Plenum i 5-të, kur Enveri u tregoi gjatë mbledhjes, armën bastun me dylbi me të cilën do e vriste Mehmeti! Akuza e Dritëro Agollit: Ku ka çiltërsi këtu, të bësh një bastun të tillë dhe…

Jan 16, 2022 | 7:59
SHPËRNDAJE

Dashnor Kaloçi/ Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat kanë qenë të panjohura për 40 vite me radhë dhe shohin për herë të parë dritën e botimit, ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale sekrete e dokumente që i përkasin muajt tetor të vitit 1982, ku është pasqyruar materiali i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së me titull “Mbi mungesën e theksuar të vigjilencës dhe gabimet e rënda të shokut Kadri Hazbiu në kohën që ishte ministër i Brendshëm”, autokritika me shkrim e Kadri Hazbiut, “Vendimi i Plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSh-së mbi përjashtimin nga Komiteti Qendror e nga Partia si dhe shkarkimi nga të gjitha funksionet shtetërore dhe shoqërore të Kadri Hazbit”, si dhe proces-verbali i Plenumit të Komitetit Qendror të mbajtur në datat 13 e 14  tetor të vitit 1982 në sallën kryesore të godinës së Komitetit Qendror, ku është diskutuar dhe është marrë në analizë puna dhe veprimtaria e ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, i cili akuzohet për “veprimtaria armiqësore” e tij për periudhën gati 30 vjeçare kur ai shërbente në funksionin e ministrit të Punëve të Brendshme. 

enverhoxha

Dosja e plotë e me të gjitha dokumentet që botohet për herë të parë nga Memorie.al, ku përveç materialit “Tepër sekret”, të Byrosë Politike me akuza ndaj ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, publikohet edhe proces-verbali i Plenumit, ku Enver Hoxha dhe pjesa më e madhe anëtarëve të Byrosë Politike si: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Foto Çami, Hekuran Isai, Manush Myftiu, Simon Stefani, Haki Toska, Pali Miska, Prokop Murra, Spiro Koleka, Rita Marko, Lenka Çuko, Muho Asllani, Llambi Gegprifti, Vangjel Çerava, dhe Komitetit Qendror të PPSh-së, si; Nexhmije Hoxha, Gafur Çuçi, Xhelil Gjoni, Pilo Peristeri, Sofo Lazri, Piro Kondi, Petro Dode, Behar Shtylla, Shefqet Peçi, Qemal Bregasi, Dritëro Agolli, Mine Guri, Themie Thomai, Mehmet Elezi, Lumturi Rexha, Tefta Cami, Vito Kapo, Harrilla Papajorgji, Anastas Kondo, Miti Nito, Sulejman Baholli, Halil Leli, Jashar Menzelxhiu, Enver Halili, Ali Vukatana, Tahir Minxhozi, Naunka Bozo, Luan Muhameti, Rexhep Kolli, Ndreçi Plasari, Sofie Çuadari, Nezir Gorica, etj., jo vetëm kanë akuzuar ish-ministrin Hazbiu, si bashkëpunëtorin me të ngushtë të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, por edhe kanë debatuar ashpër me të gjatë gjithë mbledhjes së plenumit që zgjati dy ditë, duke i kërkuar atij që të jepte shpjegime për punën dhe veprimtarinë e tij që nga dita që ishte ulur në zyrën e ministrit, duke filluar nga marrëdhëniet e raportet me këshilltarët rusë, Konferencën e Tiranës në 1956-ën, e deri tek “bashkëpunimi i tij me grupet armiqësore” të kryesuara nga Teme Sejko, Beqir Balluku, Abdyl Këllezi dhe “poli-agjenti” Mehmet Shehu, si dhe vendimet shkarkimet nga detyrat dhe për përjashtimin nga Komiteti Qendror të Rexhep Kollit, Nazar Berberit, Veli Llakajt, Ndreçi Plasarit, etj.

Proçes-verbali ‘Tepër sekret’ i mbledhjes së Plenumit të V-të të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 13 dhe 14 tetor të vitit 1982

 PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË

 KOMITETI QENDROR                                                                         Tepër sekret

                                                      -Sektori i Përgjithshëm-

 PROCES-VERBAL I MBLEDHJES SË PLENUMIT TË 5-TË TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 13 DHE 14 TETOR 1982

 Seanca e dytë

VELI LLAKAJ: Për teorinë e rrëshqitjes, pyetën shokët. Unë kam mbrojtur një diplomë në vitin 1970-1971, “Mbi operacionin e kalimit të korpusit nga lufta në front të rregullt, në luftën partizane”. Ajo diplomë është dhe sot e kësaj dite aty. Nuk e ka titullin “Tërheqje dhe rrëshqitje”, por kam bërë kalimin e një brigade në luftë partizane, duke mbajtur frontin e rregullt. Janë dokumentet. Ashtu kanë qenë tezat e Këshillit të Mbrojtjes dhe unë u jam përmbajtur atyre.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ka një rregull në të gjitha shkollat e larta që diplomat e studentëve ruhen në arkivin e shkollës. Diploma jote ku është? Shoku Hekuran ka thënë që nuk është.

VELI LLAKAJ: Diploma, shoku Ramiz, është në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po pse në Ministri dhe jo në Akademi? Kush e tërhoqi atë nga Akademia?

VELI LLAKAJ: Diplomën nga Akademia e kam tërhequr unë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Pse e ke tërhequr dhe kur e ke tërhequr?

VELI LLAKAJ: E kam tërhequr pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, (zhurmë në sallë).

SHOKU RAMIZ ALIA: Po pse e tërhoqe?

VELI LLAKAJ: Ja, ta them unë pse e tërhoqa. Duke lexuar në arkiva kam gjetur një material, një letër që Mehmet Shehu i bënte Beqir Ballukut për materialin e zi, për teorinë e rrëshqitjes. Ai rekomandonte që kjo letër të punohej me kuadrot. Mbi bazën e kësaj unë kam gjetur një material, më është dhënë në atë kohë nga Shtabi i Përgjithshëm, janë dokumentet zyrtare aty, dhe unë e kam marrë. Atje ishte një fjalim i shokut Enver dhe një shtojcë e porosive që jepte Mehmet Shehu.

SHOKU RAMIZ ALIA: Kush t’i ka dhënë ty ato materiale?

VELI LLAKAJ: Mua m’i ka dhënë Shtabi i Përgjithshëm.

SHOKU RAMIZ ALIACili konkretisht?

VELI LLAKAJ: Vehbi Hoxha, Rrahman Parllaku dhe Ernest Jakova.

SHOKU RAMIZ ALIA: Mbi këtë bazë bëre diplomën ti?

VELI LLAKAJ: Mbi këtë bazë unë bëra diplomën.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ashtu?!

VELI LLAKAJ: Dhe këtë material pastaj e kam kërkuar se humbi, u zhduk. Unë e kërkoja se nuk dija a ishte atje thënia e shokut Enver, apo nuk ishte. Ky material, më vonë është gjetur.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po mirë pse e tërhoqe pastaj ti diplomën; ç’të duhej ty?

VELI LLAKAJ: E tërhoqa diplomën të shikoja si ishte trajtuar atje kjo çështje.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po pse nuk e ktheve prapë atje ku e more?

VELI LLAKAJ: Po duhet të jetë kthyer.

SHOKU RAMIZ ALIA: Jo, jo, ti nuk e ke kthyer.

VELI LLAKAJ: Nuk e di, duhet të jetë kthyer, po dhe po të mos jetë kthyer ajo është në sekretari. I kam gjetur këto materiale, kam gjetur edhe diskutimin e shokut Enver që ka mbajtur për stërvitjen “Drini” dhe mbi bazën e kësaj…!

SHOKU HEKURAN ISAIU bë plenumi i Komitetit Qendror për armikun Beqir Balluku, ti në atë mbledhje të plenumit more një vërejtje.

VELI LLAKAJ: Po.

SHOKU HEKURAN ISAIArmiku Mehmet Shehu ishte këtu dhe hiqej sikur nuk dinte gjë. Mbasi mbaroi plenumi, ke gjetur ti një material dhe ia ke çuar Mehmet Shehut lidhur me teorinë e rrëshqitjes, ku bën fjalë se Mehmet Shehu është autori? Dhe ai të ka thënë ty: “Pse nuk është zhdukur? Unë kam urdhëruar të zhduket ky material”?!

VELI LLAKAJ: Jo, jo.

SHOKU HEKURAN ISAI: Si jo? Nuk them tani, pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, po e kam fjalën për atëherë, pas plenumit ku u dënua Beqir Balluku.

VELI LLAKAJ: Ju kuptoj. Mbi bazën e kësaj pune kam vajtur dhe i kam kërkuar Mehmet Shehut, ku është ky material. Ai më ka thënë se janë thëniet e shokut Enver. Kjo çështje ka lidhje me atë që tha shoku Ali, se është punuar Arti Ushtarak, kapitulli i tërheqjes strategjike dhe atje janë futur fjalët e shokut Enver, mbi bazën e materialit që gjetëm tani në Arkivin e Komitetit Qendror dhe që e lexuam me kuadrot kryesore. Janë pikërisht ato trajtime. Le të shikohet edhe pjesa teorike e diplomës, unë ashtu i kam trajtuar dhe citoj thëniet e shokut Enver. Unë prandaj ia kërkova Mehmet Shehut dhe ai e ka futur të interpretuar këtë në Artin Ushtarak.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: S’marrim vesh fare.

SHOKUT ENVER HOXHA: Jo, Veli, shoku Enver s’ka thënë gjë, nuk di unë nga këto gjëra që thua ti, (të qeshura).

SHOQJA TEFTA CAMI: Në plenumin e Komitetit Qendror të Partisë kur u dënua Beqir Balluku, i është kërkuar Veli Llakajt të flasë për këto probleme dhe ai bëri thjesht një autokritikë rrëshqitas. Pse nuk e tregoi ai këtë çështje.

SHOKU ENVER HOXHA: Është pyetja e shokut Shefqet Peçi kjo.

SHOQJA TEFTA CAMI: Pse nuk tregoi që dhe ai ka dorë në ‘Teorinë e Rrëshqitjes’?

SHOKU ENVER HOXHA: Përgjigju, përgjigju (i drejtohet Veli Llakajt).

VELI LLAKAJ: Ja kjo është, shoku Enver. Unë e denoncova këtë, u punua në Artin Ushtarak dhe janë futur pikërisht ato citate që janë të materialit që e keni diskutuar juve. Mbi këtë bazë është punuar.

SHOKU PALI MISKA: Ç’flet ashtu ti? Ju e keni futur atë material në Artin Ushtarak. Ti e mbajte dhe kur e pe që Mehmet Shehu u qërua, vajte e more dhe e fute në kasafortën tënde.

VELI LLAKAJ: Jo, nuk e kam në kasafortën time. Është në sekretari.

SHOKU PALI MISKA: Pse s’e le atje?

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Ajo duhej të ishte në Akademi.

SHOKU PALI MISKA: Pse s’e le atje?

(dhe shumë shokë të tjerë thonë: pse nuk e le atje?).

VELI LLAKAJ: Unë e mora, e verifikova me autorin dhe mbi bazën e kësaj i kam bërë informacion Komitetit Qendror.

 SHOKU PALI MISKA: Pse e more pikërisht pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut? Këtë na thuaj, pse e more?

VELI LLAKAJ: Se pikërisht tani më doli që Mehmet Shehu ka qenë dakord me këtë teori.

SHOKU PALI MISKA: E kishe konservuar atje dhe pse pikërisht atje?

VELI LLAKAJ: Jo.

SHOKU PALI MISKA: Si jo?

 VELI LLAKAJ: Një minutë, më fal.

SHOKU XHELIL GJONI: Shoku Pali, le të përgjigjet Veliu për atë pyetjen e shokut Shefqet.

SHOKU ENVER HOXHA: Po, po, përgjigju pyetjes së Shefqetit.

SHOKU XHELIL GJONI: Të thotë më gjerë ç’ishte ai në komplot, çfarë roli kish?

SHOKU ENVER HOXHAPo, po, të na tregojë fijet.

SHOQJA VITO KAPO: Të na thotë, kur erdhi te Mehmet Shehu, si biseduan bashkë apo thanë: “shpëtuam deri këtu, tani si do të vazhdojmë më tej”! Të na e thotë hapur sepse kjo duket, kuptohet.

SHOKU ENVER HOXHA: Po.

VELI LLAKAJ: Ne kemi bërë biseda lidhur me trajtimin në përgjithësi të problemit, si duhet ta trajtojmë ushtrinë, ç’ndryshime duhet t’i bëjmë strukturës organizative, si duhet të punojmë planin e mbrojtjes mbi këtë bazë dhe si duhet t’i trajtojmë çështjet kryesore të stërvitjes. Gjë tjetër për ndonjë plan, ja ku janë edhe shokët e tjerë që kanë qenë bashkë me ne, unë nuk di. Nuk di ndonjë plan në këtë pikëpamje, absolutisht asnjë gjë nuk di.

SHOKU SHEFQET PEÇI: Veli Llakaj, unë kam qenë në Këshillin Popullor të rrethit të Lushnjës dhe atje është ngritur një oficer dhe ka thënë: shoku Shefqet, je i deleguar? Po, – i thashë. Po Veli Llakaj është me Beqir Ballukun, me Hito Çakon, me komplotistët, dhe unë kam ardhur këtu e ia kam thënë Partisë.

SHOKU ENVER HOXHA: Ashtu.

SHOKU SHEFQET PEÇI: Epo thamë, bën diferencim Partia, mbase nuk është futur aq thellë. Pastaj u fut më thellë me Mehmetin dhe kjo punë kështu vajti (të qeshura).

SHOKU ENVER HOXHA: Është kështu siç thotë Shefqeti?

VELI LLAKAJ: Jo, dakord, shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHASepse Partia kështu ka vepruar siç thotë Shefqeti, i ka diferencuar njerëzit sipas fajeve e gabimeve që kanë bërë.

SHOKU HEKURAN ISAI: Diferencimi është bërë.

VELI LLAKAJ: Jo, dakord, po unë, shoku Enver me çiltërsi u them shokëve: (të gjithë shokët njëzëri thonë: o, o, o) le të verifikohen nga Partia këto gjëra, po të kem gisht në komplot apo në veprimtari armiqësore, Partia le të mbajë qëndrim, të marrë ndaj meje masën më të rëndë, pa hezitim e them këtë.

SHOKU XHELIL GJONI: Kot e zgjasim. Unë kam mendimin të përjashtohet nga Partia dhe t’i jepet organeve të Hetuesisë.

SHOKU ENVER HOXHA: Dale se ka dhe të tjera.

SHOKU DRITËRO AGOLLI: Po ku ka çiltërsi këtu?! Të bësh bastun të tillë dhe të flasësh për çiltërsi?!

SHOKU NEZIR GORICADhe një gjë tjetër më ka bërë përshtypje: shoferi që ka pasur ky, kur ka qenë komandant brigade, ka qenë vëllai i njërit që është dënuar me grupin sabotues të ndërtimit të hekurudhës në vitin 1947. Vëllai i tij ishte dënuar si armik dhe ky e mbante shofer, mua më duket se Veliu bënte gabim që e mbante, bile dhe tani ka miqësi me të. Ky ishte anëtar i Komitetit Qendror të Partisë, si i lejonte këto gjëra? Thotë se nuk e dinte për Arif Haskon?! Si nuk e dinte ai, kur për Arif Haskon e dinin të gjithë?!

SHOKU ENVER HOXHA: Ka propozime të tjera shokë, se një propozim është bërë? Meqë nuk ka, atëherë vëmë në votë propozimin e shokut Xhelil Gjoni. Kush është pro, të ngrejë dorën… Kundër? S’ka (të gjithë shokët janë dakord me propozimin).

SHOKU ENVER HOXHA: Shoku Veli Llakaj përjashtohet nga Partia për gabime të rënda. Keni gjë tjetër?

SHOKËT: Të na sqarohet problemi i tankeve.

SHOKU RAMIZ ALIA: E ka Nazari atë problem.

SHOKU ENVER HOXHA: Le të rrijë edhe Veliu, se kemi nevojë të sqarohet ai problem.

SHOKU MITI NITO: Duke qenë se shoku Nazar si zëvendësministër kishte në vartësi armët speciale, të na sqarojë çështjen që doli lidhur me brigadën e tankeve që ka marrë porosi nga Mehmet Shehu për të mos i lëvizur tanket e Saukut pa urdhrin e tij. Lind pyetja: pse shoku Nazar nuk ka informuar Komandantin e Përgjithshëm, Partinë për një gjë të tillë, se kjo është gati si përgatitje puçi.

(Shoku Enver i thotë Veli Llakajt: Veli, rri atje dhe fol, pa ke kohë të ikësh).

SHOKU MITI NITO: E dyta, të thotë më hapur shoku Nazar çfarë kanë biseduar me armikun Mehmet Shehu kur ky i fundit, para vetëvrasjes e thirri në shtëpi. Ai na tha se e thirri gjoja vetëm për nusen e djalit nëse e kish parë në kafene, mirëpo na doli dhe tabela e skalionimit të municioneve që është shumë sekrete, po ka dhe të tjera ndoshta, pra, ka diçka shumë të errët.

SHOKU ENVER HOXHA: Të të bëj një pyetje unë ty Veli? Kush ka të drejtë ta shohë tabelën e skalionimit të municioneve? A e ka kryeministri këtë të drejtë?! Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura