Platforma për qeverinë tranzitore, Lubonja: E paqartë dhe jo e besueshme. Ramës s’mund t’i thuash ik

May 2, 2019 | 22:04
SHPËRNDAJE

Analisti Fatos Lubonja ka komentuar platformën e paraqitur ditën e sotme nga opozita, për detyrat e qeverisë tranzitore.

I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në “News24”, Lubonja tha se kjo platformë është e paqartë dhe jo e besueshme.

Fatos Lubonja

Lubonja  shtoi më tej, se sipas tij, opozita e sheh qeverinë tranzitore si një instrument për të ardhur në pushtet dhe jo si një instrument të cilit i duhet dhënë pushtet, për të zgjidhur problemet.

Pushteti i kësaj qeverie tranzitore. Kush do t’ia japë pushtetin kësaj qeverie? Si do zgjidhet kjo qeveri, e keni menduar ju?

Nëse do bësh një projekt, do ti thuash popullit, si do zgjidhet kjo qeveri. Ku e shoh problemin? Kontradikta e parë. Thuhet goditje me tolerancë zero për strukturat kriminale që blejnë vota. Kjo do të thotë, një pushtet i madh shumë, që ti të godasësh me tolerancë zero këto struktura.

Po prit zotëri, se goditjen e bën drejtësia dhe drejtësinë e ke të kapur. Kjo qeveria tranzitore, ose është revolucionare që e merr pushtetin me dhunë dhe dënon në emër të popullit, ose nëse ndërtojmë demokraci, kjo qeveri duhet menduar si do të jetë e paanshme.

Kësaj qeverie i duhet dhënë kohë, nuk bëhet dot kaq shpejt. Kontradita është se ju e doni këtë qeveri si instrument për të ardhur në pushtet, por nuk doni t’i jepni pushtet kësaj qeverie.

Ideja është të hiqet partitokracia në Shqipëri. Ajo që ndjej unë këtu, është që kjo platformë është e paqartë dhe jo e besueshme. Duket sikur thoni, ta marr njëherë unë pushtetin pastaj shohim. Me këtë dokument, nuk më bind”, tha Lubonja.

Analisti shtoi se opozita nuk mund t’i thotë shefit të ekzekutivit ”Ik dhe zhduku”, por sipas tij, duhet një reagim më gradual.

“Unë mendoj që mënyra që se si i ka lidhur Edi Rama fijet e pushtetit është shumë më e fuqishme dhe e komplikuar. Atij s’mund t’i thuash ik dhe zhduku. Ndërkohë që nëqoftëse ai është në krye të partisë dhe të gjitha njerëzit e tij janë në pushtetin ekonomik, duhet një reagim më gradual”, u shpreh Lubonja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura