Po bashkohen gjithë qelbësirat kundër Metës

Sep 30, 2015 | 12:34
SHPËRNDAJE

ILIR BABARAMO163791

   Për tre muaj rresht, Edi Rama më kot është munduar të fshehë mosmarrëveshjet që ka me bashkëdrejtuesin e koalicionit të majtë. Krisja nisi në çastin kur filluan të numëroheshin votat e zgjedhjeve për pushtetin lokal. Koalicioni qeverisës nuk kishte funksionuar plotësisht në terren. Pati bashki ku humbën kandidatët e majtë për shkak të mosmarrëveshjeve mes PS-së dhe LSI-së. Kandidatët që u penalizuan ishin kryesisht të partisë së Metës. Fillimisht u mendua se në ditët që pasuan 21 qershorin, do të davariteshin retë e stuhisë që niste me keqkuptime dhe paralajmëronte stuhi.

Pak nga pak, opinion publik filloi të kuptojë se Rama nuk e kishte shitur Metën. Humbja në disa zona kishte ndodhur ose për shkak të pazareve që kishin bërë pashallarët lokalë të PS-së, ose kandidaturat nuk kishin qenë të duhurat. Kjo situatë nuk do ishte përkeqësuar nëse LSI nuk do të kishte rritur peshën e saj elektorale 50 për qind më shumë se zgjedhjet e dy viteve më parë. Kjo shifër duket se krijoi nervozizëm si te Rama, ashtu dhe te Meta.

Kryetari i PS-së duhet të jetë ndier i shqetësuar për rritjen e aleatit të tij. Po ashtu, edhe Meta duhet të ketë menduar se përfaqësimi i LSIsë në pushtet nuk reflekton rritjen galopante të partisë së tij. Gjatë stinës së gjatë të pushimeve të dy janë dominuar nga emocionet. Mungesa e komunikimit u la hapësirë spekulimeve. Boshllëkun e krijuar në komunikimin mes tyre u ngutën ta mbushin një çetë spekulantësh. Është e njëjta bandë që prej më shumë se dhjetë vjetësh ka kapur për fyti financat publike

Menduan se erdhi sërish ora e tyre. Janë të njëjtat fytyra të diskredituara që ditën bënin tenderët dhe natën nxirrnin në televizionin e tyre manipulatorët e opinionit publik. Për hir të së vërtetës, qeveria aktuale nuk u ka futur ndonjë gjemb në këmbë. Por bulimia duket se është sëmundje që nuk kurohet. Menduan se mund të kthejnë sërish parajsën e tyre që e humbën dy vjet më parë. Kërkojnë të largojnë me çdo kusht Metën nga qeverisja. Ky do të ishte hapi i parë i një reaksioni zinxhir që ata besojnë se do ta çojë të majtën e bashkuar sërish në opozitë. Për këtë arsye kanë nisur këtë operacion të ethshëm, që me shumë gjasa do t’u kthehet në boomerang.

Pak nga pak po zbulohet se kush po tërheq fijet e skandalit të CEZ-it. Janë klientët e qeverisë së mëparshme. Duhet të jenë të përlyer në gjithçka, gjersa nuk gjetën ndonjë aferë tjetër përtej kësaj të borxheve të CEZ-it. Flitet nga mëngjesi në mëngjes për firmën DIA, administratori i së cilës është arrestuar nga kjo qeveri për mashtrim dhe pastrim parash, ndërkohë askush nuk flet për gjashtë kompanitë e tjera, të cilat kanë përfituar në të njëjtën mënyrë. Madje, njëra prej tyre duket se ka qenë më e privilegjuara. Merrte 50 për qind komision sukses për paratë që jo privatët, por entet shtetërore i detyroheshin kompanisë çeke. Pra për të fituar dhjetëra miliona euro, mjaftonte një kafe pune me ministrin Bode dhe me dijeni të Berishës.

Këta klientë të qeverisë me njërën dorë i jepnin dhe me tjetrën i merrnin. Skemë e pacipë zhvatjeje. Në këtë gurgule nuk kishte si të mos përfshiheshin dhe pronarët e kinostudios “shit tulla, bli ilaçe”, bashkë me mercenarin e tyre të përhershëm. Së fundi kanë nxjerrë teorinë e koalicionit me bazë të gjerë, pra PS dhe PD të bashkëqeverisin.

Kjo është e vetmja mënyrë për të shmangur rolin e Metës. Flasin për parime, por i vetmi qëllim është krijimi i një terreni për të bërë sërish plaçkë. Janë të njëjtët që bërtisnin me të madhe dy vjet më parë se “u bashkuan gjithë qelbësirat kundër Berishës”.

Ky koalicion që po përpiqen ta ndërtojnë në hollet e hoteleve të Tiranës është krejt i kundërt me ADN-në e dy partive të mëdha. Çdo deviacion gjenetik pjell monstra. Një koalicioni i tillë nuk është në interes të askujt, ca më tepër të qytetarëve, të cilët kanë votuar për të pasur një qeveri funksionale dhe një opozitë të fortë. Rama dhe Basha duhet ta refuzojnë këtë grackë.

Kryetari i Partisë Socialiste duhet ta ketë mësuar një parim fiziologjik, refleksin e Pavllovit. Nëse e vendos dorën mbi një stufë që djeg, instinktivisht nuk e vendos sërish në të njëjtin vend. Dhe kjo ka ndodhur që nga viti 2005. Sa herë e majta ka qenë e ndarë, PD ka qenë në qeveri. Bashës gjithashtu nuk i intereson kjo skemë që i serviret.
Nëse do të bashkonte votat me një qeveri te PS, do të çonte PD-në në forcën e tretë politike në vend.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura