Plenumi i 5-të, tetor ’82 kur “kryqëzohej” Kadri Hazbiu/ Enver Hoxha : Armik si ministri nuk kemi parë, por këta të fundit u’a kaluan të tjerëve…

Jan 19, 2022 | 7:17
SHPËRNDAJE

Dashnor Kaloçi/ Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat kanë qenë të panjohura për 40 vite me radhë dhe shohin për herë të parë dritën e botimit, ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale sekrete e dokumente që i përkasin muajt tetor të vitit 1982, ku është pasqyruar materiali i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së me titull “Mbi mungesën e theksuar të vigjilencës dhe gabimet e rënda të shokut Kadri Hazbiu në kohën që ishte ministër i Brendshëm”, autokritika me shkrim e Kadri Hazbiut, “Vendimi i Plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSh-së mbi përjashtimin nga Komiteti Qendror e nga Partia si dhe shkarkimi nga të gjitha funksionet shtetërore dhe shoqërore të Kadri Hazbit”, si dhe proces-verbali i Plenumit të Komitetit Qendror të mbajtur në datat 13 e 14  tetor të vitit 1982 në sallën kryesore të godinës së Komitetit Qendror, ku është diskutuar dhe është marrë në analizë puna dhe veprimtaria e ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu.

kadrihazbiu

Ministri cili akuzohet për “veprimtaria armiqësore” e tij për periudhën gati 30 vjeçare kur ai shërbente në funksionin e ministrit të Punëve të Brendshme.  Dosja e plotë e me të gjitha dokumentet që botohet për herë të parë nga Memorie.al, ku përveç materialit “Tepër sekret”, të Byrosë Politike me akuza ndaj ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, publikohet edhe proces-verbali i Plenumit, ku Enver Hoxha dhe pjesa më e madhe anëtarëve të Byrosë Politike si: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Foto Çami, Hekuran Isai, Manush Myftiu, Simon Stefani, Haki Toska, Pali Miska, Prokop Murra, Spiro Koleka, Rita Marko, Lenka Çuko, Muho Asllani, Llambi Gegprifti, Vangjel Çerava, dhe Komitetit Qendror të PPSh-së, si; Nexhmije Hoxha, Gafur Çuçi, Xhelil Gjoni, Pilo Peristeri, Sofo Lazri, Piro Kondi, Petro Dode, Behar Shtylla, Shefqet Peçi, Qemal Bregasi, Dritëro Agolli, Mine Guri, Themie Thomai, Mehmet Elezi, Lumturi Rexha, Tefta Cami, Vito Kapo, Harrilla Papajorgji, Anastas Kondo, Miti Nito, Sulejman Baholli, Halil Leli, Jashar Menzelxhiu, Enver Halili, Ali Vukatana, Tahir Minxhozi, Naunka Bozo, Luan Muhameti, Rexhep Kolli, Ndreçi Plasari, Sofie Çuadari, Nezir Gorica, etj., jo vetëm kanë akuzuar ish-ministrin Hazbiu, si bashkëpunëtorin me të ngushtë të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, por edhe kanë debatuar ashpër me të gjatë gjithë mbledhjes së plenumit që zgjati dy ditë, duke i kërkuar atij që të jepte shpjegime për punën dhe veprimtarinë e tij që nga dita që ishte ulur në zyrën e ministrit, duke filluar nga marrëdhëniet e raportet me këshilltarët rusë, Konferencën e Tiranës në 1956-ën, e deri tek “bashkëpunimi i tij me grupet armiqësore” të kryesuara nga Teme Sejko, Beqir Balluku, Abdyl Këllezi dhe “poli-agjenti” Mehmet Shehu, si dhe vendimet shkarkimet nga detyrat dhe për përjashtimin nga Komiteti Qendror të Rexhep Kollit, Nazar Berberit, Veli Llakajt, Ndreçi Plasarit, etj.

Proçes-verbali ‘Tepër sekret’ i mbledhjes së Plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 13 dhe 14 tetor të vitit 1982

 PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË

 KOMITETI QENDROR                                                                         Tepër sekret

                                                 -Sektori i Përgjithshëm-

PROCES-VERBAL I MBLEDHJES SË PLENUMIT TË 5-TË TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 13 DHE 14 TETOR 1982

 Seanca e dytë

BISEDA E SHOKUT ENVER HOXHA, SEKRETAR I PARË I KOMITETIT QENDROR TË PARTISË ME SHOKË TË PLENUMIT TË KOMITETIT QENDROR ME DATË 13 TETOR 1982

(Shoku Enver hyri në sallën e mbledhjes së plenumit të Komitetit Qendror, para se të vinte ora e fillimit të seancës së pasdites; këtu ai u takua me shumë shokë në të dy anët e sallës, i pyeti dhe bisedoi ngrohtësisht me ta. Pastaj ndaloi me një grup shokësh e shoqesh të plenumit dhe u ul midis tyre).

SHOKU ENVER HOXHA: Armik si Kadri Hazbiu nuk kemi parë. Këta të fundit ua kaluan të tjerëve. Po deri të shtunën, të gjithë ministrat dhe zëvendësministrat, në të dyja ministritë si në atë të Brendshme, ashtu dhe në atë të Mbrojtjes, janë në vendet e tyre.

Ama ti ishe ajo (i drejtohet shoqes Naunka Bozo), që më shkaktove zemërimin, (të gjithë shokët qeshin. Është fjala për seancën e paradites të mbledhjes së plenumit). Pse, ti kujton se vetëm ty të ka quajtur Kadri Hazbiu “çilimi”? Po ai një anëtar të Byrosë Politike, e ka quajtur “kastravec”. Por ma solli në majë të hundës, prandaj nuk durova dot dhe ia thashë ato fjalë.

SHOKËT: Shumë mirë ia bëtë, shoku Enver!

SHOKU SPIRO KOLEKA: Ashtu e donte.

SHOKU ENVER HOXHA: Kishim një vit që po e duronim. Na i acaroi nervat në kulm, bëmë mirë që e spastruam, se Partia u forcua akoma më shumë.

SHOKU SPIRO KOLEKA: Partia forcohet kur pastrohet nga elementë të tillë antiparti dhe armiq.

SHOKU ENVER HOXHA: I prisnim ne këto.

SHOKU SPIRO KOLEKA: Po, ashtu është. I prisnim.

SHOKU ENVER HOXHA: Po u bë mirë, këta kështu e donin.

SHOQJA VITO KAPO: Do vejë dhe në hetuesi e të japë llogari mirë.

SHOKU ENVER HOXHA: Po kush do më japë një kuadër mua, se më duhet? (të qeshura).

SHOKU ENVER HALILI: Ju jep Partia, shoku Enver.

SHOKU MEHMET ELEZI: Dhe rinia, shoku Enver.

 SHOKU ENVER HOXHA: Më duhet një kuadër.

SHOQJA EMINE GURI: Në këmbë e keni, shoku Enver, gjithë Partinë, gjithë popullin dhe rininë.

SHOKU ENVER HOXHA: Më duhet një sekretar për Komitetin Qendror të Partisë.

SHOKU MEHMET ELEZI: Po të kërkoni nga rinia, gati jemi shoku Enver, të zgjedhim shokun më të mirë.

SHOQJA LUMTURI REXHAGjithë populli është me Partinë dhe me ju, shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Punët na shkojnë mirë, bile shumë mirë, kurse të tjerëve u shkojnë jashtëzakonisht keq, e sidomos armiqve të tërbuar që kemi në Veri të atdheut tonë. Ata janë në falimentim të plotë.

SHOKU PETRO DODE: Në buletinin e pardjeshëm të lajmeve, bëhej fjalë për mungesën e energjisë elektrike dhe të naftës.

SHOKU ENVER HOXHA: Mungojnë jo vetëm këto lëndë, po në buletin thuhej që nuk kanë as qirinj!

SHOKU PETRO DODE: Bëjnë dritë me anën e dritave të makinave. Racionalizime!

SHOKU MEHMET ELEZI: Radha e makinave për t’u furnizuar me benzinë, arrin deri në dy kilometra gjatësi.

SHOKU ENVER HOXHA: E ka fajin regjimi i tyre që është i kalbur.

Pambukun sikur mirë e kemi këtë vit, shoqja Naunka.

SHOQJA NAUNKA BOZO: Mirë, duket shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Se kjo (duke treguar shoqen Naunka i drejtohet shoqes Mine Guri) do t’jua kalojë juve.

SHOQJA MINE GURI: Është e vërtetë që rrethi i Fierit, ia kalon rrethit tonë.

SHOKU ENVER HOXHA: Po ju keni më shumë hektarë të mbjellë me pambuk, (i thotë shoqes Naunka).

SHOQJA NAUNKA BOZO: Kemi 7000 e ca hektarë të mbjellë me pambuk.

SHOQJA EMINE GURI: Ne vetëm 2000 hektarë kemi.

SHOKU ENVER HOXHA: Po cilësia si paraqitet? Më duket se është e mirë. Më e mirë se vitin e kaluar.

SHOQJA NAUNKA BOZO: Po, cilësia është më e mirë në krahasim me vitin e kaluar.

SHOKU ENVER HOXHA: Po luledielli keni mbjellë ju?

SHOQJA NAUNKA BOZO: Planin e lulediellit e realizuam 75 për qind.

SHOKU ENVER HOXHA: A, 75 për qind? Tani është e nevojshme të studioni çështjen e ujërave, për të shtuar sipërfaqen nën ujë dhe për të krijuar mundësi që të shtohet sasia e ujit edhe në ato zona që janë nën ujë, me qëllim që bimët të marrin aq ujë sa u nevojitet.

SHOQJA NAUNKA BOZO: Po, shoku Enver, po e studiojmë.

SHOKU ENVER HOXHA: Ky studim duhet bërë për të përcaktuar se çfarë do të bëjmë gjatë një periudhe dhjetëvjeçare për sistemin e ujitjes. Duhet t’i kemi këto studime dhe të vëmë radhën.

Mirë, mirë, gëzohem shumë që punët venë mirë. Merreni drejtimin si duhet në dorë, ashtu si na mëson kurdoherë Partia. Të keni besim te masat, te populli, te kuadrot dhe te rinia; këshillohuni me ta, këshillohuni dhe me ne edhe kritikë të na bëni, kur duhet, sepse mungesa e kritikës ndaj nesh ka luajtur rol në rreziqet që kaluam.

Çështjen e kultit të individit, Marksi e ka parë thellë si produkt të shumë faktorëve, por kur ka folur për këtë problem, ai ka pasur parasysh vende të tjera dhe jo një vend si tonin, ku ekzistojnë akoma lidhjet familjare, fisnore, krushqitë e të tjera e të tjera, lidhje këto që nganjëherë luajnë një rol negativ dhe bëhen pengesë në zbatimin e normave të Partisë. Një nga këto norma është demokracia proletare. Si duhet kuptuar kjo? Secili është i lirë, t’ia thotë mendimin tjetrit, le të jetë ky kushdo.

Mund të ketë të drejtë njëri ose tjetri nga bashkëbiseduesit. Ne jemi komunistë dhe i nënshtrohemi arsyes. Po të veprojë kështu çdo komunist, s’ka vend pse t’i rritet mendja njërit e t’i thotë tjetrit: “Ti s’kupton, prandaj mbyll gojën”. Nuk ka arsye pse ta mbyllë gojën, kur ai ka të drejtë, sepse flet në bazë të mësimeve të Partisë dhe i mbron ato.

Po të flasë kështu, ai duhet ta hapë gojën po jo të flasë “kuturu”, se po të flasë kështu, tjetri, bashkëbiseduesi, i tregon vendin. Por, kur të tregon vendin, sepse nuk e ke të drejtë mendimin, nuk duhet të zemërohesh, përkundrazi duhet të jesh i kënaqur.

Mirë, mirë. Ç’të mban ty kryetar! (i drejtohet kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit të Vlorës).

SHOKU LUAN MUHAMETI: Po, shoku Enver, e fituam. Të rrojë Partia.

SHOKU ENVER HOXHA: Rinia jonë është arkitektja e hekurudhave, ajo e ka marrë përsipër ndërtimin e hekurudhave të Shqipërisë që janë mjete të rëndësishme të qytetërimit. Pa rrugë, pa hekurudha, nuk ka qytetërim, nuk ka përparim. Pra, brezi i ri, që është brezi më përparimtar i vendit tonë, është zotuar dhe po e kryen me nder këtë detyrë.

Ju kërkoj të më falni, se shokët kanë shkuar të pinë kafenë dhe po më presin, (shoku Enver thotë kështu për shokët e Byrosë Politike, të cilët ndërkohë kanë ardhur dhe dëgjojnë bisedën e shokut Enver).

SHOKËT: Ja këtu janë, shoku Enver, (të qeshura nga të gjithë shokët).

 SHOKU ENVER HOXHA: Këtu qenkan!! (të qeshura dhe

duartrokitje e brohoritje: “Enver Hoxha, Enver Hoxha”). Memorie.al

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura