“Po krijojnë Komitetin e Partisë”, Dashamir Shehi kundër Agjencisë për Bashkëqeverisje: Njësoj si inspektorët e komunizmit që kontrollonin punonjësit e pabesuar në shtet

Nov 4, 2021 | 14:37
SHPËRNDAJE

Dashamir Shehi gjatë fjalës së tij në Kuvend, ku u diskutua projektligji i mazhorancës për krijimin e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, renditi argumentet pse është kundër krijimit të një institucioni të tillë.

DAshamir Shehi ne Parlament
Shehi në fjalën e tij theksoi se kjo agjenci nuk gjendet në asnjë vend perëndimor, por ka ekzistuar vetëm gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri dhe në vendet e Evropës Lindore.

Sipas tij asokohe kjo detyrë ushtrohej nga Komiteti i Partisë të cilët përmes inspektorëve në terren kontrollonte punonjësit shtetëror mbi të cilët nuk kishin besim.

“E gjitha kjo është një sajesë pa precedentë, unë nuk di një shtet tjetër që ta ketë këtë agjenci. Ne e kishim një agjenci të tillë më përpara, e kishin dhe vendet e Evropës Lindore. Ishte Komiteti i Partisë që kontrollonte Komitetin Ekzekutiv.

Ky është nënpunësi i partisë që shkon të dhunojë punonjësin e shtetit. Këta quheshin instruktor më përpara për ata që nuk e dinë.

Funksioni është po i njëjti, do të çojmë disa nënpunës të besuar për të kontrolluar ata që nuk i besojmë dot. Por ne kemi ligj, kemi Kushtetutë, makinerisë tonë shtetërore nuk i mungon asnjë gjë për të kontrolluar ata që abuzojnë me detyrën”, tha Shehi.

Kreu i LZHK i ftoi deputetët në sallën e Kuvendit të mos e votojnë ligjin për Agjencinë e  Bashkëqeverisjes, pasi ky ligj nuk sjell asgjë të re dhe se shteti i ka institucionet për të kontrolluar zyrtarët që abuzojnë me detyrën.

“Ky është revolucioni kulturor i mandatit të tretë. Nuk kemi çfarë tu japim më shqiptarëve dhe u ofrojmë revolucionin kulturor. Së fundmi janë krijuar 3 agjenci për tu shitur si diçka e re.

Ju ftoj mos ta votoni, do mblidhemi më vonë dhe do ta kuptoni që është një gafë dhe nuk ka asnjë vlerë. Kjo qeveri i ka të gjitha instrumentet për ta kontrolluar nënpunësit, nuk kemi pse krijojmë këtë agjenci” shtoi Shehi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura