‘Po na prish imazhin’: Policia i merr me dhunë aparatin fotoreporterit Gent Shkullaku

May 25, 2022 | 19:31
SHPËRNDAJE

Në mes të një përplasjeje me huliganët italianë dhe holandezë, efektivët e Policisë së Shtetit u shqetësuan nga prania e fotoreporterit Gent Shkullaku, i cili ishte në krye të detyrës duke bërë foto të ngjarjes në orët e vona të së martës.

Capture

Shkullaku, drejtues i Light Studio Agency, LSA, i tha BIRN se policët e ndaluan dhe i morën me dhunë aparatin fotografik, duke i kërkuar që të fshinte fotografitë e shkrepura gjatë përplasjes së policisë me tifozët.

“Po fotografoja, kur më ndalojnë policët dhe më thonë ‘nuk lejohet, po na nxin imazhin e Shqipërisë’. Dhe më kërkuan që të fshija fotot,” tha Shkullaku.

Shkullaku sqaroi më tej se policët i morën me forcë aparatin, pavarësisht tentativave të tij për t’i sqaruar se ai po bënte punën e tij, për të cilën ishte akredituar edhe tek UEFA. Në momentin e incidentit, ai mbante në qafe edhe dokumentin identifikues.

“Më kthyen aparatin vetëm pasi bisedova në telefon me zëdhënësin e policisë së shtetit, Gent Mullai, dhe ai i sqaroi policët. Por disa foto më detyruan t’i fshija me pretendimin se ata dukeshin me fytyrë,” tha Shkullaku.

Incidenti, sipas Shkullakut “është një tregues se polica shqiptare është e papërgatitur për përballuar situata të vështira, si dhe në sjelljen ndaj gazetarëve”.

Zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Mullai tha se nuk ishte në dijeni  nëse ishte marrë ndonjë masë për incidentin me fotoreporterin.

“Mund të nisë në ditët pas kalimit të situatës me ndeshjen e Europa Leauge,” tha Mullai.

Ndërsa një zëdhënës i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore i tha BIRN se “kanë  filluar verifikimet paraprake”, por shtoi se “gazetari duhet të kontaktonte AMP-në për të bërë denoncim për incidentin”.

Dhuna policore ndaj gazetarëve është kthyer në një ngjarje të zakonshme sa herë ka protesta apo tubime, duke shqetësuar organizatat në mbrojtje të lirisë së medias.

Në raportin e fundit të organizatës “Reporterë pa Kufi”, ku Shqipëria humbi 20 vende në indeksin e lirisë së medias, ndër të tjera vihej në dukej se gazetarët që mbuluan protestat dhe operacionet e policisë ranë pre e akteve të dhunshme nga polica. /Reporter.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura