Plas tek Andorra, ish-kapiteni: Veprojnë si në Korenë e Veriut

Mar 25, 2021 | 15:37
SHPËRNDAJE

Nëse thua Andorra është krejt e natyrshme që në futbollin e shtetit të vogël emri më i dëgjuar është Ildefons Lima. Ky i fundit ka thyer një rekord botëror si futbollisti me më shumë vite në një ekip kombëtar, duke qenë edhe kapiten. Mbrojtësi 41-vjeçar ka luajtur për 22 vite radhazi me Andorrën, ndërsa prej një viti është lënë jashtë grumbullimit për kritikat ndaj Federatës së Futbollit. Ai ishte në fushë edhe në ndeshjen e fundit që Shqipëria ka luajtur ndaj Andorrës në transfertë, pikërisht më 25 mars 2019, ku fitoi me shifrat 0-3. Lima ka bërë bujë me disa deklarata në mediat më prestigjioze për atë që po ndodh në Andorrë, teksa përkon me pragndeshjen ndaj Shqipërisë. Mbrojtësi vazhdon të luajë futboll me klubin vendës, Inter Eskaldes.

ILDEFONS LIMA

DEKLARATA

“Federata vendosi që unë si kapiten i kombëtares, nuk mund të jem edhe president i Shoqatës së Lojtarëve dhe nuk mund të ankohet kundër Federatës. Ishte e çuditshme që ne të nisnim kampionatin pa bërë teste për Koronavirusin. Kjo është një e drejtë që na e garanton Kushtetuta e Andorrës, por të paktën rekordin “Guinness” që kam me Kombëtaren e Andorrës nuk mund të ma heqin. Andorra luan të enjten me Shqipërinë, por këtu po flitet më shumë për atë që më ka ndodhur mua, sesa për futboll. Kjo më jep forcë.

Do të ishte njëlloj sikur Serxhio Ramos të mos luante në kombëtare, pasi një drejtues i thotë se duhet ta qepë gojën kundër Federatës. Mirëpo, këtu në Andorra ndodh! Kam bërë një denoncim, pasi po më mohojnë të drejtën e profesionit. Gjëra të tilla ndodhin në Korenë e Veriut, edhe pse në fakt mendoj se atje sportistët elitarë respektohen. Këtu nuk u intereson si shkon ekipi, por paratë e UEFA-s do të vijnë, si të fitojnë apo humbasin”, ka thënë Lima.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura