Platforma e re/ Si do “spiunohen” zyrtarët, ja ç’duhet të bëjnë qytetarët

Oct 7, 2017 | 13:17
SHPËRNDAJE

Kreu i qeverisë, Edi Rama, ka prezantuar dje platformën dixhitale “Shqiperiaqeduam.al”, nismë e cila do të shërbejë për të mundësuar premtimin e bashkëqeverisjes me qytetarët. Kjo platformë do të jetë online dhe në të mund të regjistrohen të gjithë qytetarët shqiptarë, brenda apo jashtë vendit.

struktura

Kryeministri Rama është kujdesur të saktësojë se kjo faqe nuk do të jetë si rrjetet sociale, Facebook apo portalet online, por pjesëtarët e saj do të jenë të gjithë persona të identifikuar, të cilët do të mbajnë përgjegjësi, qoftë për denoncimet apo për publikimet e ndryshme.

Për të qenë pjesë e këtij portali, një qytetar duhet të bëjë regjistrimin në faqen e-albania.al dhe mënyra e vetme që të pranohet regjistrimi është duke futur dhe numrin personal të kartës së identitetit apo të pasaportës. Çdo qytetar do të ketë akses të shprehë ankesat, opinionet apo sugjerimet për qeverinë dhe ministritë apo dhe institucionet në varësi.

“Përgjigjet për ankesat do të jepen nga titullari i institucionit dhe çdo anëtar i kabinetit, ministër apo ministre. do të japë llogari për trajtimin e të gjitha adresimeve që lidhen me institucionin e vet, në kuptimin e përgjigjes”, ka thëne Rama.

Kryeministri ka bërë të ditur se në platformën e bashkëqeverisjes do të krijohet mundësia që qytetarët të thërrasin në interpelancë kreun e qeverisë, apo ministrat, për problematikat e caktuara. “Ne do t’u japim mundësinë njerëzve të zakonshëm, anëtarëve të këtij koalicioni, që të thërrasin në interpelancë Kryeministrin, zv.kryeministren, ministrat, njësoj siç e bëjnë këtë gjë deputetët”, tha Rama.

DENONCIMET

Sipas Ramës, çdo denoncim do të verifikohet nga stafi që Kryeministria ka rekrutuar dhe brenda 20 ditësh gjithsecili do të marrë përgjigje.

“Kush ka mik për të futur, s’ka nevojë të kërkojë lart e poshtë ta gjejë te cilido prej nesh. Kush do të fusë mik, mjafton të regjistrohet në këtë platformë dhe ka bërë mikun më të fortë, sepse me një SMS mund të vërë në lëvizje ministrin e fushës ku ka problemin. Dhe të jeni të sigurt që të gjithë anëtarët e qeverisë e kanë të qartë që ky është prioriteti i prioriteteve”, tha ai. Ky mekanizëm i ri, sipas kreut të qeverisë, do t’i shërbejë qytetarit, ndërsa do të pastrojë një herë e mirë zyrat e shtetit.

“Ky mekanizëm mund të bëhet fshesë e hekurt për t’i pastruar grabitqarët e parazitët më shpejt se çdo herë tjetër, ose tmerri i çdokujt që në zyrë shteti i shohin qytetarët nga xhepi e i sorollatin. Çdokush mund të jetë anëtar i koalicionit. Ne s’do të lëmë gur pa luajtur që anëtarët e këtij koalicioni të jenë të paprekshëm nga parazitët e grabitqarët e që koalicioni të bëhet më i madh”, theksoi Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura