Po fundja, Gëzuar!

Dec 29, 2014 | 15:08
SHPËRNDAJE

Kur ju ndodh ky shndërrimi në njerëz të mirë?! Për sa ditë e keni planifikuar të jeni të tillë? Deri më datë 4? Ju bie mirë këtë vit. Mundet që t’i kurseni disa ditë, sepse datat 3 dhe 4 janar qëllojnë fundjavë. Do të thotë se mund të jeni ata që jeni, brenda në shtëpi, nuk do takoni njerëz, nuk do shkoni në punë, a të tjera si këto. Vetëm mos harroni që kur të bëni ndonjë fotografi, të vini mimikën e mirësisë që duhet këtyre ditëve. Me bamirësitë me siguri që do keni mbaruar punë që më parë, kështu që çlirim… Vetëm se, kur të rehatoheni, kujtohuni që nuk është se i beson njeri pozicionet që merrni. Ndofta është e vërtetë që dikur, diku, keni qenë edhe ju ashtu siç do donit të ishit, por  nuk e kujtoni më se si dhe në ç’rrethana jeni sjellë të tillë. Nuk ju kujtohet ngaqë ka qenë sjellje e natyrshme e harrohet. Sot, skenarët kujtohen mirë, sepse ulesh e i bën me kujdes, ashtu siç bëre pemën. Shumë të bukur e kishe bërë! E pashë në fotografi, në facebook. Edhe ato dhuratat nën pemë të tërhiqnin. Me siguri që edhe përbrenda kanë pasur xhevahir të çmuar. Sa do jenë gëzuar ata që i kanë marrë! Apo i kishe vënë sa për fotografi?! Sidoqoftë, bukur. Po vetë, pse nuk i dilni përpara aparatit? Aaa, nuk flisni! Po janë këto ditët, harruat! Prandaj, mblidhni ca rraqurina, dhe hë, o nga fshati S.O.S, o në ndonjë spital, bëjeni një resme. Erdhi janari, do t’ju përfshijë shpejt njeriu që po fle këto ditë brenda jush e nuk do keni më kohë të merreni me këto gjëra. Nuk është se jeni për t’u fajësuar, hë. Mundet që t’jua dojë edhe puna. Ashtu të brishtë e të pushtë siç ishit, nuk do qullosnit gjë. Duhesh mbajtur ca me të madh dhe pastaj sikur tërheq vetiu ata të sojit tënd. Por këto ditë jo, të mos e njollosim atmosferën. Sot do jesh me siguri në ndonjë nga libraritë e mëdha në qytet për të blerë dhuratat e fundit. Do t’i gëzosh të gjithë. Fëmijët e tu nuk i kënaq dot më, se nuk ke me çfarë. I kanë të gjitha! Çdo gjë do u duket e mërzitshme, opo çoji në fund të botës, prapë uf-buf do bëjnë. As ata nuk e dinë më se çfarë do mund t’i kënaqte. Ah po, përveçse të përbuzin të tjerët! Ah, të ndiheshe përgjatë gjithë vitit kështu siç ndihesh sot, kaq e mirë, do t’i kishe edukuar ndryshe. Sidoqoftë, e mençur je, ke gjetur periudhën më të përshtatshme për t’u pastruar. Njerëzit janë ca si të hutuar. Sikur ngjit kjo turbullia e “gëzuar, gëzuar” dhe ju duket sikur po gëzojnë vërtet. Kështu, nga matufëria mundet të mos i vënë re tjetërsimet e tua, kujtojnë vetëm se seç të ka rënë një nur! Që pastaj, nga pesha e punëve të përditshme, zbehet, bëhesh agresiv, por këtë e ke nga tensionet e përgjegjësitë. Sepse Ti e vërteta je ajo e atyre ditëve të mira. Sa pak ditë që janë, sa shpejt kalojnë! Duhet pritur një vit të të shijojmë prapë. Tjetrin do të jesh edhe më e mirë se stazhionohesh. Ne vazhdojmë po njësoj. Nga ata që nuk dimë të themi një fjalë të dashur, një të mirë. Do jemi çmpirë edhe nga gëzimi që na la portreti yt i ri e do i falemi çadrës të mbajë edhe ca. E fundit u harrua në një stol që u ule dhe, sa herë të duhet të blesh të re, kujton sa i varfër je. Në fakt, këtë të fundit e ke të shkruar në ballë, por ti me veten tënde e analizon më ngeshëm kur bie shi. Mundet që nga këto analizat e gjata të jesh gjithnjë si zymtë. Shikon ca njerëz të qeshur e të hareshëm tërë kohës. Jo se nuk marrin drogë të gjithë, jo. Cave u ka ngelur nga ato ditët e mira tepricë. Po kjo pastaj është analizë vjetore. Ne nuk e nisëm kështu, donim vetëm të bënim një përmbledhje të shkurtër të magjisë e magjistarëve të këtyre ditëve. Falë të cilëve, kujtojmë që, sido qofshim, jemi më të mirë.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura