Pllaka e Sulejmanit dhe kalaja ideologjike e jona

Oct 1, 2015 | 12:10
SHPËRNDAJE

REDI SHEHU

   Një gjë e tmerrshme paska ndodhur! Studiuesi Auron Tare, me nuhatjen e një profesionisti, ka gjetur diku në një cep të Lezhës një pllakat guri me një mbishkrim në arabisht, në të cilin flitej se Sulltan Sulejmani kishte rikonstruktuar në vitin 1522 Kalanë e Lezhës me ndihmën e një aristokrati vendës, pinjoll i familjes Skuraj. Pasi ky pllakat i prezantohet një osmanologu në Holandë nga z.Tare, na del në skenë se kjo gjetje përbën një ndër tri mbishkrimet më të rralla në Shqipëri.

Me të drejtë, Ministria e Kulturës, pasi verifikon autenticitetin e saj, e vendos atë në një vend sipër portës së Kalasë së Lezhës, e cila kishte dekada që qëndronte bosh, për të vetmen arsye se i njëjti pllakat me mbishkrimin e Sulltan Sulejmanit kishte që pas Luftës së Parë Botërore që ishte hequr pa nam e nishan. Kaq mjaftoi sa për të ndezur një histeri kolektive të zanafilluar nga një kandidat për t’u bërë politikan, i cili nën eposin e kryqëzatave u bënte këtë thirrje “lezhjanëve e qytetarëve, shqiptarëve të vërtetë, të shkojmë të gjithë bashkërisht e ta shporrim këtë pllakë turpi”, pasuar nga akte barbare të dhunimit të monumenteve të kulturës në emër të gjoja po “kulturës”.

Tani, këtu fillon e bukura shqiptare kur bëhet fjalë për historiografinë. Kandidati për deputet, në fakt nuk është gjë tjetër vetëm se një ushtar i kalasë ideologjike që është ngritur gjatë komunizmit duke shembur kalanë historike përmes mungesës së objektivitetit, mendimit kritik, fakteve dhe vërtetueshmërisë së tyre, si dhe një debati të vërtetë shkencor mbi këtë faktologji. Z.Tare dhe pothuaj të gjithë ne, mund të kishim menduar se një çerekshekulli mendim i lirë do të kishin filluar të shkatërronin kalanë ideologjike të historiografisë të ndërtuar gjatë regjimit komunist, e cila karakteristikë të sajën kishte materializmin historik e ndjekur nga një metodologji marksiste-leniniste, ku vija politike e partisë përcaktonte kursin ideologjik të trajtimit të fakteve historike. Por, në fakt, kjo ngjarje jo vetëm që tregoi se sa thellë modeli marksist mbi historinë është rrënjosur te ne, por në të njëjtën kohë na bëri të dyshojmë se nëse pretendojmë se kemi elita perëndimore, sa në përputhje me mendimin perëndimor mbi qasjen ndaj historisë janë këto elita?

E vetmja periudhë e historisë së popullit shqiptar, e cila ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë e debatueshme, e pajisur me informacion shumë të madh lidhur me atë çfarë ka përbërë boshtin historik të kësaj periudhe, është prezenca e osmanëve në Shqipëri. Është interesant fakti se nuk shihet një debat aq agresiv kur bëhet fjalë për të shqyrtuar historinë e freskët të komunizmit shqiptar, dhe në të njëjtën kohë, artikulimi poshtërues me efekt denigrues që është përdorur për këtë periudhë historike është më intensiv, më i egër sesa do të duhej të ishte artikulimi ndaj sistemit komunist.

Arsyeja e këtij denigrimi progresiv qëndron në faktin se komunizmi përmes një strukture të mirëngritur të “shkruesish” të historisë me pagesë, të cilët në më të shumtën e rasteve e këmbenin me teza të servirura sipas recetave të parapërgatitura nga strategjia totalitare, fshihte identitetet, të cilat kishin të bënin me të kaluarën e këtij kombi dhe ndërtonte e fabrikonte e identitete të reja të ndërtuara me pjesë këmbimi historike të falsifikuara. Guximi i një sipërmarrjeje të tillë duhej të ishte tepër i madh sepse kemi të bëjmë me një periudhë, e cila për rreth pesë shekuj ka hyrë në çdo qelizë shqipfolësish duke ndikuar në transformimet kulturore, etnike dhe fetare.

Një guxim, luksin e të cilit mundej t’ia garantonte vetëm një makineri e madhe e strukturuar deri në institucionet e këtij vendi me qëllim që të fshijë nga kujtesa historike e çdo shqiptari jo pak, por pesë shekuj jetë, ndjenja, luftëra, gëzime, gjendje shpirtërore dhe një pafundësi procesesh mikro dhe makro historike, të cilat konfiguruan një tjetër realitet.
Në këtë pikëpamje, pllaka e Sulejmanit nuk kishte sesi të zinte vend në një kala ideologjike, ajo ishte bërë për të qëndruar në një kala historike, ku pjesë e kësaj historie ishte edhe vetë ajo. Mirëpo miti orientalist i “turkoshakut” është ndërtuar ekskluzivisht mbi poshtërimin e “Tjetrit” tashmë si kategori patologjike, e ideologjizuar me nota nacionaliste të një populli homogjen, i cili mbronte “Shqipërinë” në kohën kur identitetet nacionale na shfaqen me rënien e perandorive në shekullin e XIX.

Duhet kujtuar se ajo çka përbënte territor i banuar nga shqiptarët ishte një vend, i cili jo pak, por për rreth 15 shekuj para ardhjes së osmanëve ka qenë i pushtuar në mënyrë kronologjike nga romakët, bizantinët, venedikasit, bullgarët e serbët. Pra, ky vend vjen nga një kulturë pushtimesh të njëpasnjëshme, pjesë e boshteve kryesore dominuese të kohëve të tyre, prandaj është e rëndësishme që kur flasim për periudhën e sundimit osman, të kemi parasysh se ajo nuk ndodhi ndaj një vendi në paqe e prosperitet, i cili papritmas iu nënshtrua egërsisë së pushtimit, por ishte një vend, të cilit i duhej të bënte hesapet me disa pushtues brenda vendit në territore të ndryshme. Ardhja e osmanëve në Shqipëri zëvendësoi sistemin me shumë pushtues në të njëjtën kohë siç ishin bizantët në Jug, Venediku e sllavët në Veri, si dhe influencat e kishës ortodokse svetisaviane, me një sundim të vetëm me një sovran, duke futur një element të ri kulturor e fetar, i cili ndërtoi një njësi të vetme homogjene etnike, kulturore e administrative të shqiptarëve.

Përse ne përballemi edhe sot me një qëndrim dhe mendim kaq irracional ndaj historisë sonë? Sepse elitat tona komuniste, papritmas u shndërruan në elita pro-europiane dhe kauzën e padepërtueshmërisë në komunizëm e shndërruan në të kundërtën, në kauzën e integrimit europian. Kështu, konceptet e tradhtarit dhe patriotit të kategorizuar nga ideologjizimi enverist i historisë, e shndërruan në tradhtarë dhe patriotë ndaj ideologjisë së integrimit europian, duke u mbështetur tek i njëjti mit i historisë së ndërtuar nga ata vetë.

Që e drejta historike të rivendoset, duhet dhe është e nevojshme që historia jonë e shkruar të kalojë përmes një procesi rivlerësimi dhe mbi të gjitha, rimoralizimi të domethënies historike të ngjarjeve dhe hapave vendimtarë që morën shqiptarët. Për këtë është e nevojshme që të rritet përkuptimësia e mesazheve që vijnë nga historia, por jo vetëm kaq, është e nevojshme që diafragma e fakteve dhe provave historike duhet të zgjerohet për një frymëmarrje të natyrshme. Duhet pastruar ndërgjegjja kombëtare nga mitet e rreme dhe nga falsifikimet dashakeqe.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura