Plazhi në ujëvarë, rrebeshi bllokoi 5 të rinj në shkëmb

Jul 28, 2016 | 18:00
SHPËRNDAJE

Përkeqësimi i menjëhershëm i motit pasditen e së martës vuri në rrezik jetën e 12 të rinjve të moshës 17–25 vjeç nga qyteti i Elbasanit.

Ujëvara e Gurrës në Labinot
Ujëvara e Gurrës në Labinot

Ata kishin shkuar për të bërë plazh në ujëvarën e përroit të Gurrës në Labinot, por rrebeshi në formë stuhie shkaktoi prurje të mëdha të lumit Shkumbin. Për rrjedhojë edhe përroi ka pësuar fryrje dhe ky fakt i ka gjetur të pambrojtur të rinjtë, të cilët në atë moment ishin duke u larë në ujëvarë.

Alarmi ka qenë i menjëhershëm, nga njëri prej të rinjve. Ai bashkë me gjashtë shokë të tij me shumë mundime dhe duke u përplasur nëpër shkëmbinj kanë arritur të dalin nga uji. Ndërsa, jeta e pesë shokëve të tyre ishte në rrezik, pasi ata mbetën në gropën me ujë. Thellësia e ujit që grumbullohej nën ujëvarë arriti në 7 metra thellësi, duke ua bërë të pamundur daljen.

Drejt vendit të ngjarjes janë nisur menjëherë familjarët. Sapo kanë mësuar për situatën drejt zonës u nisën dy zjarrfikësit, Arti Zaku dhe Hysni Lleshi. Gjithashtu alarmin e ka vlerësuar maksimalisht edhe pushteti vendor, ku bashkë me dy zjarrfikësit ka qenë edhe vetë Kryebashkiaku Qazim Sejdini.

Sipas dëshmitarëve, dy punonjësit e zjarrfikëseve, vunë veten në rrezik për të shpëtuar jetën e të rinjve që ishin në mëshirë të fatit. Njëri prej zjarrfikësve, Arti Zaku rrëfeu dje momentet e tmerrit të të rinjve dhe operacionin e shpëtimit.

“Ndodheshin në ujë, në panik të madh. Ishte shumë e vështirë të kaloje shkëmbinjtë dhe më pas të mbërrije te vendi ku ata ndodheshin. Shtatë prej tyre kishin mundur t’i shpëtonin rrezikut dhe kishin dalë në breg, ndërsa pesë të tjerët luftonin për jetën. Nga një distancë prej 7 metrash mundëm që bashkë me kolegun tim, por edhe dy banorë të zonës, t’u hidhnim litarët për t’i ngjitur nga lart. Me shumë panik por arritëm që t’i shpëtonim”, tregon ai.

“Në momentin që morëm informacionin nga salla operative e repartit, ne po punonim në një banesë në Elbasan që ishte përmbytur nga reshjet e shiut. Lamë aty disa efektivë të tjerë dhe u nisëm drejt Gurrës. Rruga ishte shumë e rrezikshme pasi shkëmbinjtë nga njëra anë, dhe reshjet nga ana tjetër e vështirësonin shumë situatën dhe gjetjen e të rinjve. Me shumë vështirësi dhe me këtë terren me të vërtetë të frikshëm, arritëm t’i identifikonim dhe më pas t’i ndihmonim ata që të dilnin nga gropa e thellë e ujit ku edhe ishin hedhur për t’u larë”.

Gjatë kohës që zjarrfikësit bashkë me banorët po mundoheshin të vetëm, nga ana e shefit të zjarrfikëses, Kryebashkiakut dhe shefi të Emergjencave Civile, po parashikohej të lajmërohej helikopteri që të ndërhynte nga ajri. “Por kjo nuk ishte e nevojshme, pasi fati ishte në anën tonë. Ne mundëm t’i shpëtonim këta të rinj dhe të gjithë së bashku të riktheheshim në banesat e tona”, rrëfen zjarrfikësi, Arti Zaku.

Sejdini i nderon dy zjarrfikësit me titullin “Mirënjohja e Qytetit”

Akti heroik i dy efektivave të Repartit Zjarrfikës, të cilët ndihmuan 5 të rinj që ndodheshin në rrezik për jetën është vlerësuar me titullin “Mirënjohja e Qytetit”, nga kreu i Bashkisë Qazim Sejdini. “Të rinjtë u përballën me rrezikun për jetën, dhe ka qenë ndihma e dy efektivëve të zjarrfikësve, Arti Zaku dhe Hysni Lleshi, të cilët bënë të mundur që t’i shpëtonin ata, si edhe të qetësonin familjarët e tyre.

zjarrfikesit

Reparti i Zjarrfikëses jo vetëm u tregua i gatshëm të ndihmojë jetët e tyre, por akti i efektivëve është me të vërtetë për t’u vlerësuar. Në këtë rast, në emër të qytetarëve elbasanas, prindërve të të rinjve, këta efektivë meritojnë të jenë “Mirënjohja e Qytetit”, me motivacionin “Për profesionalizmin, guximin dhe vlerat qytetare të treguara për shpëtimin e të rinjve në rrezik për jetën”, tha në fjalën e tij Sejdini, i cili i ka dorëzuar titullin efektivëve të Zjarrfikëses.

Sipas tij “ky akt i efektivëve të Zjarrfikëses nuk është i pari që i vjen në ndihmë jetëve të njerëzve, por me këtë akt, ata edhe një herë treguan heroizmin e tyre si edhe ajo që është më e rëndësishmja shpëtimin e jetëve të njerëzve”.

MIRANDA SADIKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura