Pleniumi sekret i 66-ës/ U hap nga Enver Hoxha, pastaj fjalën e mori Mehmet Shehu: Fatos Arapi në poezitë e tij thotë se ‘këtu te ne s’ka lumturi, s’ka ndjenjë njerzore por…

| 13:55
SHPËRNDAJE

sekretDashnor Kaloçi

Publikohen disa nga dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), ku ndodhet raporti sekret i ish-kryeministrit të Shqipërisë dhe Sekretarit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, Mehmet Shehu dhe bashkëshortes së tij, Fiqretit, të mbajtur në Plenumin XV të Komitetit Qendror të PPSH-së, më 26 tetor të vitit 1965, me temë: “Roli i letërsisë dhe i arteve në edukimin komunist të masave”, ku ishin të ftuar edhe disa shkrimtarë dhe artistë.

Cilët ishin shkrimtarët që u ‘kryqëzuan’ nga kryeministri Mehmet Shehu, i cili në diskutimin e tij i bëri një analizë të hollësishme deri në detaje disa prej krijimeve në poezi të Fatos Arapit, si dhe veprat e romanet e disa shkrimtarëve të tjerë që u konsideruan “me konfuzione ideollogjike”?!

Në fillimin e viteve ’60, pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe një sërë shtetesh të tjera të kampit socialist të Evropës Lindore, tek udhëheqja e lartë komuniste e Tiranës dhe kreu i saj, Enver Hoxha, u vu re një lloj hutimi dhe apatie. E cila konsistonte dhe kishte të bënte më tepër me kursin e ri politik që do të ndiqte Tirana zyrtare, pas atyre ngjarjeve që i shkaktuan asaj jo pak tronditje e probleme.

Pas një acarimi të tejskajshëm dhe tendosjeje të luftës së klasave, që kishte ndodhur në vitet 1960 – ’61, gjë e cila solli dënimin e disa “grupeve armiqësore”, ku më kryesori ishte ai i Kundëradmiralit të Flotës Luftarake, gjeneral-major, Teme Sejko, apo të atyre intelektualëve shqiptarë që kishin studjuar në vëndet e Evropës Lindore apo siç quheshin asokohe vëndet e ‘Demokracive Popullore’, në vitet 1962-’65, u vu re një ‘rënie tempi’ dhe zbutje të asaj lufte, që ishte bërë në kuadër të ruajtjes së pushtetit.

Kështu, në ato vite, nxori krye, apo më saktë u duk një farë liberalizimi në jetën social-politike të vendit, e cila konsistonte në: kufizimin e arrestimeve dhe dënimeve për faje politike, dhënie bursash apo të drejtash studimi për bijtë e “reaksionarëve” dhe “klasave të përmbysura”, lejimi i ‘librave të verdhë’ e literaturës së huaj, shfaqja e filmave perëndimorë në kinematë e vendit, lokalet me muzikë xhazi dhe orkestra me këngëtarë. etj.

Por ky farë liberalizimi, apo si të thuash “trullosja” e udhëheqjes së lartë të PPSH-së, e personalisht e Enver Hoxhës, nuk zgjati shumë. Kështu, aty nga fundi i vitit 1965, apo fillimi i 1966-ës, Enveri filloi “të mblidhte” atë që kishte “lëshuar”, gjë e cila vazhdoi deri aty nga fillimi i vitit 1971, me fjalimin e tij “programatik” (Revolucionarizimi i mëtejshëm i jetës së vendit), të mbajtur në Plenumin e Komitetit të Partisë të rrethit të Matit.

Pas atij fjalimi të mbajtur në frymën e mësimeve të “Revolucionit të madh Kulturor”, që po zhvillohej në Kinë, lufta e klasave në vendin tonë u tendos përsëri. Madje, më e ashpër se më parë, (gjë e cila kishte filluar me heqjen e gradave në ushtri në 1966-ën, ku u dënuan me burgime të rënda dhe disa oficerë madhorë që e kundërshtuan atë vendim) dhe luftën kundër fesë që solli prishjen e objekteve të kultit dhe ndalimin me ligj të besimeve fetare.

Pas kësaj, objekt i sulmit të Enver Hoxhës, do të bëhej elita intelektuale e vendit, me në krye shkrimtarët dhe artistët, ku si rezultat: pjesa më e madhe e tyre u hoqën nga Tirana dhe u dërguan për të jetuar e punuar për vite me radhë në fshatra të thella të vendit. Në këtë kontekst të zhvillimit të ngjarjeve, kësaj i parapriu Plenumi XV-të i Komitetit Qëndror të PPSH-së, i cili u mbajt 56 vjet më parë, më datat 25 e 26 tetor të vitit 1965, nën drejtimin e Enver Hoxhës.

Nga ai plenum, ku raportin kryesor me temë: “Rritja e rolit të letërsisë dhe i arteve në edukimin komunist të masave”, e mbajti sekretari i Komitetit Qëndror të PPSH-së, Ramiz Alia, ne kemi përzgjedhur për botim, diskutimet e ish-kryeministrit Mehmet Shehu dhe bashkëshortes së tij, Fiqretit, e cila, asokohe, ishte në funksionin e sekretares së Komitetit të Partisë së Tiranës.

Plenumi hapet nga Enver Hoxha

Në dokumentin arkivor të atij plenumi, (AQSH F. 14. V. 1965, d. 2. fq. 1) pas rendit të ditës me temën që cituam më lart, shkruhet:

“Plenumin e kryesoi sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSH-së, shoku Enver Hoxha, asistonin të gjith kandidatët dhe anëtarët e Komitetit Qëndror, me përjashtim të shokëve: Haki Toska, Nexhmije Hoxha të sëmurë, dhe Vito Kapo, Nesti Nase dhe Rrapi Gjermeni jashtë shtetit.

Zhvillimi i Mbledhjes

Shoku Enver Hoxha. Shokë, në këtë mbledhje jemi prezent 76 anëtarë dhe kandidatë të Komitetit Qëndror, mungojnë me arsye pesë anëtarë dhe kandidatë, shumica është prezent dhe mbledhjen e deklaroj të hapur.

Sipas rendit të ditës, që ju keni marrë, sot ne do të shqyrtojmë raportin e Byrosë Politike të KQ mbi rritjen e rolit të letërsisë dhe arteve për edukimin komunist të masave, që do të mbajë anëtari i Byrosë Politike dhe sekretari i Komitetit Qëndror të PPSH-së, shoku Ramiz Alia dhe diskutime.

Jemi dakort që plenumi të zhvillojë punimet me këtë rend dite?

Kush është dakort të ngrejë dorën (të gjithë shokët aprovojnë që plenumi të zhvillojë punimet me këtë rend dite).

Si të ftuar në këtë mbledhje marrin pjesë sekretarët e parë të KP të rretheve që s’janë anëtar plenumi, ministrat dhe njerëz të letërsisë dhe artit. Jeni dakort që këtë shokë të marrin pjesë në plenium?

Kush është dakort të ngrerë dorën. (Të gjithë shokët u shfaqën dakort)

Atëhere, shokë, fillojmë.

Diskutimi i shokut Mehmet Shehu

Shoku Mehmet Shehu: Shokë, çështja që u shtrua në raportin e Byrosë Politike dhe po shqyrtohet në këtë Plenium “Mbi rritjen e rolit të letërsisë dhe arteve në edukimin komunist të masave”, ka rëndësi të dorës së parë, sepse letërsia dhe artet konsiderohen nga partia si armë e fuqishme ideologjike në duart e saj për të luftuar të keqen dhe për të përhapur të mirën, për të vënë “gozhdën e fundit në arkivolin e borgjezisë” dhe për të krijuar anjeriun e ri, botën e re socialiste dhe komuniste.

Jo më kot Stalini i ka quajtur shkrimtarët dhe artistët “inxhinierë të shpirtit të njerëzve”. Është e vështirë që të gjesh një përcaktim tjetër më të përsosur mbi rolin e njerëzve të letërsisë dhe arteve në edukimin komunist të masave. Që këtej del se, po të duam që të rritet roli i letërsisë dhe i arteve në edukimin komunist të masave, duhet që letrarët dhe artistët të bëhen me të vërtetë “inxhinierë të shpirtit të njerëzve”.

Kjo do të thotë që ata më parë të pastrojnë shpirtin (ndërgjegjen) e tyre, pastaj të futen thellë në ndjenjat e njerëzve që përbëjnë ambientin, shoqërinë tonë, t’i studiojnë mirë këto (shpirtin dhe ndjenjat) dhe nuk mund të themi se nuk jemi vurnerabël nga influenca e këtij presioni ideologjik. Shkrimtari ose artisti, sidomos sot në kushtet tona, duhet të jetë tepër i qartë në shprehjet e tij. Ai shkruan dhe krijon për popullin.

Në qoftë se populli nuk i kujton vjershat ose shkrimet, ose pikturën, ose skulpturën, ose muzikën e tij, këto nuk vlejnë asnjë grosh. Sot jemi në regjimin socialist, ku populli është në fuqi. Shkrimtari që është bir i popullit, s’ka pse ta veshi shkrimin e tij me mjegull, me fraza të pakuptueshme, me alegoria që krijojnë dyshime tek lexonjësi. Popullit i duhet folur hapur, qartë dhe me thjeshtësinë realiste artistike.

Forca e fjalës artistike nuk qëndron në maskimin dhe errësimin, në vështirësitë e kuptimit, por në thjeshtësinë realiste artistike dhe në efektin e drejt për drejtë që ajo bën në ndjenjat shpirtërore të lexonjësit. Ne kemi nevojë për stilin popullor. Veçse “stili popullor-ka thënë Lenini-qëndron shumë larg nga vulgarizmi, nga banalizmi…!

Shkrimtari i thjeshtë nuk parakupton një lexues që nuk mendon, që nuk do apo që nuk di të mendojë…Shkrimtari vulgar parakupton një lexues që nuk mendon dhe që nuk është i aftë të mendojë…, i servir “të gatshme” të gjitha konkluzionet e një teorie të caktuar, kështu që lexuesi, s’ka nevojë ta përtypë, por vetëm ta gëlltisë këtë çorbë”. Shkrimtarët tanë duhet të jenë jo vulgarë por të thjeshtë.

 Dhe mua nuk më duket që krijimtaria artistike në sferat e letërsisë, nuk duhet të mbetet pothuaj monopol pothuaj i vetëm i shkrimtarëve të Lidhjes së Shkrimtarëve. Pse të mos u hapim dyert masave të gjera punonjëse që të shkruajnë vjersha, tregime, novela e kritika? S’ka gjë, asgjë të keqe. S’ka rrezik të zbresim në vulgarizëm, por do krijohen mundësi më të mëdha për seleksionimin dhe shkrimtarët e afirmuar që duhet të lozin rolin e frymëzuesit e të pararojës në këtë veprimtari krijonjëse masive, do të gjejnë dhe ata vetë frymëzim në to, kurse kultura do të bëhet e masave në një shkallë më të madhe.

Ndonjë shkrimtarë i sëmurë, për të fshehur kundërshtimin e tij, ndën maskën e novatorizmit, thyen e përmbys çdo rregull të shprehjes artistike, i paraqet mejtimet e tij të rrumbullakosura në formë veze, që mund të kujtohen edhe kështu edhe ashtu – edhe për mirë – edhe për keq. Ky tip ka kundërshtuar realitetin e aktualitetin tonë por nuk guxon që ta thotë mejtimin e tij haptas nëpërmjet fjalës artistike sepse ka frikë, por megjithatë gjen forma “të përshtatshme”, “artistike”, forma të tjera “të reja” për të shprehur mejtimin e tij të dyshimtë.

 Ja p.sh. se ç’thotë Fatos Arapi në vjershat e tij të botuara nga Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve “Naim Frashëri”:

“Shkoj nëpër rrugë të porsaçelura / dhe fishkëllej ndër buzë tani / këngët e mija që askush s’i njeh…”

D.m.th. ai është futur në “rrugë të porsa çelura”, por që as këto rrugë të tija s’i njeh kush, si njeh populli. Pse? Sepse janë të huaja për popullin. Dhe më poshtë ai konkludon:

“Lumturi tjetër / botës i duhet!/ Dhe më e drejtë / dhe më njerëzore…”

D.m.th., sipas tij tek ne s’ka lumturi sepse s’ka drejtësi, s’ka ndjenja njerëzore. Ose në një vjershë:

“Un’ erdha të kuptoj / Që jeta është e bukur / E madhe sa shpesh herë / Në madhështinë e saj / Gëzim e frikë ndjejmë”.

D.m.th. se ai ka frikë në qoftë se s’e ndjen veten fajtor? Ose nga kush ka frikë? Frikë nga armiqtë e atdheut? Atëhere s’je poet por je frikacak. Frikë nga diktatura e proletariatit? Ahere e ndjen veten fajtor para saj. Ky është një poet i ri që ka bërë edhe ndonjë vjershë të mirë. Por me këto vargje që cituam, dhe me shumë të tjera si këto, ai paraqet pikëpamjet politike të tij nëpërmjet fragmenteve të ndryshme, të mbira nëpër vargjet e tij si bari i keq në kopsht.

Ja ç’thotë autori vetë në një vjershë të pabotuar:

“Unë s’ju kuptoj dot që të gjithëve / Ju s’më kuptoni dot të gjithë / Po…qoftë një grimcë / prej meje në kapet / ahere më kapët ju tërësisht./ Unë jam i tëri / nëpër fragmente / Ka nëpër botë plot të pangrënë / Ecin mbi tokën barkuritur”.

A nuk kemi të drejtë të mejtojmë se ky poet nuk pajtohet plotësisht me botëkuptimin dhe me realitetin e jetës sonë? Natyrisht që ai mund të jetë i ndreqshëm akoma dhe ne duhet të përpiqemi ta ndreqim, mbasi, fakt është se ai ka shkruar edhe ndonjë vjershë të mirë. Siç duket, ai ka konfuzion në trurin e tij. Por si mund të shërohet vetëm nëpërmjet këshillave të urta dhe kritikave miqësore, në qoftë se nuk ka vendosur që të shoj më tej në konfuzionin e kundërshtimit të tij politik dhe ideologjik.

 Kritika letrare duhet të zgjerohet. Vetëm me kritikë të hapët mund të ndreqen njerëzit. Dhe mua më duket se kritika letrare duhet bërë jo vetëm nga disa persona që specializohen si kritikë letrarë. Kur një vjershë, një roman, ose një pjesë muzikore nuk janë në rregull nga pikëpamja politike ose ideologjike, këtë kritikë mund ta bëjë jo vetëm ai që është specializuar si kritik letrar ose muzikor, por edhe çdo njeri i artit, bile çdo qytetar i thjeshtë. Prova më e mirë për të marrë çertifikatën e qytetarisë për një vepër artistike është opinioni publik, i frymëzuar nga mësimet e partisë.

Duhet thënë se kritika dhe autokritika midis shkrimtarëve tanë, nuk është në lartësinë e duhur. Shkrimtari ose artisti duhet të ketë inisiativë dhe kurajo për të thënë fjalën e vetë. Pa një luftë opinionesh nuk mund të zhvillohet arti dhe kultura. Dhe kjo luftë duhet bërë nga vetë artistët dhe shkrimtarët e jo të pritet çdo gjë nga lart, nga partia. Natyrisht partia e drejton artin e kulturën. Por vetë-veprimi në sektorin e letërsisë dhe artit merr një rëndësi më të madhe.

Diskutimi i shoqes Fiqret Shehut

Shoqja Fiqret Shehu: Shokë, duke bërë një analizë të gjithanshme e të thellë punës së deritanishme në sektorin e letërsisë e arteve, dhe duke përcaktuar orientimin për të ardhmen, raporti i Byrosë Politike i mbajtur në këtë Plenium nga shoku Ramiz Alia, hap para shkrimtarëve dhe artistëve horizonte të reja e do t’i frymëzojë ata për një krijimtari me përmbajtje sa më të lartë ideologjike e me nivel sa më të denjë artistik, gjë që do t’i shërbejë zhvillimit të mëtejshëm të drejtë të letërsisë dhe arteve në vendin tonë.

Në raport shtrohen qartë edhe detyrat e organizatave të partisë për një udhëheqje e përdorim më të mirë të letërsisë dhe arteve në punën për edukimin ideo-estetik të masave. Për këtë arsye, ky Plenium i K.Q. ka një rëndësi të madhe për të gjithë partinë. Por ky plenium ka një vlerë të veçantë për organizatën e partisë të qytetit të Tiranës, për një arsye se institucionet qendrore artistiko-kulturale dhe shumica dërmonjëse e shkrimtarëve dhe artistëve ndodhen në Tiranë. Kështu nga 220 anëtarë e kandidatë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve krijonjës në të gjithë vëndin, 180 janë në qytetin tonë dhe në 3 institucionet qendrore artistike janë 131 artistë ekzekutonjës.

Këtej del qartë si rëndësia që ka ky Plenium i K.Q. për organizatën tonë të partisë ashtu edhe përgjegjësia që bie mbi ne që punojmë në komitetin e qytetit të Tiranës, si sekretarë të tij dhe si anëtarë të Pleniumit të K.Q., për të metat dhe dobësitë që janë vërtetuar në sektorët e letërsisë dhe arteve, e për çfaqet e huaja në krijimtarinë e disa shkrimtarëve dhe artistëve, për të cilat u fol në raportin e Byrosë Politike.

Në këto kushte bëhet akoma më i nevojshëm përmirësimi i punës ideologjike për ta ruajtur të pastër inteligjencën tonë të sektorëve të artit e letërsisë dhe për të evituar çfaqet e huaja në letërsi e arte, sado të vogla qofshin, për t’i luftuar ato që në embrion, për të mos lënë që të rriten e të bëhen pastaj tendencë, të bëhen të dëmshme për shoqërinë tonë.

Në raportin e Byrosë Politike, ndër të tjera, u bëhet një analizë e gjithanëshme disa shfaqjeve të huaja që janë vërejtur në letërsi dhe arte, duke u treguar edhe burimi i tyre si dhe rrugët për kapërcimin e tyre. Duke u munduar të mos bëj përsëritje, unë dëshiroj të theksoj se, nën pretekstin e novatorizmit ose të kërkimit të së “resë” në art dhe për të qenë “origjinale”, nën pretekstin e luftës kundër “skematizmit”, “arkaikes”, konservatorizmit dhe “shabllonizmit” nën pretekstin e “shprehjes së realitetit”,-në krijimtarinë e disa shkrimtarëve që punojnë në qytetin e Tiranës, janë vërejtur qëndrime të huaja ideologjikisht e shtrembërime të realitetit të sotëm e të luftës nacional-çlirimtare.

E në këtë drejtim, përveç dramës së Fatos Arapit “Drama e një partizani pa emër”, që përmendet në raport e që është me të vërtetë një shembull shumë tipik, sepse në të mohohet haptaz heroizmi i kohës së luftës, shtrembërohet realiteti i atyre viteve të lavdishëm të luftës revolucionare të popullit tonë, duke i bërë të gjithë personazhet të frikshëm, të lëkundur, mund të përmirësohet poema e po këtij autori “i përkasim komunizmit”, në të cilën ai i përforcon këto pikëpamje të tij, duke ngritur flamurin kundër heroit pozitiv dhe arrin deri aty sa të njollosë heroizmin partizan. Me këtë poemë autori polemizon, me përçmim, me gjithë shkrimtarët dhe poetët tanë që kanë ngritur lart në veprat e tyre heroizmin e partizanëve, për të cilët akoma nuk është shkruar sa duhet.

Nën pretekstin e paraqitjes së jetës ashtu siç është, në ndonjë rast, është shtrembëruar edhe realiteti i ditëve tona, siç është bërë p.sh. në dramën e Naum Priftit “Rrethimi i Bardhë”, autori i së cilës, veç të tjerave, siç paraqitet në vepër, as që i njeh sadopak marrëdhëniet shoqërore që ekzistojnë në shoqërinë tonë të re. Duke u nisur, qoftë edhe nga kjo vepër e dështuar, duket qartë edhe një herë se sa rëndësi të madhe ka për shkrimtarët dhe artistët njohja e jetës, si kusht i domosdoshëm për të krijuar një vepër letrare e artistike me përmbajtje të lartë ideologjike e ideo-artistike.

Dhe duhet thënë se njohja e jetës nuk është një problem thjesht organizativ, për zgjidhjen e të cilit duhet të merren vetëm disa masa, duke dërguar disa shkrimtarë o artistë në bazë, siç mendojnë disa. Njohja e jetës nga shkrimtari e artisti është në rradhë të parë një problem i rëndësishëm ideologjik, sepse të njohësh e të pasqyrosh jetën realisht në krijimtarinë letraro-artistike, nuk do të thotë të jetosh vetëm fizikisht në bazë o të shkosh si për ekskursion në ndërmarrje o kooperativë, por të përpiqesh të njohësh thellë marrëdhëniet shoqërore midis njerëzve, ta njohësh punëtorin në marrëdhënie me shokët e me makinën, të hysh thellë në mentalitetin dhe psikologjinë e personazheve që do pasqyrosh, të shohësh qëndrimin e tyre ndaj punës, pronës etj, të njohësh idealet për të cilat ata luftojnë e aspiratat e tyre.

Letërsia për fëmijë është zhvilluar shumë pas çlirimit. Kjo është shumë pozitive. Por mua më duket se nuk pajtohet me parimet tona që fëmijët t’i edukojmë me përralla ku heronj janë mbretërit, princeshat apo magjistaret. Edhe këtu shkrimtarët tanë mund të gjenin subjekte jo vetëm në natyrën e në jetën që na rrethon, por edhe në folklorin tonë të pasur e të shëndoshë. Së fundi, më duket se duhet menduar më shumë për brezin e ri duke botuar vepra që frymëzojnë akte patriotizmi dhe heroizmi si dhe për zgjerimin dhe nxitjen e njohurive të të rinjve të moshave 12-18 vjeç duke përkthyer më shumë vepra vulgarizimi shkencore e teknike. Aprovoj plotësisht raportin e Byrosë Politike mbi letërsinë e artin të mbajtur nga shoku Ramiz Alia dhe angazhohem se do të vë të gjitha forcat për të kryer detyrat që na vë Partia në këtë Plenum të Komitetit Qëndror.

Pas Pleniumit, Shuteriqi, Kadare, Arapi, Siliqi, etj., u përzunë nga Tirana dhe u dërguan në rrethe në prodhim!

Pas Plenumit XV të Komitetit Qendror të PPSH-së, të mbajtur më 26 tetor të vitit 1965, i cili nën drejtimin e Enver Hoxhës u mblodh për të diskutuar mbi temën “Rritja e rolit të letërsisë dhe arteve në edukimin komunist të masave”, për shkrimtarët dhe artistët e Shqipërisë, do të fillonte një dramë e vërtetë. Vetëm katër muaj më pas, në shkurtin e vitit 1966, Komiteti Qendror i PPSH-së dha direktivën që: “Shkrimtarët dhe artistët duhet të qarkullojnë në bazë e të shkrihen me masën, sepse duke jetuar me hallet e popullit, ata do e njohin më nga afër realitetin që do të përshkruajnë në veprat e tyre”. E gjitha kjo bëhej nën frymën e “Revolucionit të madh kulturor të Kinës”, të cilin udhëheqja e lartë e PPSH-së përpiqej ta zbatonte pikë për pikë në kushtet e vendit tonë. Pas kësaj direktive të Komitetit Qendror të PPSH-së, e cila ishte vendosur nga Byroja Politike, u ngarkua Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve për ta zbatuar. Dhe si rezultat: në muajt shkurt-mars 1966, në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve filluan të thirreshin një nga një, shkrimtarë, kompozitorë, piktorë, skulptorë e artistë nga më të njohurit, duke u marrë atyre mendimin se në cilin vend dëshironin të shkonin dhe ku mund të punonin. Pas kësaj, shkrimtari i njohur, Ismail Kadare, u dërgua në Berat, Dhimitër Shuteriqi në Rubik, Llazar Siliqi në Shkodër, Kol Jakova dhe Spiro Xhai në Laç të Kurbinit, Tonin Miloti në Rrëshen, Nasho Jorgaqi dhe Luan Qafëzezi në repartet ushtarake të rrethit të Durrësit, Naum Prifti në Divjakë, Gjergj Zheji në Krujë, Moisi Zaloshnja në Skrapar, Qamil Buxheli, Andrea Varfi, Petro Marko, Fatos Arapi e Kudret Velça në fshatrat e rrethit të Vlorës etj. Shumë prej këtyre shkrimtarëve dhe artistëve punuan direkt në prodhim, ndërsa vetëm një pjesë e vogël e tyre u sistemuan si mësues në shkollat e fshatrave apo drejtues në Vatrat e Kulturës. Me këtë veprim, udhëheqja e lartë e PPSH-së dhe personalisht Enver Hoxha, i bënin presion të hapur inteligjencës shqiptare, duke i’u lënë të kuptonin se: ‘edhe ata mund të përfundonin në skëterrë, atje ku jetonte shumica e shqiptarëve…’! /Memorie.al

mem 1 mem 3 mem 2 mem 54 mem 5

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.