Plumb në zarf në makinë, i riu fierak i terrorizuar. Çfarë tha në polici

Jun 13, 2018 | 9:23
SHPËRNDAJE

Një kërcënim i hapur për një djalë të ri në Fier, i cili ka mbetur i shokuar nga ajo që ka gjetur në makinën e tij. A.N., 30 vjeç, me banim në Fier, ka bërë kallëzim në Polici paraditen e kësaj të hëne, duke denoncuar çfarë i ka ndodhur.

policia e shtetit

I riu ka deklaruar para oficerëve të Policisë se rreth orës 07:30 të ditës së djeshme, në mjetin e tij tip “Toyota”, parkuar pranë banesës, në fshirësen e xhamit, ka gjetur një zarf me një fishek brenda. I frikësuar mbi atë që mund t’i ndodhë, duke e marrë si kërcënim të pastër, bashkë me zarfin, ai është paraqitur në Polici.

“Jam i frikësuar nga kjo gjë. Nuk di të kem pasur përplasje me ndonjë apo t’i kem rënë më qafë ndokujt. Unë shoh hallet e mia dhe nuk kam lidhje apo detyrim ndaj askujt”, mësohet të ketë thënë ai, ndërsa ka kërkuar që të merren masa sepse nuk ndihet i sigurt pas kësaj që i ka ndodhur.

Por, për shkak se çështja është ende nën hetim, nga Policia nuk bëhen me dije më shumë detaje mbi rastin. I riu nuk është i punësuar askund dhe jeton me prindërit.

Aktualisht po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit. “Më datë 11.06.2018, shtetasi A.N., vjeç 30, banues në Fier, kallëzon se rreth orës 07:30, në mjetin e tij, tip “Toyota”, parkuar pranë banesës, në fshirësen e xhamit, ka gjetur një zarf me 1 fishek. Punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit. Nenet 84 e 278 të Kodit Penal”, bën të ditur Policia.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura