“Po festonin ditëlindjen e Lusindës”- Babai i të mbijetuarës rrëfen telefonatën e fundit me të bijën dhe si e mori vesh lajmin e tmerrshëm: Më tha se po kënaqemi, por…

Sep 14, 2020 | 16:45
SHPËRNDAJE

Edmod Dibra, babai i Denisa Dibrës, një prej të plagosurave në aksidentin tragjik të pasdites së djeshme në dalje të tunelit në aksin Tiranë-Elbasan, për News 24 ka treguar telefonatën e fundit me vajzën.

Fatkeqësisht ndërruan jetë si pasojë e plagëve të marra dy vajzat Lusinda Garunja dhe Zhenete Qallia, ndërsa të plagosura janë motra e Lusindës, Nevida Garunja dhe Denisa Dibra që ishte edhe pronare e makinës tip ‘Volkwagen’.

Edmondi ka treguar se vajzat ishin duke festuar ditëlindjen e viktimës Lusinda Garunja dhe kur kishte folur në telefon, vajza i kishte thënë se po kënaqeshin dhe do ktheheshin në Shkodër nga ora 18:00.

Por ky orar kishte kaluar dhe pasi ora kishte shkuar 20:00 dhe e kishte marrë në telefon, një djalë nga Elbasani i ishte përgjigjur dhe i kishte dhënë lajmin e tmerrshëm.

Ai thotë se aktualisht dy të plagosurat janë në gjendje stabël, ndërsa kërkon dënimin e shoferit Behar Pema, që shkaktoi aksidentin fatal, pasi drejtonte mjetin në gjendje të dehur.

“Vajzat kanë qenë duke festuar ditelindjen e Lusinda Garunjes, 19 vjetorin e saj. Fatkeqësisht u kthye ne ditë morti. Fola me vajzën në telefon dhe më tha se po kënaqemi dhe nga ora 18:00 do të kthehemi për në Shkodër.

Isha në një lokal në qytetin e Shkodrës. U bëra merak se kur shkoi ora 20:00 vajza s’më mori. E mora në telefon dhe mu përgjigj një djalë nga Elbasani.

E falënderoj djalin që i dha ndihmën e parë vajzës. Të katërta vajzat ishin si të miat pasi Denisa i ishte rritur me to. Të dënohet ai kriminel që shkaktoi aksidentin”- tha ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura