në monologun e përjavshëm në emisionin “Provokacija”. Nano e quajti librin e Aliçkës “shfryrje dufi”, ndërsa ky i fundit, përmes një përgjigjeje në gazetën “Panorama”, i thotë se ai nuk e ka lexuar librin dhe se del në konkluzione vetëm përmes disa fragmentesh të lexuara nëpër media dhe dalë jashtë kontekstit.

Sa për pasazhin që i referohet Nano, asaj të vrasjes dhe groposjes së shkencëtares dhe intelektuales Sabiha Kasimati, Aliçka thotë se u është referuar dëshmive reale, burimeve parësore dhe nuk janë “mufka”, siç i quan Nano.

Ylljet-Alicka

YLLJET ALIÇKA

KUR PËRTEJ KRITIKËS LETRARE GODITET EDHE AUTORI

Në një nga këto ditë, Mustafa Nano, në monologun e programit të tij “Provokacija”, krahas kritikës, do të thosha objektive, ndaj librit dokumentar “Blloku” të Isuf Kalos, ai përfshihet dhe në një kritikë letrare (këtu s’ka asgjë të keqe për një zëdhënës të opinionit publik). Kritikon edhe një roman timin të fundit, “Metamorfoza e një kryeqyteti”, e bashkë me romanin edhe mua si individ, sepse, siç thotë ai, “unë nuk di t’i vë fre fantazisë dhe se, dreqi ta hajë, më tepër unë nxjerr dufin ndaj diktatorit, por nuk ndihmoj për të kuptuar se kush ishte në të vërtetë ai, sepse, argumenton Muçi, të jesh racional, do të thotë të mos thuash mufka dhe se njerëz të tillë, (si puna ime, pra) që rëndom kanë edhe përvoja personale vuajtjesh e persekucioni, përpiqen ta likuidojnë Enver Hoxhën si personazh të historisë…”

ENVER DHE NEXHMIJE HOXHA ME FEMIJET
ENVER DHE NEXHMIJE HOXHA ME FEMIJET

Muç, mendoj se ia ke futur kot dhe druaj se nuk e ke lexuar romanin tim, por u je referuar disa shkrimeve botuar nga disa të përditshme, që kanë nxjerrë krejt nga konteksti vetëm një frazë, me jo më shumë se dhjetë fjalë, shkëputur nga një roman me mbi 200 faqe. Në lidhje me aspektin e së vërtetës të asaj fraze, pra, nëse ka ndodhur vërtet varrosja për së gjalli e intelektuales Sabiha Kasimati, kjo ngjarje nuk është mufkë, siç e quan ti. As unë e as ti nuk kemi lindur në atë kohë kur ka ndodhur kjo gjë, por pretendoj të jem më shumë afër së vërtetës në krahasim me ty, pasi këtë histori e kam dëgjuar nga burime të besueshme parësore dhe jo me të dëgjuar lart e poshtë apo thjesht si produkt i fantazisë sime.

Mund të mos jemi të sigurt nëse një qenie njerëzore e varrosur për së gjalli lëshon grahmat e vdekjes përgjatë një ditë-nate apo pesë a gjashtë syresh, porse ky detaj kohor nuk e zbeh aspak dramën e tragjedisë së një prej intelektualeve më të shquara e më të emancipuar të kohës.

metamorfoza-e-nje-kryeqyteti

Personalisht, nuk kam ndonjë mllef personal me figurën e Enver Hoxhës, siç akuzon, mjaft të them që unë nuk kam qenë i persekutuar apo i privilegjuar, dhe as më ka ndihmuar apo goditur ndonjëherë drejtpërdrejt Enver Hoxha (ndoshta sepse nuk kam qenë aq i rëndësishëm për të merituar këtë vëmendje, qoftë si individ, ashtu edhe si familje), por di që u impresionova mjaft kur e dëgjova ngjarjen në fjalë, mjaft domethënëse në lidhje me krimet e komunizmit alla shqiptar.

Ashtu siç jam prekur apo impresionuar dhe me rrëfimet e Primo Levit apo mjaft dëshmitarëve shqiptarë ose jo, në lidhje me krimet e nazizmit, fashizmit, pra, të çdolloj ngjyre qofshin ato, pasi mendoj se në krijimtarinë letrare, ndryshe nga ajo dokumentare, më shumë peshë merr simbolika e fenomenit, në rastin tonë e dhunës, krimit të njeriut ndaj njeriut, vuajtjes dhe dhembjes njerëzore, thënë ndryshe ngjarja në vetvete, sesa denigrimi apo glorifikimi i personazheve realë.

Sabiha Kasimati
Sabiha Kasimati

Janë këto motive që besoj ngacmojnë çdo autor në krijimtarinë e tij. Dhe së fundi, Muç, është e tepërt të të kujtoj se nuk është etike të godasësh në mungesë dikë, që nuk ka mundësi të reagojë a mbrohet, ndërkohë që për hir të së vërtetës, rëndom, nuk i kam refuzuar ndonjëherë bashkëbisedimet si televizive, ashtu dhe ato publike me ty.

nano-1

Muç Nano, për librin e Aliçës: Po nxjerr dufin ndaj Enverit, vëri fre fantazisë

“Të jesh racional, do të thotë të mos thuash mufka që synojnë panevojshmërisht ta shndërrojnë figurën e Hoxhës nga katran në katran me bojë, që e nxjerrin atë si bartës të gjithë të këqijave apo veseve të botës, që e nxjerrin atë edhe pervers, pedofil, maniak seksual, vrasës maniak.

Ah, se harrova, edhe homoseksual. Sepse dihet se çfarë mendojnë shqiptarët për një homoseksual”. Analisti Mustafa Nano, në “Provokacija”-n e tij ka ngacmuar ndjeshmërinë e shqiptarëve në lidhje me figurën e diktatorit Enver Hoxha. Për këtë, ai u është referuar dy librave, që kanë bërë bujë kësaj vere: “Blokut” të ish-mjekut të Enver Hoxhës, Isuf Kalo, dhe romanit të Ylljet Aliçkës, “Metamorfoza e një kryeqyteti”. Dy vepra tejet të ndryshme nga njëra-tjetra dhe që sipas Nanos e nxjerrin diktatorin në drita të ndryshme. Nga njëra anë, Kalo e nxjerr si një burrë “babaxhan”, nga ana tjetër Aliçka si një vrasës mizor. Në monologun e emisionit të tij “Provokacija”, analisti Mustafa Nano ndalet te “Blloku” i Isuf Kalos, reagimet ndaj të cilit kësaj vere kanë qenë të ndryshme. Sipas Nanos, Kalo e ka nxjerrë diktatorin si tepër human, baba të devotshëm, bashkëshort të mirë dhe si një politikan serioz. Edhe pse ka një mendim tjetër për Enver Hoxhën, Nano thotë se “Blloku” është një dokument historik i rëndësishëm. “Më duhet të them se as mua nuk më puqet Enver Hoxha i Kalos me Enver Hoxhën që unë njoh. E megjithatë, nuk jam dakord me ata që sulmojnë Isuf Kalon. ‘Blloku’ i tij mund të ketë provokuar shumë vetë, ndoshta ndokënd edhe mund ta ketë lënduar, por, përtej të gjitha shijeve e ndjesive individuale, ky libër është një dëshmi interesante për kohët e komunizmit. Pas 50 vjetësh, askush nuk do të kujtohet ta sulmojë Isufin për anëmbajtje apo empati për të ligun. Të gjithë do jenë të kënaqur që kjo dëshmi është dhënë. E që është dhënë në mënyrë të sinqertë. Blloku është një dokument historik i rëndësishëm”, thotë Nano. Por, sipas tij, tashmë që jemi 30 vite pas përmbysjes së komunizmit, ka ardhur koha që ta gjykojmë në mënyrë më racionale diktatorin Enxer Hoxha.

Libri-Isuf Kalo-Enveri

Siç është kundër ngjyresave “rozë” që i vishen diktatorit, ashtu është kundër edhe ‘nxirjes’ së figurës së tij, duke i veshur të gjitha të zezat e kësaj bote. Ai ndalet te libri i shkrimtarit Ylljet Aliçka, i cili përshkruan vdekjen makabre të shkencëtares Sabiha Kasimati, sipas tij, e groposur e gjallë në dhe. Sipas Nanos, përshkrime të tilla na ndihmojnë të nxjerrim dufin ndaj diktatorit, por nuk na ndihmojnë për të kuptuar se kush ishte në të vërtetë ai.

“Kam vënë re që ca e ca vijojnë të flasin për Enver Hoxhën ashtu si kanë folur një ditë pas përmbysjes së regjimit të tij, domethënë duke shtënë në punë veç mllef, urrejtje, neveri apo ku di unë. Kur bëhet ky diskutim, njerëz të tillë, që rëndom kanë edhe përvoja personale vuajtjesh e persekucioni, përpiqen ta likuidojnë Enver Hoxhën si personazh të historisë, thjesht duke thënë se ai ishte një maskara, qen e bir qeni, një armik i popullit të vet, një tradhtar etj., etj. Unë mendoj se 30 vjet pas rënies së komunizmit, mund të jemi pak më racionalë. Dhe të jesh racional nuk do të thotë të mohosh që ai ka qenë një diktator. Jo, kjo gjë tanimë është e dokumentuar. Edhe komunisti më budalla, thellë-thellë, bie dakord se Enver Hoxha ishte një diktator.

Të jesh racional do të thotë të mos thuash mufka që synojnë panevojshmërisht ta shndërrojnë figurën e Hoxhës nga katran në katran me bojë, që e nxjerrin atë si bartës të gjithë të këqijave apo veseve të botës, që e nxjerrin atë edhe pervers, pedofil, maniak seksual, vrasës maniak. Ah, se harrova, edhe homoseksual. Sepse dihet se çfarë mendojnë shqiptarët për një homoseksual. Të jesh racional është edhe të mos thuash, siç thotë Ylljet Aliçka në një libër që sapo e ka publikuar, që një grua u dënua me vdekje thjesht se Enver Hoxha donte ta kishte si të dashur dhe se ajo i tha ‘jo’.

Për këtë ‘krim’, ajo u fut në dhé e gjallë. Madje, fshatarët e zonës ku kësagruaje i bënë gropën, u lemerisën teksa dëgjonin ca rënkime të dala nga thellësia e tokës, që ishin rënkimet e kësaj gruaje duke dhënë shpirt. Tani, gjatë regjimit të Enver Hoxhës ka pasur pa fund drama e tragjedira humane. Kjo nuk diskutohet, siç nuk diskutohet që fajtori kryesor për ato ka qenë Enver Hoxha. Ne mund të stisim edhe tragjedira të tjera në një roman fiction. Por mund t’i vëmë pak fré fantazisë, dreqi ta hajë!

Një njeri që futet i gjallë nën dhé, nuk ka sesi të rënkojë. Aq më pak ka gjasa që rënkimet e saj të jenë dëgjuar nga fshatarët e lemerisur. Sepse do të ketë dhënë shpirt shumë kohë para se toga e varrmihësve apo xhelatëve të kenë mbledhur rraqet e të jenë larguar. Le ta themi copë: Përshkrime të tilla na ndihmojnë të nxjerrim dufin ndaj diktatorit, por nuk na ndihmojnë për të kuptuar se kush ishte në të vërtetë ai”, u shpreh Nano në “Provokacija”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura