Plotësimi i Gjykatës Kushtetuese, Balla thirrje Presidentit Meta: Deri përpara Krishtlindjeve…

Nov 4, 2019 | 15:47
SHPËRNDAJE

Balla-parlamenti-meta

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ne fjalen e tij sot ne foltoren e Kuvendit, duke iu pergjigjur disa reagimeve të deputetëve të opozitës, lidhur me Aktin Normativ për buxhetin, ku nenvizoi se rishikimi i buxhetit ka per qëllim rialokimin e shpenzimeve aty ku kanë nevojë qytetarët.

“Ju nuk keni qenë këtu në këtë sallë, por ata që ishin para jush, kanë bërtitur, kanë qarë me arsyetimin që buxheti i vitit 2019 do të ishte një buxhet që do të thellonte deficitin. Kjo nuk ka ndodhur aspak, pasi deficiti buxhetor është 1.9% e prodhimit të brendshëm bruto”, tha deputeti socialist.

Teksa vuri edhe afat, Krishtlindjet, kohe ne te cilen tha se Kuvendi do të plotësojë tre vendet që i takojnë ne Gjykaten Kushtetuese, “sikurse edhe Presidenti i Republikës duhet të veprojë sipas Kushtetutës brenda afateve të përcaktuara”, tha ai.

Fjala në Parlament e Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla:

Nisur edhe nga disa reagime të deputetëve të opozitës, lidhur me Aktin Normativ për buxhetin, dua ta them që rishikimi i buxhetit është një politikë e konfirmimit të stabilitetit financiar dhe buxhetor të vendit.

Në plot vende, edhe në ato me ekonomi tepër të zhvilluar, gjithmonë qeveria vendos që në pjesën e dytë të vitit, të bëjë një Akt Normativ apo të rishikojë buxhetin me qëllim rialokimin e të ardhurave që burojnë nga mirëadministrimi fiskal. Padyshim që ky Akt Normativ ka tre veçori kryesore, për të cilat unë si Kryetar i grupit të shumicës dua që publikisht ta falenderoj qeverinë për shkakun se: nuk ka ndryshime në të ardhura, nuk prek shpenzimet e përgjithshme të buxhetit dhe padyshim nuk prek as deficitin.

Këto janë tre indikatorët kryesorë të gjithkujt që bën një analizë pa anësime politike. Pra, jemi në kushtet ku niveli i deficitit buxhetor mbetet aq sa ishte parashikuar në fillim të vitit.

Ju nuk keni qenë këtu në këtë sallë, por ata që ishin para jush, kanë bërtitur, kanë qarë me arsyetimin që buxheti i vitit 2019 do të ishte një buxhet që do të thellonte deficitin. Kjo nuk ka ndodhur aspak, pasi deficiti buxhetor është 1.9% e prodhimit të brendshëm bruto.

Krahasuar me të gjitha vendet rajonit ky është deficiti më stabël. Po kështu borxhi publik qëndron në kufijtë e parashikuar të fillim vitit, 65.5% të prodhimit të brendshëm bruto; dhe e treta, bilanci fiskal, vijon të jetë një tregues pozitiv me suficit siç ka ndodhur prej vitit 2016, ku ky tregues për herë të parë pas 20 vitesh u kthye nga negativ në pozitiv. Kjo është arsyeja se përse ne kemi një Akt Normativ, i cili na lejon të mundësojmë një mbështetje më të madhe për pushtetin vendor. Përmes këtij Akti Normativ rrisim financimin me 4 miliardë lekë për pushtetin vendor.

Duhet ta themi, pas zgjedhjeve të 30 qershorit në të gjithë territorin ka një mirë administrim të të ardhurave në pushtetin vendor.

Në 9-mujorin e këtij viti, i cili është treguesi i parë, kemi një rritje me 2.5 miliardë lekë ose 15 pikë përqindje në krahasim me planin e parashikuar.

Rritja e financimit të pushtetit vendor do të sigurohet nga rritja e të ardhurave të veta me 3 miliardë lekë dhe rritja e financimit të huaj vendor me 1 miliard lekë.

Kush ishte skeptik për 30 qershorin besoj se edhe në kontekstin e të dhënave financiare në të gjitha bashkitë e vendit tregon se ka një mirëadministrim të pushtetit vendor.

Arsyeja tjetër e rëndësisë që ka ky akt, lidhet me financimin e fondit rezervë të buxhetit të shtetit, i cili rritet me 450 milionë lekë. Kjo masë siguron financimin e përballimit të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i datës 21 shtator 2019.

Besoj se biem të gjithë dakord që kjo qeveri ka mirëadministruar si rrallë ndonjëherë një fatkeqësi natyrore, nga më të mëdhatë që kanë goditur vendin që padyshim vjen sot për të kërkuar edhe votën tuaj për të mbështetur të gjitha familjet që janë dëmtuar nga tërmeti.

Së katërti, sigurohet akomodimi i nevojave të reja të funksionimit të institucioneve të sistemit të drejtësisë, pra vettingut, si nga pikëpamja e shpenzimeve, ashtu edhe nga numri i punonjësve.

Kemi pasur një kërkesë të vazhdueshme nga të dy komisionet që përbëjnë procesin e vettingut për të rritur kapacitetet e tyre administrative, e cila impaktin e drejtpërdrejtë e ka në përshpejtimin apo rritjen numrit të gjyqtarëve apo prokurorëve që kalojë përmes vettingut.

Nuk besoj se mund të ketë një deputet në këtë sallë që të mos vlerësojë, ashtu siç vlerësohet nga të gjithë partnerët e Shqipërisë, që procesi i vettingut po ecën në një mënyrë të shkëlqyer ku nga 190 prokurorë e gjyqtarë që kanë kaluar deri më sot, afro gjysma e tyre nuk e kanë kaluar këtë proces. Kjo tregon se sa e thellë paska qenë kriza e sistemit të vjetër të drejtësisë, mungesa e pastërtisë së figurës, mungesa e transparencës së të ardhurave. Ka edhe plot raste të cilat KPK apo KPA kanë konsideruar se prokurori apo gjyqtari nuk ka përgatitjen profesionale të nevojshme për të vënë drejtësi në këtë vend.

Kush u mundua të pengonte Reformën në Drejtësi e ka marrë sot mesazhin e qartë nga suksesi i këtij procesi, i cili padyshim është vetëm në fillimin e vet. Dua ta ritheksoj se ka ende prokurorë e gjyqtarë, të cilët e dinë fare mirë që nuk e kalojnë procesin e vettingut, por janë bërë pjesë e asaj bande të papranueshme “KÇK”, për të cilën duhet gjetur mekanizmi për ta parandaluar.

Procesi i vettingut është garancia që Shqipëria europiane është në drejtimin e duhur për sa i përket ndërtimit të një sistemi drejtësie tërësisht të pavarur. Ne kemi në proces në Kuvendin e Shqipërisë kandidaturat që i takojnë Kuvendit për Gjykatën Kushtetuese. Komisioni i Çështjeve Ligjore po bën një procedurë siç e përcakton Kushtetuta dhe brenda afatit 30 ditor që Kuvendi ka, padyshim do të ezaurojë të drejtën për të zgjedhur 1/3 e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Besoj përpara Krishtlindjeve, Kuvendi do të plotësojë tre vendet që i takojnë, sikurse edhe Presidenti i Republikës duhet të veprojë sipas Kushtetutës brenda afateve të përcaktuara.

Së pesti, janë bërë edhe disa rialokime të tjera. Në Ministrinë e Brendshme rriten shpenzimet me 450 milionë lekë për pagesën e rrogave jashtë orarit të efektivëve të Policisë së Shtetit, ushqimit dhe orëve të punës së Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, kursantëve, si edhe 30 milionë lekë të reja për pagat në Gjendjen Civile.

Në Ministrinë e Mbrojtjes rriten shpenzimet me 120 milionë lekë për mirëmbajtjen e sistemit dhe 330 milionë lekë për misionet jashtë vendit, ku Shqipëria sot është një vend që kontribuon në bashkëpunim të plotë me vende të tjera të anëtarëve të NATO-s për vendet në konflikt.

Nga ana tjetër besoj se edhe ju kolegë të opozitës duhet të jeni dakord që ti japim Ministrisë së Shëndetësisë 300 milionë lekë të reja për mbështetjen e skemës së personave me aftësi të kufizuar si kompensim i financimit të Paktit për Universitetin dakordësuar që në janar të vitit 2019.

Ndërkohë në Ministrin e Arsimit, të rrisim shpenzimet me 300 milionë lekë për financimin e arsimit bazë si kompensim i financimit të Paktit për Universitetin, edhe kjo e dakordësuar në janar të vitit 2019.

Këto janë ndryshimet bazë të këtij Akti Normativ. Lërini mënjanë partitë dhe mbështesni qeverinë për këtë akt të rëndësishëm të rishikimit të buxhetit me qëllim rialokimin e shpenzimeve aty ku kanë nevojë qytetarët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura