Mbytja e 14-vjeçares rrugës ilegale për punë në Greqi, prindërit: Ndaloi për t’u freskuar

Jul 20, 2015 | 8:05
SHPËRNDAJE

Përfundon tragjikisht udhëtimi ilegal i një çifti me vajzën e tyre 14- vjeçare. Ata ishin nisur në Greqi, për të përfunduar në zonën e Trikallas, por vajza humbi jetën duke u mbytur në lumë.

Vendi ku u mbyt/ Maria e mbytur në lume
Vendi ku u mbyt/ Maria e mbytur në lume
Ngjarja ndodhi javën e shkuar, në zonën e njohur si Trivia, në Grevena. Mësohet se Fredi dhe Elona Sholla, bashkë me vajzën e madhe të tyre, Marian, kishin hyrë në Greqi ilegalisht. Këtë fakt e konfirmon Policia greke, sipas së cilës familja shqiptare nuk kishte vulosur asnjë pasaportë gjatë kalimit të kufirit.

Të enjten, të tre po ecnin në këmbë me destinacion Kalampakën, në Trikalla. Në një moment, ata janë ndaluar që të pushonin, ndërsa vajza i është afruar lumit që kalon në zonë për t’u freskuar.

Nga pakujdesia, e mitura ka përfunduar në lumë, rrjedha e të cilit e ka marrë me vete. Të tronditur nga kjo ngjarje, prindërit e Marias kanë shkuar në rajonin e policisë, duke kërkuar ndihmë.

Ata kanë treguar se kishin hyrë jo legalisht në tokën greke, pasi do të shkonin të punonin në Trikalla. Në vendngjarje kanë shkuar forca të policisë e polumbarë, që kanë gjetur trupin e pajetë të së miturës disa metra larg bregut ku ishte parë për herë të fundit.

Pasi është dërguar në morg për të kryer ekspertizën mjekoligjore, autoritetet greke kanë nisur procedurat për të kthyer në Shqipëri trupin e së miturës.

Familja Sholla është nga fshati Kolonjë i Lushnjës. Maria Sholla, 14 vjeçe, ishte vajza e madhe e saj, ndërsa pas saj vjen një djalë dhe një vajzë. Sipas mediave greke, çifti Sholla kishte ndjekur një rrugë ilegale për të hyrë në Greqi, bashkë me vajzën, pasi kishin pasur probleme në dokumentacion.

Dyshohet se ata kishin shfrytëzuar rrugën nga kufiri i gjelbër në zonën e Kapshticës në Korçë, dhe më pas kishin depërtuar në këmbë, në drejtim të Trikallës. Ky qytet ndodhet në pjesën veriore të Greqisë, në thellësi të kufirit me Shqipërinë.

Mendohet se edhe më herët çifti Sholla kishte qenë për të punuar në Greqi, por për shkaqe që nuk dihen, nuk ka bërë një udhëtim legal këtë herë.

Policia ka konfirmuar se ata nuk kanë vulosur pasaportat në kufirin e rregullt në Kapshticë, duke lënë të hapur dyshimet se ata i kishin tejkaluar rregullat e qëndrimit 3-mujor në Greqi.

Tashmë, familja Sholla ka hapur dyert e mortit në Kolonjë të Lushnjës. Prindërit janë të tronditur për fatkeqësinë që u ra dhe nuk patën mundësi që ta ndalonin.

Kjo është ngjarja më e rëndë që pas liberalizimit të vizave që ndodh me emigrantët shqiptarë në Greqi. Gjatë sezoneve të punës, shteti grek vendos kontrolle të forta në kufi, për të mos lejuar futjen e emigrantëve vetëm për punësim, pa dokumentacionin e duhur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura