‘Po na i vrasin shokët, a do shihemi më gjallë?’, kujtimet e ish-të burgosurit në kampin nazist të Prishtinës: Pushkatimi i 104 personave dhe lirimi pasi familjet …

Jan 28, 2020 | 9:06
SHPËRNDAJE

Dashnor Kaloçi/ Publikohet historia e shqiptarëve të burgosur në kampin nazist të Prishtinës në vitin 1944, të cilët ishin dërguar atje nga burgu i Tiranës dhe i Shkodrës ku mbaheshin të arrestuar për shkak të aktivitetit dhe veprimtarisë së tyre si komuniste.pjimage

Cilët ishin të rinjtë komunistë shkodranë që vuanin dënimin në atë kamp, si trajtoheshin ata nga komanda gjermane, cilat ishin kushtet e jetesës, duke filluar nga ushqimi, fjetja, puna dhe torturat që iu nënshtroheshin kur thyen rregullat e burgut, si u bë seleksionimi i 104 të dënuarve shqiptarë që u pushkatuan në 13 tetorin e vitit 1944?

E gjithë historia e dhimbëshme sipas kujtimeve të shkruara para viteve ’90-të nga Agim Bejleri, njëri prej të dënuarëve të atij kampi, (me origjinë nga Libohova e Gjirokastrës), i cili u persekutua nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, për shkak të vëllait, për shkak të bashkëshortes së tij bullgare, me të cilën ishin njohur në fillimin e viteve ’50-të, gjatë periudhës kur ai studjonte në Pragë për Inxhineri Termo-elektrocentalesh…

 Më 27 janar të vitit 1945, “Ushtria e Kuqe” e Marshallit Joseph Stalin, hyri dhe çliroi të dënuarit e kampit nazist polak të shfarosjes, Auschëitz Birkenau-t, ku që nga viti 1939, kishin humbur jetën rreth 1.2 milion të dënuar që mbaheshin aty të izoluar, kryesisht hebrej, rusë, polakë, romë, etj., që u mbytën me gaz dhe më pas u dogjën nëpër krematoriume.

Komandanti nazist gjerman i atij kampi, Rudolph Hoess, pasi u arrestua nga ushtarët polak, u gjykua dhe u dënua me vdekje, duke u varur në litar, pikërisht në atë vënd ku ai urdhëronte varjen në litar të dënuarëve, në oborrin e atij kampi.

Gjatë gjithë periudhës së Holokaustit, humbën jetën rreth 12 milion njerëz, ku 6 milion, pra më shumë se gjysma, ishin hebrenj. Por nisur nga fakti se ky kamp (Auschëitz Birkenau) ishte një nga më të tmerrshmit e të gjithë kampeve naziste në Europë, dita e 27 janarit që u çlirua ai, u vendos simbolikisht si Dita e Përkujtimit të Holokaustit. E cila përkujtohet edhe në Shqipëri, pasi qindra shqiptarë gjatë Luftës së Dytë Botërore, kanë qenë të burgosur në këto kampe të shfarosjes në masë dhe dhjetra prej tyre nuk patën fatin të ktheheshin më në familjet e atdheun e tyre, pasi humbën jetën aty.

Një nga kampet naziste ishte dhe ai i Prishtinës, ku vetëm në 23 tetorin e vitit 1944, u pushkatuan 104 të dënuar shqiptarë, të cilët ishin dërguar aty pasi ishin mbajtur të izoluar në burgun e Tiranës, Durrësit, Shkodrës etj., për shkak të aktivitetit të tyre si komunistë dhe antifashistë. Një prej atyre që mundi të shpëtonte i gjallë nga ky kamp, ishte dhe Agim Bejleri, me origjinë nga Libohova e Gjirokastrës, i cili gjatë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, u persekutua përsëri, për shkak të bashkëshortes së tij bullgare, (me të cilën ishin njohur që në fillimin e viteve ’50-të, kur ai studjonte në Pragë për Inxhineri Termo-elektrocentralesh), aq dhe prej vëllait të tij, Bejleri, që vuajti në burgjet politike të Enver Hoxhës për vite me rradhë.

Ashtu si dhe disa nga bashkëvuajtësit e tij në Kampin e Prishtinës, si: Kin Dushi, Kristo Budo, Abdyl Banushi, Beqir Xhepa, Abdulla Krutani, Luigj Filipi, etj., edhe Agim Bejleri që para viteve ’90-të pati shkruar kujtimet e tij lidhur me periudhën e vuajtjes së dënimit në Kampin e Prishtinës. Por me ndonjë përjashtim të rrallë si p.sh. shkrimtarit të njohur, Kin Dushit (para se të dënohej me burg politik fillimin e viteve ’70-të), kujtimet e tyre nuk u botuan kurrë në periudhën e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pjesa më e madhe e tyre kanë mbetur ende të panjohura. Nisur nga ky fakt, Memorie.al po publikon në këtë shkrim disa pjesë nga kujtimete Agim Bejlerit.

Kujtimet e Agim Bejlerit

                                      NË KAMPIN E SHFAROSJES NË PRISHTINË

 Mbresa episodike nga kompleksi:

        “Kujtime të një të moshuari që ka jetuar

         Pesë breza të jetës së tij mbi 81-vjeçare”.

  •  Familja ime   

Rrjedh nga një familje patriotike libohovite. Kur vdiq babai, unë isha 4 vjeç. Veç meje ishin dhe dy motra e dy vëllezër të tjerë. Atë e mbaj mend të shtrirë në krevatin ku lëngonte. Ne qëndronim të rreshtuar përkundrejt tij. Deshi të na shihte për herë të fundit. Ngriti dorën drejt nesh dhe belbëzoi diçka në mes të dhëmbëve. Kur e pyeta nënën se çfarë deshi të thoshte ai atëherë, ajo mu përgjigj: “Mos mi le fëmijët pa shkollë”. Babai, Tahsin Bejleri, pasi mbaroi mësimet e mesme në Janinë, vazhdoi studimet e larta në Stamboll në fakultetin Ekonomi-Financa dhe aty u punësua për vite me radhë, pas diplomimit. Në vitin 1910, ashtu si shumë  patriotë të tjerë shqiptarë, ai u kthye në vendlindjen e tij, Libohovë, për të ndihmuar Shqipërinë në ato vite të vështira për “Pavarësinë e saj”. Punoi në zona të ndryshme të vendit. Vitet e fundit, para vdekjes, u transferuam familjarisht në Shkodër ku u emërua drejtor i Drejtorisë së Financave të Prefekturës. Në Shkodër lindi dhe motra më e vogël, të cilën ai e emëroi Teuta, në kujtim të mbretëreshës ilire të kohëve më të hershme romake. Në vitin 1931 babai u sëmur nga një sëmundje e rëndë dhe e pashpresë, që na detyroi të gjithëve të ktheheshim në shtëpinë tonë në Libohovë, ku edhe vdiq. Nëna, Seadet Zhuzhuni – Bejleri, mbeti vejushe në moshën 33-vjeçare. Më i madhi i fëmijëve, Isai, ishte 12 vjeç dhe më e vogla, Teuta, nuk i kishte mbushur 6 muajt e parë të jetës.

Babai vdiq, por porosia e tij: “mos m’i lër fëmijët pa shkollë”, u çimentua në memorien e saj. Ajo e ndjente se jeta do të ishte shumë më e vështirë pa arsimimin e fëmijëve. Atëherë shkolla fillore ishte me 5 klasa. Dy vëllezërit më të mëdhenj, Isai dhe Fatriu, duhet të vazhdonin më lart, kështu që në vitin 1933, u zhvendosëm familjarisht në Gjirokastër, ku kishin filluar mësimet në gjimnazin e porsandërtuar. Aty unë mbarova shkollën fillore. Gjatë gjithë kësaj kohe, edhe mbi ne, u stampos edhe patriotizmi i të parëve tanë. Më vonë për të vazhduar studimet në klasat më të larta u transferuam në Shkodër, ku na gjeti dhe okupacioni nazifashist. Familja jonë, ashtu si shumë familje të tjera patriotike libohovite e shkodrane, u radhit në anën e LNC-së, duke u bërë një nga bazat e rëndësishme të saj.

Në qershor të vitit 1944, shtëpia jonë ra në sy të keq dhe na arrestuan ne të 5 fëmijët, nga të cilët, me ndërhyrjen tek të njohurit e shumtë të saj, të tjerët u liruan shpejt, kurse mua, i konsideruari si më i rrezikshmi, më mbajtën për hetime të mëtejshme. Para arrestimit nga fundi i majit 1944, pas një frekuentimi disi të gjatë tek ujërat e ftohta në Urën e Mesit, u sëmura rëndë nga një melemë me humbje të shumta gjaku. Vetëm ndihma e shpejtë e doktor Koplikut më shpëtoi. -“Duhet të tregohesh shumë i vëmendshëm për disa javë, deri sa vendi i sëmurë të mbyllet mirë, sidomos të evitosh mbingarkesa trupore”, – më porositi me përzemërsi doktori. Ishte koha kur në Shkodër kishte ardhur një misionar nazist i qeverisë Kuislinge, Mato Murati, i cili po bënte arrestime të shumta në rininë studentore, sigurisht i ndihmuar nga kallëzimet e ndonjë studenti të ligështuar gjatë pyetjeve torturuese të tij. Për t’u kuruar e për t’i shpëtuar kapjes e arrestimit, kalova në Tiranë te disa kushërinj. Por edhe atje, papritmas më gjetën dhe më nisën të shoqëruar me dy xhandarë të armatosur për në Shkodër. Gjatë pyetjeve më  ballafaquan me dy kallëzuesit e mi, njëri student i klasave të larta e tjetri një çunak me pseudonim “Limoni”, të cilët vazhduan të më paraqisnin si aktivist të Luftës Nacional-Çlirimtare, thënie që unë me vendosmëri nuk i pranova, duke i akuzuar ata si shpifës për të shpëtuar lëkurën e tyre, me gjithë frikësimet e rrahjet torturuese.

 

Nënës sime Matua i kishte thënë: -“Me gërshërë do t’ia pres mishrat çika-çika deri sa të hapi gojën e të kallëzojë”. Disa ditë  më vonë, bashkë me shumë të burgosur të tjerë, me urdhër të komandës gjermane na nisën drejt verilindjes.

  • Rrugës drejt Kampit…

Me urdhër të komandës gjermane, disa ditë para nisjes, na mblodhën gjithë të burgosurit politikë nga Shkodra e të ardhur nga Tirana, në një kamping të rrethuar me tela me gjemba, nga ku pas dy ditëve me kamionë të shoqëruar me ushtarë të armatosur na nisën drejt malësive të Pukës, Kukësit e Prizrenit për në Prishtinë. Gjatë rrugës u ndalëm në dy stacione, vend-qëndrime të reparteve gjermane. Më kujtohet sidomos biruca në Prizren. Ishte kaq e vogël sa që nuk mund të rrotulloheshim dot karshi njëri-tjetrit. Ajrosja bëhej vetëm nëpërmjet një dritareje me hekura afër tavanit të ulët, ku për orë të tëra do të qëndronim brenda pa ujë, pa bukë e pa nevojtore. Era ishte e rëndë e mbytëse sa që dy-tre vetave të moshuar u ra të fikët e me zi i përmendëm.

Kin Dushit i kishin zënë  krimba në mes të gishtave të këmbëve, të gjakosura gjatë rrahjeve me kamxhikë në kuesturën e Shkodrës. Nuk kishim me se t’ia dezinfektonim e t’ia lidhnim plagët.  SS-të nuk donin të dinin për këto. Ata vetëm na shanin, bërtisnin e deri na godisnin  kur kërkonim prej tyre ndonjë ndihmë.

Ne nuk e dinim me siguri se ku do të na çonin. Disa thoshin:

– “Në Gjermani se u mungojnë punëtorët nëpër fabrikat” – të tjerë, të frikësuar thoshin:

– “Ka mundësi të na çojnë në kamerat e mbytjes me gaz, se i përdorin trupat për sapun, e për t’u rrjepur lëkurën nga e cila prodhojnë çanta për gratë e tyre”- e të tjera fabrikime të tilla supozuese. Më së fundi arritëm në Kampin e Prishtinës, por jo të gjithë. Disa ishin veçuar gjatë rrugës dhe nuk u mor asnjëherë vesh se ku përfunduan.

  • Njoftime të shkurtra për ndërtimin e tij

Kampi ishte ndërtuar në një shpat kodrine (atëherë në periferi të Prishtinës), i rrethuar me dy rreshta telash me gjemba afro dy metra të lartë. Në çdo cep e në mes tyre ishin ngritur kulla të larta me roje të armatosur rëndë.

Si fjetore për të internuarit ishin përdorur stallat (kapanonët) e kuajve të reparteve ushtarake, pa tavane e me çati prej tjegullash të lidhura fort me njëra-tjetrën. Vetëm në fund të kapanonit të parë, ku na futën ne të burgosurit shkodrane, kishte një ndarje me mur e me tavan kompesatoje të trashë ku, para ardhjes të gjermanëve, banonin ushtarët që i shërbenin kuajve.

Në muret e brendshme të dy anëve të kundërta të stallës ishin ndërtuar fjetore të përbashkëta prej dërrase me dy kate, ku shtriheshim të shtrënguar si sardele njeri pas tjetrit. Në mes të njërës anë ishte porta e hekurt e hyrje-daljes që rrinte e mbyllur gjatë gjithë natës dhe hapej në mëngjes herët. Në oborrin para portave të kapanoneve zhvilloheshin rreshtimet tona të detyruara çdo ditë. Në oborrin e pasmë ish hapur një pus i thellë që shërbente për gjithë kampin, për të pirë e për t’u larë. Brenda dhe jashtë kapanoneve nuk kishte çezma e as banja. Si nevojtore ishte hapur një gropë e thellë me një dërrasë sipër për përdorim të përbashkët ku mund të bënim dhe muhabet me njeri-tjetrin.

Dy persona të trupës ushtarake të tij që kishin tentuar të iknin dhe i kishin kapur, i detyroi nëpërmjet goditjeve të njëpasnjëshme me kamxhik, të futshin kokë brenda në gropën e nevojtores e më pas të lëviznin me gjunjë e bërryla rreth e qark pisllëqeve të mbetura nëpër kanalet. Kjo shfaqje përfundoi me pushkatimin e tyre. Po pati edhe ndonjë rast që vuajtën nga gabimet e veta, pa qenë nevoja e ndërhyrjes të nazistëve. Flitej se 2-3 veta, për të ruajtur disa monedha floriri gjatë kontrolleve të imta të hyrjes ne kamp, i kishin gëlltitur këto dhe po hiqnin të “zezat e ullirit” për t’i nxjerrë nga jashtëqitjet e tyre. Gjithë kampi ndodhej gjithashtu brenda zonës ushtarake të rrethuar me tela dhe rojat përkatës, i ndare nga pjesa tjetër e qytetit.

  • Ushqimi dhe organizimi i brendshëm

Mëngjesi përbëhej nga një i ashtu-quajtur çaj pa sheqer, dreka nga një supë e gatuar me kockat e mbeturinat nga mensat e ushtarëve që na ruanin, në mbrëmje përsëri çaj. Racioni ditor i bukës së zezë ishte 150-200 gram i ndarë në tre vahte. Në çdo kapanon komandanti caktonte një “kapo” nga mesi i të internuarve më të zellshëm për tu shërbyer atyre me egërsi të dukshme ndaj nesh dhe që i informonin ata për çdo gjë që ndodhte brenda dhomës. Edhe këta përdornin kamxhikë prej gome për të na ngritur në këmbë në mënyrë të rrufeshme, sa herë që hynin eprorët e tij duke thirrur me zë të lartë e urdhërues:

-“Ahtung”- e duke i nderuar ata alla-hitlerjançe me dorën tjetër. Të internuarit nga Tirana, në kujtim të spiunit e terroristit “Gj….F….”, i vunë këtë emër edhe kapos të kapanonit të tyre sepse këta ngjanin me njeri-tjetrin si dy portrete spiunësh dhe ekzekutorësh të bindur fashistë. Çdo mëngjes duhet të rreshtoheshim për të bërë gjimnastikën e stërmundimshme e pas saj vinte radha e ndarjes të punëtorëve për detyra brenda e jashtë kampit. Zgjedhja bëhej nga vetë komandanti suprem, i cili kalonte nëpër rreshtat e me majën e kamxhikut tregonte personin që do të punonte sipas kërkesave ditore që i paraqiteshin atij.

  • Ditët e para në punë

Daljet e para për punë i bëmë brenda gardhit ushtarak. Këto kryesisht ishin shërbime lidhur me kampin e për ngarkim-shkarkime armatimesh. Më vonë ato u shtrinë edhe jashtë, në objektet ushtarake në qytet të shoqëruar me roje të armatosur.

Më të shpeshtat e të vështirat ishin shkarkimet e thasëve 50 kilogramësh, nga vagonët e hekurudhës në kamionët ushtarakë. Kur për herë të parë me vunë mbi shpatulla një thes të tillë humba drejtpeshimin dhe më ra në tokë. Roja që ishte pranë drejtoi menjëherë tytën e pushkës drejt meje por ndërkaq shokët vrapuan dhe arritën ta vinin mbi mua thesin e pa dëmtuar.

Shpëtova mirë! Kush nuk ngrihej qëllohej në vend.

Ne Spitalin Ushtarak, ku si roje shërbenin ushtare austriake, marrëdhëniet me ta e me personelin e spitalit ishin me të mira. Me kujtohet një gjest i veçantë i një kuzhinieri që na shikonte se me sa kënaqësi thithnim erën e gjellëve kur kalonim para derës ku punonte. Një ditë papritmas e me shpejtësi na dha secilit nga ne të treve nga një cope mish të pjekur e të stërshijshëm. Ne spital kryenim pune të ndryshme sipas rastit. Shpesh na takonte të transportonim të vdekurit nga plagët ose gjatë operacioneve, sidomos kur vija e frontit të luftimeve iu afrua Prishtinës. Puna më e vështirë ishte futja e tyre ne tabut. Ne një rast të tillë, njeri nga shokët e mi tha: – “Ç’janë këta gjeneralë të çmendur që planifikojnë këto luftëra të tmerrshme e të përgjakshme, pa i vënë gishtin kokës se po shfarosin lulen e djalërisë!?”

“Mbi gjakun e trupat e tyre kërkojnë lavdi e pushtet personal”- konkluduam të tre këtë bisedën tonë filozofike.

  • Secilit 25 goditje me kamxhik mbi kurriz

Disa të moshuar, që nuk ishin ne gjendje për pune, na drejtoheshin shpesh neve të rinjve:

-“Aman, na mblidhni disa bishta cingaresh të hedhura gjatë rrugës apo në koshat e plehrave, se na u çanë fare hundët”. Kur punonim ne spital na binte rruga të kalonim shpesh para dhomave të mbeturinave nga pakot që u dërgoheshin ushtarakeve nga familjet e të dashurit e tyre. Një here pame cigare e paqeta të tera të shpërndarë para derës dhe vendosëm të përfitonim nga rasti për të plotësuar lutjen e tyre. Me frike e kujdes të madh fshehëm disa paqeta nepër hark e kurriz, pa u diktuar. Por harruam kontrollin në hyrje të kampit, se zakonisht kalohej lehtë. Ndodhi ajo që se pritnim. Ndonjëri nga kontrollorët kishte instinkte mirizmash si të qenit dhe e nuhati erën e cingareve dhe i zbuloi paketat e fshehura në trupat tanë. Menjëherë u lajmërua dhe erdhi vetë komandanti me kafkën e vdekjes në ballë. Kishte një trup të madh e të shëndoshë, me një shikim si bishë e egërsuar, e pasi hoqi xhaketën, rrëmbeu të parin nga ne, e zhveshi  lakuriq nga mesi e lart me duar të lidhura pas shpine, e përkuli mbi tavolinë në mënyrë që kurrizi e mishrat e trasha të dukeshin mirë dhe me kamxhikun me tela të përdredhur filloi të godiste me sa fuqi kishte. Mbas çdo të goditure kërcenin piklat e gjakut nga vendet e rrahura dhe kështu vazhdoi për 25 herë rresht. Unë isha i treti. Pamjet nga dy të parët me tmerruan por njëkohësisht më përgatitën psikologjikisht për të përballuar më lehtë goditjet mbi trupin tim.

– “Kësaj here po e mbyllim me kaq”- i tha ai përkthyesit që po e shoqëronte në këtë shfaqje torturuese. Në hyrje të kampit shokët që na panë të pamundur e me këmisha të gjakosura na çuan në fjetoret ku na u desh të flinim me bark poshtë deri sa na u mbyllën plagët. Nuk e harroj dhe ndihmën e kujdesin që kushtoi për ne një doktor serb, i internuar si ne, që kishte krijuar një pikë sanitare në një qoshe të fjetores. Ai na qëndroi pranë deri sa u shëruam plotësisht.

  • Viktimat e para masive nga radhët tona

Kështu u rreshtuam edhe kur nga kampi nxorën nga mesi ynë viktimat e para për t’i pushkatuar në periferi të Kukësit, si reprezalje ndaj aksioneve partizane në ato anë. Edhe sot që po shkruaj, me dalin përpara syve pamjet e filmuara në tru, me fytyrat e shokëve të mi kur i veçuan në një qoshe dhe i hipën në kamionë në drejtim të paditur. Nuk mund të harroj përshëndetjen e fundit të tyre, sidomos të moshatarit tim Shaban Huti me të cilin flija krahas në fjetoren e përbashkët, të Xheladin Fishtës, mik familjar e vëllai i shokut tim të ngushtë të klasës Iljazit, të xhajës të Naim Gjylbegut komshiut tonë në Iagjen Zdralej e shumë të tjerëve. Gjithësej ishin 60 vetë e në mes tyre dhe Isa Golemi, i cili bashkë me disa të tjerë u kthyen përsëri në kamp dhe na tregoi minutat e fundit, para pushkatimit të tyre:

– “Pritshim të llahtarisur vdekjen kur papritmas erdhi me ngut një oficer gjerman dhe urdhëroi ndërprerjen e pushkatimeve të grupit tonë të mbetur të fundit”-, d.m.th. të pushkatuarit ishin rreth 54 vete, sepse 5-6 prej tyre u kthyen përsëri — Isai na tregoi rrahjet e torturimet që u kishin bërë para se ti çonin në gropën e përbashkët. Më vonë morëm vesh se njeri prej të shpëtuarve ishte dhe Sabri Hoti. I cili ndërsa po i çonin të vendi i pushkatimit, në një çast të volitshëm, kishte vrapuar drejt pyllit e ishte larguar thellë në mes të pemëve të dendura. Me frikë në zemër nuk u ndalua sa bujti te një shtëpi patriote, ku e veshën dhe e shoqëruan si njeriun e tyre. Lajmi i vrasjeve nga të burgosurit politikë shkodranë arriti dhe në shtëpitë tona, kështu që drejt Prishtinës erdhën plot familjarë që përpiqeshin të gjenin në rreshtin tonë të punës a ishin akoma gjallë të dashurit e tyre. U turbullova kur dallova dhe nënën time me shifonin e zi mbi kokë me atë pamje të tmeruar dhe sytë mu mbushën me lot, por megjithatë e përmblodha veten dhe ngrita dorën lart, duke thënë:

– “Ane’, ja ku jam, unë Agimi, akoma gjallë.”

Ajo nga ana e saj çau turmën, doli më përpara dhe ngriti të dy duart përpjetë.

Të dy e morëm mesazhin për njeri tjetrin : “Jeta vazhdon më tej”.

Dhe kështu kaluan disa jave ne pritje të ngjarjeve të tjera, deri sa arritëm tek

  • Mbrëmja tragjike e 23 tetorit 1944

Qysh në mëngjes ishte një ditë e zymtë, me mjegull e shi të dendur. U rreshtuam si zakonisht por zgjedhja e punëtorëve nuk po bëhej si më parë. Komandanti qëndroi përpara rreshtimit me një listë në dorë dhe po lexonte njeri pas tjetrit emrat nga të burgosurit e Tiranës që duhet të veçoheshin në dhomën me tavan ngjitur me kapanonin tonë. Pasi u lexuan 100 emra dera e dhomës që shërbente si fjetore për vajzat e gratë e internuara u mbyll me çelës dhe ne të tjerët na mbyllën gjithashtu nëpër kapanonet tona. Të gjithë ndjenim se po ndodhte diçka e jashtëzakonshme. Në mbrëmje nga ana veriore e kampit u dëgjuan breshëri automatikësh që pushonin dhe fillonin përsëri. Pikërisht andej para një dite ishte hapur nga tre grupe shokësh tonë një gropë e thellë. Ndërkaq, tamam në kohën kur nga dhoma e grave dëgjoheshin zhurma e britma urdhëruese gjermane, dikush në dhomë bërtiti:

-“Po na i vrasin shokët! -“

Këto fjalë tronditëse na përmendën nga asfiksia që na kishte kapur e na kthyen në realitetin e hidhur e të dhimbshëm. Vërtet po i vrisnin ata!. Vetëtimthi mu shfaq para sysh, bashkëfshatari e shoku tim Venetik Hoxha, që me shikimin e tij të turbulluar në qoshen kur i ndanë ata nga ne, sikur desh të më thoshte:

-“Agim a do të shihemi vallë prapë!”-

Në këtë kohë, në dhomën e grave, ngjitur me ne, u dëgjuan zhurma e pas tyre vrapime mbi tavan e hedhja e disa personave në kapanonin tonë. Por s’vonoi shumë. Papritmas u hapën dyert e portës së madhe dhe hynë 5-6 gjermanë me komandantin në krye, me pushkët gati për qitje. Dhe me një “Ahtung” të fortë kërkonin rreshtimin tonë para tyre. U rreshtuam shpejt. Nëpërmjet përkthyesit dëgjuam:

– “Ata që ikën nga dhoma të dalin vetë, ndryshe do t’u vrasim të gjithëve!”. Qetësi varri! Pas pak një zë i trembur këlthiti:

– “Dilni se do të na sheshojnë gjithë sa jemi”

Nga fundi i rreshtit bën përpara një trim i vërtetë, i ciii u kthye nga ne me fjalët:

-“Vdekje Fashizmit shokë, e Liri Popullit!”

Ishte Musa Agolli nga Dibra. Menjëherë e mbërthyen nga krahët dhe e përplasën jashtë derës ku ia mbyllën gojën duke e shpuar gjoksin e tij me breshëri plumbash. Si mbaroi me këtë masakër , kasapi hitlerjan vazhdoi me kalimin e tij nëpërmes radhëve tona, duke ndriçuar fytyrën e secilit me një fanar dore dhe urdhëronte nxjerrjen e atyre që  duhej të masakroheshin atë natë. Nga ky seleksionim ai e tejkaloi numrin e viktimave nga 100 në 104. Sidomos dëshiroj të ndalem në rastin e njërit prej atyre fatkeqëve që u desh të flijoheshin pa qenë në listë, në këtë ngjarje. Xhavit Jukniu, student i gjimnazit dhe vëlla i Burhan Jukniut, mik e shok i ngushtë imi, duk u ulur për rreshtim shpoi gishtin në një ashkël, e pa e ditur fërkoi me të ballin, shenjë kjo e mjaftueshme për vampirin gjakpirës, pa i përfillur kundërshtimet e vendosura të viktimës se ai nuk ishte nga ata të listës. Por fare kot! Të gjithë u mbuluan në atë gropë ferri. Në mes të tyre u vranë shumë gjimnazistë e universitarë të shquar të grupit të burgosurve nga Tirana.  Rastësisht, kohët e fundit dëgjova se njëri prej tyre, profesor Ligor Gjika nga Qeparoi i Himarës, kishte shpëtuar duke u shtire si vrarë në kohen e daljes së fishekëve nga grykat e pushkëve dhe, duke përfituar nga fakti se ende nuk ishin mbuluar me balte si dhe nga errësira e natës, u largua me kujdes nga vendi i ngjarjes që ishte jashtë zonës ushtarake dhe rrugës kishte takuar dashamirës që e shpëtuan.

Të nesërmen e masakrës nxorën nga kampi për punë vetëm një grup fshatarësh maqedonas për të mbuluar varrezën me trupat e masakruar dhe ngjitur me të për të hapur një varreze tjetër, e cila mbeti si “Shpata e Damokleut” në kokat tona.

  • Afrimi i frontit të luftimeve. Nentor 1944

Disa ditë me vonë filluan të dëgjoheshin nga Lindja gjëmime topash që na e rritën ndjenjat se do mund të ndodhnin ngjarje me të mira, kur shihnim se edhe SS-et me kafkë të vdekuri ishin të shqetësuar. Pak nga pak po zëvendësoheshin me ushtarë të zakonshëm ose bashibozukë të tyre. Gëzim të papërshkruar na solli kur mbi kokat tona u rrotullua një aeroplan që qëllohej nga poshtë me kundërajrorë, i cili lëshoi qindra e mijëra fletushka shpresëdhënëse. Disa nga shokët e punës tregonin se numri i të vrarëve gjermanë po rritej e vëreheshin përgatitje për evakuim të shpejtë. Shpresat për të jetuar na u rritën.

Por një ditë, nga fundi i tetorit 1944, na rreshtuan të gjithëve dhe na dhanë nga një kazmë e lopatë, të shoqëruar nga ushtarakë të shumtë, për të hapur hendeqe mbrojtëse, por që ne në fillim i kuptuam se po hapnim varrezat tona. Edhe kësaj here shpëtuam, duke pasur parasysh faktin që qarkullonte se gjithë të internuarit do të vriteshin. Gropën e kishim akoma të hapur para kampit! Të gjitha këto sinjalizime na detyruan të merrnim masa me të organizuara vetëmbrojtëse me repartet tona ilegale brenda kampit. Tani flitej hapur për bashkëluftëtarët në repartet konspirative e drejtuesit. Kapot e dhomave u larguan vetë e disa shërbëtorë të tyre u zhduken pa u kuptuar. Të dyshuarit e tjerë mbaheshin nën survejim të madh nga ana jonë.

Batalioni i fshehtë i kapanonit tonë, që deri në ato ditë mbahej nën konspiracion të thellë po zgjerohej e vepronte më haptas. Komandanti, Hysë Zaja, me bashkëpunëtorë të tij merrej me riformimin e përmirësimin e togave dhe shtrirjen e veprimtarisë së tyre në të gjitha skutat e fjetores. Unë dhe Sadushi vazhdonim të bënim pjesë në togën e parë të kryesuar nga Ymer Pahija.

Komandanti nuk hynte dot më në kamp dhe bashkëpunonte akoma ngushtë me përkthyesin, këshilltarin e tij besnik, duke bërë pazarllëqe të ndryshme me të afërmit tanë, që kishin ardhur me shumicë se kishin dëgjuar që mund të na lironin me çmime fare të ulëta. Ishte e qartë se ai po përgatitej t’ia mbathte sa më parë por duke siguruar sa më shumë para. Në këto ditë edhe kur dilnim për punë nëpër llogoret këndonim këngë luftarake sidomos këngën:

“Hakmarrje thërrasin dëshmorët nga varri

Se gjaku i tyre me gjak duhet larë.

Hakmarrje rini, dëshmori thërret

Që ra për Liri në truallin e vet”.

Më kujtohet këndimi plot gjallëri i këtyre këngëve dhe miqësia më e madhe e lindur mes nesh, sidomos me ata që njiheshim qysh të rinj, si: Sadush Kumbaro, Qemal Llazani, Sel Hoti, Vladimir Misja, Osman Haxhija, Isa Golemi, Petrit Bushati, e të tjerë.

  • Takimi me njerëzit tanë dhe nisja për në Shkodër

Më 7 nëntor 1944 na thirrën me emra për pune, por sa dolëm jashtë kampit disa prej nesh, ne mes tyre xha Ferdiun me Sadushin, Osmanin dhe mua na drejtuan të takoheshim me familjarët tanë që po na prisnin në rrugën automobilistike Prishtinë – Prizren, ku hipëm të gjithë në një makinë dhe u nisem me shpejtësi për Shkodër ku u çmallëm me njerëzit e shtëpisë. Gjatë rrugës kuptuam se Fetije Kumbaro, Laje Haxhija dhe Seadete Bejleri, kishin paguar për lirimin tonë nga 20 napolona flori, kundrejt 50 napolonave që u kishin kërkuar para 3-4 javëve. Nëna ime la peng për këtë një dhuratë të çmuar nga martesa e saj. Të nesërmen u detyruam të kalonim në Grupin Partizan, pasi Shkodra ishte kthyer si një strofull e fundit e gjithë mbeturinave nazi-fashiste në ditët e fundit të tyre në territorin shqiptar. Për të mos rrezikuar veten ata vazhdonin ta mbanin nën panik e terror popullsinë, me besnikët e tyre të armatosur që po i ndiqnin si lukuni nga prapa.

 Fundi i fashikullit “Në kampin nazist të shfarosjes të Prishtinës”.

 Qershor 2008                Agim Bejleri

 Memorie.al

8e46b11d-5148-4e46-be09-016fb8a6f41c-728x430 1523341530_kampiitepelenesssss-905x395 camps-57c5c6375f9b5855e5d0b9eb NaziConcentrationCamp

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura