Po hynte në ambasadën gjermane, si u vra 17 vjeçari. A kishte dorë Sigurimi i Shtetit? Dritëhijet e një krimi që u fol pak në tre dekada dhe një deklaratë e Ramiz Alisë

Jul 2, 2020 | 17:29
SHPËRNDAJE

Roland Qafoku/ Të hënën e 2 korrikut 1990, Shqipëria kaloi një nga ngjarjet që i dha grushtin e parë të fortë sistemit komunist. 5200 persona u futën në godinat e ambasadave të huaja në Tiranë dhe kërkuan strehim politik në shenjë proteste kundër regjimit.

ambasada

Por sot që kanë kaluar 3 dekada nga kjo ngjarje, brenda saj ka edhe një ngjarje që pothuajse është mbajtur e fshehur. Ose është folur shumë pak, ose nuk është folur fare. Po atë të hënë, teksa kalonte murin e ambasadës gjermane, i riu 17-vjeçar Artin Basha nga lagja Kombinat i Tiranës u qëllua me dy plumba pistolete nga një person i panjohur zyrtarisht, por që dyshohet se e ka qenë polic.

Një javë më pas, Basha vdiq në spital. Në fakt, ka dyshime të forta se vdekja e tij ka ardhur si pasojë e një manipulimi të oficerëve të Sigurimit të Shtetit për të fshehur krimin. Ndërkohë që presidenti i asaj kohe Ramiz Alia deklaroi se asnjë nëne nuk u mungonte djali në shtëpi. Më poshtë po sjellim pjesë nga libri “100 vrasjet më të bujshme në historinë e Shtetit shqiptar 1912-2017”, në të cilin trajtohet gjerësisht edhe kjo ngjarje.

NGJARJA

vik1

Futja e 5 mijë shqiptarëve në ambasadat Perëndimore atë 2 korrik 1990 ishte shumë herë më e bujshme si ngjarje se sa vrasja në dyert e Ambasadës Gjermane të një të riu 17-vjeçar nga Tirana. Plagosja dhe më pas vdekja e Artin Bashës ka marrë më shumë vlerë me kalimin e viteve sesa ato orë e ditë të vapës së verës së vitit 1990 kur Tirana dhe gjithë Shqipëria ishte në kaos.

Shtoi këtu edhe errësirës së lajmit, ajo ngjarje e lënë me qëllim në hije në fakt ka një simbolikë ekstra: Ndërsa futja në ambasada ishte grushti i parë i madh që mori regjimi komunist, gjaku i derdhur i djaloshit nga lagja “Kombinat” në Tiranë shërbeu që Shqipëria të hapte kufijtë. Si kurrë më parë, 5200 shqiptarë i thanë lamtumirë vendit të tyre që lëngonte prej 46 vjetësh nën diktaturë duke lënë pas në Shqipëri një hero i qëlluar për vdekje teksa kapërcente murin e Ambasadës Gjermane.

SKENA E KRIMIT

Artin Basha e kishte ndarë mendjen atë 2 korrik që do futej në Ambasadën Gjermane. Rasti ishte fatlum për të kur Bodinaku shpërtheu murin e pasmë të Ambasadës Gjermane me anë të një kamioni dhe një turmë e madhe u fut brenda. Artini bëri tentativën e parë të futej bashkë me të tjerë hipur në kamionin e Ylli Bodinakut, por duke qenë shumë i ri atë nuk e kishte lejuar të hipte në kamion. Atëherë Artini bëri tentativën e dytë.

Këtë herë në orën 18.00 nuk e bëri dysh edhe pse policia në pjesën e prapme të godinës e kishte kthyer në një kufi të vërtetë dhe kishte ndërtuar me një mur të improvizuar në vend të boshllëkut të krijuar nga kamioni. Hipi në mur me qëllimin për të përfunduar brenda, por një plumb e shoqëruar me një krismë të thatë e goditi nga prapa në kurriz, duke i shkaktuar një plagë me dalje në hije.

Fati i keq u shoqërua me një fat të mirë, trupi ra në pjesën e oborrit të Ambasadës Gjermane. Njerëzit që ishin aty afër shpejtuan t’i japin ndihmën e parë. Më të zellshëm ishin diplomatët gjermanë. Ata e mjekuan me mjetet rrethanore në ambasadë, por Artini po humbte shumë gjak.

Atëherë vetë ambasadori vuri në dispozicion makinën dhe trupi i Artinit u dërgua në spital. Në mbrëmje ai iu nënshtrua operacionit në spitalin kirurgjikal të Tiranës, i cili zgjati 4 orë. Një javë më pas ndërroi jetë në një nga dhomat e pacientëve në këtë spital.

DY VERSIONET E NGJARJES/VERSIONI 1

vik

Plagosja e Artin Bashës dhe më pas vdekja e tij pas 1 javë në spital është nga ato ngjarje që është e mbështjellë me një tis misteri. Regjimi komunist ishte në grahmat e fundit të tij dhe egërsia ndaj atyre që i dhanë grushtin me futjen në ambasada ishte në rritje. Nuk ka dyshim që Artin Basha është qëlluar nga një polic. Familja e Artin Bashës ka grumbulluar dëshmitë e shumë personave që kanë qenë në atë moment aty, por që autorin nuk kanë mundur ta identifikojnë. Kjo është edhe arsyeja që gjithçka më pas ka pasur si qëllim fshehjen e ngjarjes, zhdukjen e gjurmëve dhe kulmi i të gjithë me vdekjen e të plagosurit. Qirace, e ëma e Artin Bashës, shpreh bindjen se ndaj të birit është bërë manipulim për ta vdekur.

vik-2

“Sapo shkova në spital dhe e pash djalin të plagosur i kontrollova beben e syrit dhe ngjyrën e brendshme të qepallave të poshtme. Ishte ngjyrë e kuqe. Nga ajo që kisha mësuar kjo ngjyrë ishte shenjë e mirë”. 784

Një tjetër element është deklarata e mjekut kirurg që ka kryer operacionin. Qiracja tregon se ai na qetësoi kur na tha:

“Mos u bëni merak. Djali do bëhet mirë”.

Kjo deklaratë u përforcua edhe pas operacionit që sipas mjekëve doli me sukses. Qireca tregon se përsëri mjeku tha se Artini do bëhej mirë.

“Ne u gëzuam dhe nuk patëm asnjë shqetësim ekstrem.Te koka e tim biri qëndronin përherë njerëz, ndërsa unë bëja ushqim për të, si supë apo diçka të lëngshme”.

Por në ditën e shtatë ndodhi ajo që nuk pritej. Artini vdiq krejt papritur pa asnjë komplikacion që ishte i paparashikueshëm. Kjo për familjen hodhi shumë dyshime. Qiraces i kujtohen të vetmet fjalë që ka dëgjuar nga goja e të birit. Nuk arrinte t’i shpjegonte por kishte një këmbëngulje.

“Mama unë do vdes”!

vik-3

Edhe sot Qiraces i oshtijnë në vesh këto fjalë. Për të nuk ka pikë dyshimi që Artini i kishte thënë këto fjalë për vetë faktin se ai kishte parë dhe kishte ndjerë çfarë mund t’i kenë bërë oficerët e Sigurimit fshehtas atij. Por dyshimet më të forta i ka hedhur oficeri i Sigurimit të Ambasadës Gjermane, Lothar Parzeler.

“Në një moment të caktuar në spital vijnë njerëzit e Sigurimit. Ishin civilë, një tip tjetër policësh nga ata që kisha parë deri atëherë në Tiranë, ishin trupmëdhenj, muskulozë, të shtinin frikën. Donin të hynin tek salla e operacionit dhe ta merrnin djalin.”

Nuk ka dyshim që atë që e synuan, por nuk e arritën përpara operacionit, njerëzit e Sigurimit e realizuan pas operacionit. Në rrëfimin e tij oficeri gjerman Parzeler gati e mbyll diskutimin kur tregon bisedën me një mjek të huaj.

“Më vonë, nga një doktor kubanez, që ndodhej në spital morëm vesh që Sigurimi e kishte marrë nga reanimacioni dhe nxjerrë në pavijon. Më erdhi shumë keq kur mora vesh që kishte vdekur…”

Për herë të parë dyshimet i ka hedhur Sali Berisha. Vetëm pak më shumë se një muaj më vonë, mjeku i njohur në atë kohë në takimin e intelektualëve me Ramiz Alinë ai hodhi poshtë versionin e një incidenti.

“U dha komunikata për 2 korrikun dhe u tha se pati plagosje të lehta nga të dyja palët kur në fakt një i ri ishte duke vdekur në spitalin numër 2 dhe siç duhet ai vdiq. Atij u bënë roje te koka për dy ditë diplomatët e ambasadës gjermane”, tha Berisha.

Versionin e vrasjes nga policia dhe të manipulimit kryeministri në detyrë Sali Berisha e ka mbajtur përherë edhe kur ka qenë në pushtet dhe në opozitë që nga ajo kohë. Më 2 korrik 2010 tek vizitonte familjen e Artinit ai tha:

“Vrasja e Artinit në muret e ambasadës ishte një akt i shëmtuar, por po aq i shëmtuar ishte përpjekja e diktatorit dhe sejmenëve të tij për ta fshehur dhe fajësuar Ambasadën Gjermane për vdekjen e  tij e cila në fakt e dërgoi në spital” (Gazeta “RD”, 3 korrik 2010, faqe 3).

Ironia është se pavarësisht versionit që ka dhënë, edhe drejtori i policisë së Tiranës Dilvar Bengasi ka hedhur dyshimet e veta në këtë ngjarje duke konfirmuar që policia në kë rast është lënë me qëllim jashtë loje.

VERSIONI 2

Drejtori i Policisë së Tiranës Dilaver Bengasi në vitin 1990 hodhi dyshime se në vrasje kanë gisht diplomatët gjermanë, për ta kthyer si shkak që policia shqiptare vrau ata që po futeshin në ambasadë. Ai e lidh këtë me faktin se oficerët e Ambasadës Gjermane kanë rrëmbyer pistoletën një polici shqiptar. Por zyrtari më i lartë i policisë që merrej me ngjarjen, dyshimeve ndaj diplomatëve gjermanë i shton edhe ndaj diplomacisë shqiptare. Bengasi gati sa nuk thotë që kishte një pakt mes Ambasadës Gjermane dhe Ministrisë së Jashtme:

“Duhet thënë se pistoletën që i rrëmbyen punonjësit të policisë dy “diplomatët gjermanë, ajo ambasadë, e dorëzoi në ministrinë e Jashtme pas 20 orësh. Por ky fakt nuk u deklarua asnjëherë as nga ministria e Jashtme e as nga masmedia e asaj kohe as në fillimet e ngjarjes e as më vonë. Nuk u hetua as fakti përse ia rrëmbyen punonjësit të policisë që ishte duke kryer shërbimin”.

Fajësimi i Ambasadës Gjermane është absurd jo vetëm për interesin e treguar prej tyre, jo vetëm dërgimi me urgjencë në spital jo vetëm kujdesi, por edhe këto fjalë të ambasadorit të asaj kohe që u është drejtuar mjekëve shqiptarë:

“Shërojeni se do ta marrim ne në Gjermani. Ky është qytetar gjerman. Nëse ju mungojnë ilaçet, do tua sjellim ne menjëherë nga Gjermania”.

FSHEHJA E NGJARJES

Një plagosje dhe më pas viktimë ishte një ngjarje tejet e rëndë, por jo për regjimin e asaj kohe. Kishte një kujdesie të veçantë që media ta fshihte ngjarjen dhe arsyeja lidhej me faktin se mund të irritoheshin turmat që sipas shefit të Hetuesisë Qemal Lame 100 mijë banorë të Tiranë nga mijë që kishte, ishin në rrugë. Asnjë gazetë ditore apo periodike ato ditë dhe më vonë nuk dhanë këtë lajm. Madje gazeta numër 1 e regjimit komunist “Zëri i Popullit” disa ditë pas ngjarjes bënte sfidën.

“Asnjë nëne nuk i mungon djali në shtëpi”.

Artin Basha ishte një prej tyre. Por për regjimin që për 46 vjet kishte hequr qafe me qindra e mijëra kjo ngjarje nuk quhej.

Ja çfarë shkruan Dilaver Bengasi, në librin e tij “Enigmat e 2 korrikut ’90”, faqe 73-74

“Nga mjediset e ambasadës gjermane, ato ditë të korrikut u nxuar i plagosur rëndë një djalë I ri, I cili u dërgua në spital ku edhe vdiq. Kjo viktimë e vetme e 2 korrikut mban në vetvete edhe enigmën e vet. Mjaft pyetje profesionale për rrethanat e pafavorshme të asaj ndodhi mbetën pa përgjigje siç mund të kenë: Kurd he kush e plagosi? Nëse u plagos jashtë rrethimit të ambasadës aq rëndë sa përfundoi në vdekje, si mundi të shkojë deri në mjediset e brendshme të ambasadës aq rëndë sa përfundoi në vdekje si mundi të shkojë deri në mjediset e  brendshme të ambasadës?”

SKEDA E KRIMIT

ARTIN BASHA

VIKTIMA: ARTIN BASHA

POZITA E VIKTIMËS NË MOMENTIN E VRASJES: Nxënës në vitin e 3-të të shkollës së mesme Teknologjike, Tiranë

POZITAT E TJERA TË VIKTIMËS PËRPARA VRASJES:Nuk ka patur

DITËLINDJA: 23 prill 1973, Tiranë, Shqipëri.

DATA E VRASJES:  Plagoset të hënën më 2 korrik 1990, ora 18.00 dhe vdes të hënën më 9 korrik, ora 09.00, 1990

MOSHA E VIKTIMËS:  17 vjeç, 2 muaj e 9 ditë

VENDI I VRASJES: Plagoset duke kapërcyer murin e pasëm të godinës së ambasadës Gjermane në Tiranë, vdes në spitalin kirurgjik Tiranë, Shqipëri

AUTORI I VRASJES:  Pa autor

MOTIVI I VRASJES: Për kalim të paligjshëm të kufirit

VERSIONI ZYRTAR I NGJARJES: Vdiq 7 ditë pas operacionit kirurgjikal si pasojë e komplikacionit nga dy plagët e shkaktuara me armë zjarri

VERSIONI JO ZYRTAR:  Vdiq nëpërmjet manipulimeve me ilaçe nga pjesëtarë të Sigurimit të Shtetit

Artin Basha ka thënë për vdekjen, intervistë me nënën e tij Qirace Basha

“Mama unë do vdes”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura