Platforma politike e paarrirë e Ben Blushit

Mar 14, 2016 | 11:44
SHPËRNDAJE
Romeo Gurakuqi
Romeo Gurakuqi

NGA ROMEO GURAKUQI

Shkrimtari, gazetari dhe politikani Ben Blushi, ngjan të jetë një politikan ndryshe, përfaqësues i një brezi intelektual dhe të përgjegjshëm, që nuk pranon, në një masë të rëndësishme, përkuljen para veprave të çmendura të politikës në tërësi. Një pjesë e kauzave që ai po mbron me mjaft forcë dhe dinjitet janë ndjeshmëri publike e dorës së parë: zbutja e varfërisë masive, kauza e emigracionit të pandalun të shqiptarëve që nuk ndihen vendës në Shqipërinë e tyre, dekriminalizimi i Parlamentit dhe për rrjedhojë nevoja për një shpërndarje, do të thosha duke e menduar mirë këtë dezintegrim të kësaj pasqyre të padenjë e jofunksionale të Shtetit; vendosja e demokracisë së brendshme në partitë politike, nisur nga partia e tij socialiste, e kontrolluar tashmë qartë- sisht nga skifterë jakobinistë; goditja e korrupsionit galopant; animi i sjelljes qeverisëse drejt autoritarizmit etj.

Opinioni publik gjerësisht u ngrit në mbrojtje të të drejtës së tij për të thënë fjalën e vet, fjalë që ishte edhe e shumëkujt, që ka ndjeshmëri për fatet e vendit dhe fatet demokratizuese të partisë kryesore politike në Shqipëri…

Mirëpo, sapo ke shpresë se zoti Blushi është një udhëheqës i majtë ndryshe, me mendje të hapur, gjithëpërfshirës, demokratizues, që mendon për rindërtimin modern të Shqipërisë, para interesave të ngushta të Partisë, sapo gë- zohesh se ai do të artikulohet për një pushtet jo patrimonial, me administratë profesioniste, me politika të pjekura dhe të arsyeshme, ngrihet vetë zoti Blushi dhe bën përcaktimin e kufizave deri ku shkon vizioni dhe linja e tij e konceptuar e reformës.

E ka bërë disa herë këtë kuadrat, javën që shkoi dhe po përpiqem ta përmbledh: ai del si mbrojtës i punizmit tradicional, i qetë e cinik ndaj kundërshtarëve të tij politikë, shpallës i një platforme që synon pastrimin politik socialist të administratës e për rrjedhojë promovues i patronazhit politik, “projekt” që shkon (Blushi duhet ta kuptojë), përkundër krijimit të një shteti të fortë, të qëndrueshëm dhe një administrate profesioniste; Blushi papritmas “ecën” në drejtim të hapjes së kufijve të një vendi pa rend dhe ligj, pa siguri të brendshme dhe pa mekanizma monitorues të kontrollit të territorit, ndërkohë që e din mirë që populli i tij është vënë në rrugën e ikjes, nga sytë-këmbët, klasa intelektuale që ai priret ta përfaqësojë, është në një proces heshtjeje, traume servilizmi dhe indiferentizmi.

Pyetja që mund të behët me këtë rast mund të ishte kjo: A nuk e njeh zoti Blushi, kohezionin e brendshëm të brishtë të vendit të tij dhe pozicionin e dobët gjeopolitik të Shqipërisë, i cili ka nevojë të përforcohet pozitivisht, ka nevojë për qetësi të brendshme dhe për krijimin e një administrate shtetërore administrate eficiente dhe jo për rritje të kostove sociale dhe të pasigurisë? A do të duhej të mendonte që çdo politikë e nevojshme humanitare të shoqërohej edhe me kujdes përforcues të nivelit të sigurisë?

Zoti Blushi del në të mirë të promovimit të militantizmit dhe mobilizimit politik të shoqërisë. E kemi parë ta artikulojë në derën e pallatit të” marrëzisë socialiste” të Elbasanit. Këtu ai bëri një gabim thelbësor në deklaratë, kur konsideronte një proces pozitiv, të pranueshëm dhe logjik, “mobilizimin politik dhe social” të fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve, në Partinë Socialiste dhe në partitë politike në përgjithësi. Ai beson njëlloj si disa të tjerë, që fëmijët mund të bëhen deputetë nesër, që të mund vendosen në rresht lehtësisht në ngritjen e dorës ndaj çdo politike, të drejtë dhe të padrejtë: ky është “racionaliteti” që kërkohet dhe kjo është “pjekuria” që ka nevojë vendi ynë, dhe organi më i lartë i pushtetit, Parlamenti?

Në qoftë se ky zhvillim i masivizmit në përfshirjen në politikë dhe në majtizëm, që është ndër më të turpshmit që po përjeton shoqëria shqiptare, do të vijojë dhe thellohet, atëherë jemi në skemat mobilizuese të fashove të Mussolinit dhe të Rinisë Komuniste të Enver Hoxhës, ndërsa oportunizmi i tij për të mos e kritikuar këtë pjesë, një kompromis i ngjashëm me “intelektualët” që iu bashkëngjitën Lëvizjes Studentore dhe i kërkonin asaj të mos kritikonte Ramiz Alinë dhe të kishin kujdes me dy gishtat lart.

Tek emisioni i zotit Arian Çani, Blushi deklaroi se na paska sot në PS të njëjtën kauzë që paska pasur dikur aty edhe Ilir Meta, dhe se ai po vuante sot atë që paska vuajtur edhe Iliri dikur. Pra, ai nuk ka asgjë të thotë mbi mbylljen e frikshme të aferave të këtij “njeriu njollë”, që synon me u na u ba edhe President, afera që së paku prej një viti e kanë tronditur opinionin publik, me shpërthimin e vrullshëm dhe me amortizimin e frikshëm nga Drejtësia Penale që duhej të mbronte Shtetin; Ai nuk ka asgjë të thotë për shtrembërimet e procesit hetimor; Ai nuk ka asgjë të shprehet për riimpostimin e procesit të Reformës në Drejtësi dhe rolin e organit të hetimit.

Ai nuk ka asgjë të thotë për impostimin e posaçëm në Veri të Shqipërisë, të një kontrolli të fortë, të dukshëm dhe të padukshëm, nga Partia e tij e Naltgjatësisë. Nuk ka asgjë të thotë, në gjithë këtë diskur dhe përplasje, për denigrimin e Veriut të Shqipërisë në investime themelore dhe zhvillimore, të cilat në Shkodër më 2015 janë ulur në nivelin 1%?! (pas deklaratave të tij, gërmova dhe gjeta sjellje tradicionale puniste të tij, në vitet 2000-2002, kur investimet e lëvruar nga ministria që ai drejtonte, për Bashkinë Shkodër ishin të barabarta me investimet në Bashkisë Orikum). Nuk ka asgjë të thotë zoti Blushi për kapjen e institucioneve qeveritare, të cilat janë të supozura t’u shërbejnë interesave publike dhe në fakt janë orientuar drejt interesave të fuqishme private? Nuk e din ai se një shtet modern është plotësisht impersonal, jo partiak dhe nuk ndërtohet mbi bazën e lidhjeve të qytetarëve me një ose dy parti qeverisëse? Nuk e din ai që qeveria ekziston për të mbrojtur të drejtat e të gjithë qytetarëve dhe jo vetëm të socialintegristëve dhe se dhunimi, përjashtimi i pjesës tjetër të shoqërisë nga administrata e ulët dhe e lartë, shërbimi diplomatik, qeverisja gjithëpërfshirë, është një sjellje tipike puniste e trashëgimtareve të kastës drejtuese të ish-regjimit?

Po çfarë rëndësie ka në komunikimin publik shpallja mikluese e miqësisë me liderin e vet, ndërkohë që nuk është në gjendje të kritikojë projektin e qeverisë për shitjen e zyrës publike të mbledhjes së TVSH, ndaj individëve të pasur, një praktikë kjo tipike venaliteti? Dhe i gjithë ky konstatim është vetëm një pjesë e vektorit, përkundër pjesës pozitive të arsyetimit e linjës së tij që e treguam në hyrje të këtij shkrimi. Pyetjet e mësipërme, të lindura nga një shqyrtim elementar i realitetit, të çojnë në një numër pyetjesh dhe përfundimesh: Mos vallë kemi të bëjmë me një politikan pa platformë që nuk rakordon qëndrimet e ditëve të tij të ndryshme opozitare me partinë e tij? Më ngjan se kemi të bëjmë me një politikan që improvizon qëndrime, qëndrime të cilat nuk kanë një strukture solide teorike mbi rindërtimin e shtetit, demokracisë dhe përforcimi të Shqipërisë. Janë qëndrime spontane, që marrin shkas nga marrëzitë që prodhon mjedisi mediokër i udhëheqësisë politike socialiste dhe artikulimi qesharak, i zhgramatikuar i disa grave dhe burrave të asaj partie. Me ngjan me një politikan të ndërmjetëm, as i majtë, as centrist, por thjesht një parlamentar i ndërlidhur me një kujtim të largët te “lumturisë” së “unitetit punist”, i cili nuk ekziston më dhe të cilin orvatet ta impostojë në artikulimin politik, pa ia ditur rezultatin. Si pasojë, pjesa e ndjeshmërisë ndaj ekzigjencave të publikut, me ngjan të jetë vetëm një mekanizëm për të ndërtuar kauzë kundërvënëse, por jo një platformë efikase për të gjithë shoqërinë dhe të ardhmen e saj, ndryshe.

Në qoftë se do të ishte kështu (për këtë ende nuk jam i sigurt për shkak të ndërprerjeve në ligjërim dhe të mosparaqitjes së një programi të saktë nga ana e tij), do të thosha, se e gjithë kjo nismë është vendosur keq në fillesë. Kisha shpresë se PS do të kishte më në fund një udhëheqës europianist, të vërtetë, jo të stisur, mendjehapur, jo të ngurtë, të edukuar dhe jo cinik, të ndjeshëm ndaj të gjithëve, një opozitë të brendshme socialiste që e ndihmon të demokratizohet, e cila kërkon që qeveria e tij të jetë e përgjegjshme, jo vetëm para socialistëve dhe elitës së tyre insuficiente në pikë- pamje intelektuale, por një qeveri që t’u shërbente interesave më të gjera komunitare. Por më duket se qenkam jo i plotë në konkluzionin fillestar për arritjen e udhëheqësit të së ardhmes.

Më duket se shqiptarët duhet të presin sërish që nga kjo parti të lindë udhëheqësi i mirëfilltë e natyral europianist, që siç duket do ta sjellë veç një brez edhe ma i ri, se ky i sotmi i socialistëve; po mendoj se socialistëve u duhet të presin liderin që deklaron të ardhurat pa i lëvizur qerpiku dhe pa i nënqeshur buza. Socialistëve do t’u duhet të presin liderin që do të kënaqë pritshmëritë e popullit pa dallime, i cili do të arrijë të akomodojë kërkesat e një demokracie më të gjerë. Socialistëve do t’u duhet të presin edhe më tutje për të pasur liderin që arrin të kontrollojë më të pasurit dhe elitat më të fuqishme të shoqërisë së padrejtë shqiptare. Edhe ky lider i tyre i brendshëm opozitar është i koordinuar brenda seleksionit të demokracisë së brendshme vetëm socialiste: mbrojtja e të tjerëve shqiptarë, për atë, është plotësisht e paqartë dhe e pa-artikulueme.

Megjithatë, nisja dhe ligjërimi i zotit Ben Blushi duhet të mbrohet nga pjesa e emancipuar e shoqërisë, duhet të nxitet të artikulohet më qartësisht dhe të arrijë nivele të pranueshme për një social-demokraci të europianizueme njimendësisht. Le ta konsiderojmë një fillim, që do të varet nga qëndrueshmëria e deputetit socialist për të ecur në rrugën e nisur. Lë të shpresojmë në një ridimensionim të staturës, një riformulim të platformës dhe në një largim të bagazhit të vjetër antagonist të botës jashtë partive të së majtës. Me kohë, PS është thirrur të lërë mënjanë plotë- sisht qëndrimin e saj sektare dhe të dalë në Shqipëri si një alternativë demokratike jo persekutore, dhe si një organizatë jo më e ngurtë dhe e ndërlidhur vetëm me segmentin servitor të regjimit të djeshëm komunist. Shqipëria është tashmë një vend ndryshe dhe socialistët janë të thirrur ta lexojnë më mirë atdheun real, me dashamirësi dhe pa paragjykime ideologjike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura